Lajme

Reagon Nagavci, i tregon SBASHK-ut si bëhet “greva e sinqertë”, merr edhe shembullin e Norvegjisë

Autori: Gazeta inFokus 18:50 | 10 September 2022

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci e cila tash e sa ditë është duke ‘luftuar’ një betejë me SBASHK’un për shkak që këta të fundit kanë hyrë në grevë, duke kërkuar shtesa prej 100 euro në muaj për mësimdhënësit.

Nagavci përmes një shkrimi të gjatë në llogarinë e saj në rrjetin social Facebook, u ka treguar SBASHK’ut se si bëhet një ‘grevë e sinqertë’ duke përmendur grevat në Maqedoninë e Veriut dhe në Norvegji.

“Greva është instrument demokratik dhe legjitim për vënien në pah të problemeve të punëtorëve, në secilin vend demokratik. Përtej specifikave historike e ligjore të secilit vend, praktikat gjithandej Evropës dhe botës e tregojnë një gjë: kur grevat janë të sinqerta dhe përdoren për t’i sjellë në agjendë të vendim-marrësve kërkesat e punëtorëve, ato nuk vazhdojnë edhe nëse nuk plotësohen 100% të kërkesave menjëherë.

-Advertisement-

Kur nuk e kanë për qëllim përmirësimin e kushteve të punëtorëve, por shantazhimin e palës tjetër, fshihen pas barrikadës së 100% të kërkesës, dhe atë menjëherë”, shkroi ajo.

Sipas saj, mësimdhënësit që hynë në grevë në Maqedoninë e Veriut muaj më parë, nuk kanë pritur që t’u plotësoheshin 100% të kërkesave, por sipas saj, ndërprenë grevën kur Qeveria ua plotësoi një pjesë të kërkesave menjëherë.

“Sindikalistët maqedonas u siguruan që, kur qeveria u’a plotësoi vetëm një pjesë të kërkesave të tyre, mësimi të vazhdojë e nxënësit të mos pësojnë”.

Tutje ajo përmendi edhe grevën e mësimdhënësve në Norvegji, duke thënë se sindikalistët norvegjezë sigurohen që, paralelisht me trajtimin e kërkesave të tyre, mësimi do të vazhdojë e nxënësit nuk do të pësojnë

“Në Norvegji, nga qershori mësimdhënësit janë duke kërkuar rritje të pagave, nëpërmjet grevës. Por, tre sindikatat më të mëdha me short përcaktojnë nga 2-3 mësues në shkollë që do të mbajnë grevë në ditët përkatëse. Sepse, sindikalistët norvegjezë sigurohen që, paralelisht me trajtimin e kërkesave të tyre, mësimi do të vazhdojë e nxënësit nuk do të pësojnë.

Para disa vitesh, mësuesit bullgarë hynë në grevë duke kërkuar dyfishim të pagave. Greva u ndërpre kur Qeveria u’a rriti pagat 48%, dhe atë vetëm 22.5% menjëherë ndërsa pjesën tjetër pas një viti. Sepse, sindikalistët bullgarë u siguruan që, kur qeveria u’a plotësoi vetëm një pjesë të kërkesave të tyre, mësimi të vazhdojë e nxënësit të mos pësojnë”, shkroi ajo.

Nagavci përmes këtij shkrimi ka përmendur grevat e SBASHK’ut ndër vite, duke thënë se atëkohë grevat i kanë ndërprerë vetëm me oferta, ndërsa kësaj radhe kanë vendosur të injorojnë jo vetëm ofertat, sipas saj, shumëfish më të mira, por edhe veprimet tashmë të ndërmarra që i afrohen shumë kërkesës së tyre.

“Ndërkohë, veprimet e Qeverisë Kurti jo vetëm që janë duke i arritur, por duke i tejkaluar kërkesat e SBASHK. Një pjesë menjëherë, një pjesë me reforma sistematike”, tha ajo.

Sipas saj, ofertat e ofruara nga Qeveria, SBASHK’u është i informuar, por kanë vendosur t’I injorojnë, pasi sipas saj, arsyeja e injorimit nuk ka të bëjë me realizimin e kërkesave sindikale.

“Përkundër kësaj, Qeveria dhe MASHTI do të vazhdojë ta bëjë punën që e ka në mandat për ta përmirësuar cilësinë e arsimit në Kosovë.

U bëj thirrje edhe njëherë mësimdhënësve që të vazhdojnë procesin mësimor sa më parë, duke reflektuar mbi gjitha veprimet e deritashme të Qeverisë e duke i dhënë mundësi reformave tjera gjithëpërfshirëse që janë në proces e do të përfundojnë së shpejti”, tha ajo.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKS-ja kërkon nga Institucionet që sigurimi për bujqit të bëhët obligativ

Të tjera