Lajme

Rasti i 53-milionëshit, dëshmitari thotë se njësia për implementimin e projektit s’mori pjesë në të gjitha takimet e KDN

Autori: Gazeta inFokus 14:37 | 09 February 2023

Në rastin e njohur si “Rasti i 53 milionë eurove”, dëshmitari Ramë Qupeva, drejtor në Departamentin për Infrastrukturë Rrugore në Ministrinë e Infrastrukturës, ka deklaruar se njësia për implementimin e projektit nuk ka marrë pjesë në të gjitha takimet e Komitetit Drejtues Ndërministror (KDN).

Këtë deklarim, Qupeva e dha në gjykimin ku ish-ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, ish-sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës (MI) dhe Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në MI, po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari Qupeva ka thënë se ka qenë menaxher i kësaj njësie, e cila sipas tij ishte formuar me vendim të kryesuesit të Komitetit Drejtues Ndërministror, Fehmi Mujota, pas nënshkrimit të kontratës në mes të Ministrisë së Infrastrukturës dhe kompanisë “Bechtel & Enka”, e që sipas tij kjo njësi ka qenë si një lloj sekretarie e këtij komiteti.

-Advertisement-

Në pyetjen e prokurorit special Valdet Gashi në lidhje me raportet e këtij Komiteti dhe njësisë për implementimin e këtij projekti, dëshmitari Qupeva ka thënë se raportet kanë qenë të rregullta dhe theksoi se përveç tjerash ka marrë pjesë në takimet e Komitetit, si dhe nëse është kërkuar kanë dhënë sqarime shtesë për çështje teknike.

Mirëpo, ai tha se kjo njësi ka marrë pjesë vetëm në takimet për të cilat është ftuar nga ky Komitet, duke shtuar se në praktikat e realizimit të këtyre projekteve është praktikë që të ftohet qoftë njësia, qoftë kompania mbikëqyrëse, por që nuk është obligim.

Sipas tij, takimet e komitetit dhe agjendat për të njëjtat i ka përgatitur kabineti i ministrit.

Gjithashtu, dëshmitari ka thënë se ka pasur situata kur kjo njësi nuk është ftuar në disa takime të komitetit, e që në ato takime janë marrë vendime.

Po ashtu, ai tha se vendimet të cilat janë marrë nga ky Komitet, e që prezent nuk ka qenë njësia për implementimin e projektit, i kanë pranuar çdo herë përmes arkivës së Ministrisë, por jo edhe procesverbalet e atyre takimeve.

Ndërsa, prokurori Gashi e ka pyetur se a ka konsideruar se pjesëmarrja e kësaj njësie ka qenë e domosdoshme në ato takime ku janë marrë vendime nga Komiteti, për çka dëshmitari Qupeva ka deklaruar se kjo njësi i raporton Komitetit, e jo Komiteti njësisë.

“Për këtë arsye, vendimet strategjike janë kompetencë e Komitetit jo e njësisë. Komiteti është niveli më i lartë i hierarkisë, ne nuk mundemi me caktu çfarë vendimi merr komiteti”, ka shtuar ai.

Sipas tij, përmbajtja e Komitetit ka qenë e tillë që ka pasur të drejtë të marrë vendime të nevojshme për shkak se në kuadër të këtij komiteti kanë qenë ministritë kyçe të Qeverisë.

Kurse, paraprakisht në këtë seancë dëshmitari Qupeva ka deklaruar se projektin e autostradës Prishtinë – Morinë dhe atë Prishtinë – Hani i Elezit, Kuvendi i Republikës së Kosovës i ka shpallur projekte me interes nacional, si dhe e ka ngarkuar Qeverinë e Republikës së Kosovës që të marrë të gjitha masat e nevojshme për zhvillimin e këtyre projekteve.

“Ne vazhdën e kësaj, Komitetit ka qenë kompetent për zhvillimin e të gjitha fazave të realizmit të projektit, përcjelljen e afateve kohore dhe pjesën implementuese gjatë kohës që u zhvillu projekti”, ka shtuar tutje dëshmitari Qupeva.

Ndërsa, në lidhje me përzgjedhjen e kompanisë “Hill Internacional” si mbikëqyrëse e këtij projekti, ai tha se në vitin 2012, Komiteti ka marrë vendim për fillimin e procedurave për ndërtimin e autostradës Prishtinë – Hani i Elezit dhe inicimit të procedurës për mbikëqyrjen e këtij projekti.

Tutje, ai ka thënë se procesi i prokurimit ka qenë i hapur dhe pas përfundimit të tij, kompania “Hill Internacional” i ka plotësuar të gjitha kushtet teknike dhe financiare dhe është lidhur kontrata me të.

Më pas, seanca është ndërprerë shkaku i temperaturave të ulëta në sallë, andaj pritet që dëgjimi i dëshmitarit Qupeva të vazhdojë në seancën e radhës.

Po ashtu, i ftuar që të dëgjohet në cilësi të dëshmitarit ka qenë edhe Bajram Hasani, mirëpo i njëjti është njoftuar në fillim të seancës që sot do të dëgjohet vetëm Ramë Qupeva, ngase shkaku i temperaturave të ulëta është planifikuar vetëm sesioni i paraditës.

Kurse, seancat e radhës janë caktuar më 31 mars, 3 dhe 4 prill, 15 dhe 16 maj 2023.

Ndryshe, edhe në seancën fillestare të mbajtur më 4 maj 2022, Lekaj dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për veprën penale që iu vihet në barrë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 4 shkurt 2022, ngriti aktakuzë ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës dhe Nebih Shatrit.

Ndërsa, më 19 shkurt 2022, PSRK njoftoi se lidhur me këtë rast, më 18 shkurt është ngritur aktakuzë edhe ndaj Besim Tahirit.

Sipas aktakuzës së ngritur më 4 shkurt 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në MI, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare. /BetimipërDrejtësi

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Caffe pjesëmarrës në panairin “Gulfood Fair 2024” në Dubai

Të tjera