Lajme

Raporti i Komisionit Evropian: Kosova me një mal ngecjesh, rezultatet kundër korrupsionit të lartë në rënie

Autori: Gazeta inFokus 14:59 | 04 November 2026

Në korrupsionin e nivelit të lartë, vendime përfundimtare pati vetëm në tetë raste më 2025. Aktakuzat dhe dënimet ranë.

Ky është një ndër konstatimet më shqetësuese të raportit të Komisionit Evropian për Kosovën, të publikuar më 4 nëntor.

Dokumenti nxjerr në pah një mal me ngecje institucionale.

-Advertisement-

As funksionimi i gjyqësorit nuk ka përparuar.

Ndikimet politike dhe ekonomike mbi drejtësinë mbeten serioze, ndërsa në disa aspekte janë intensifikuar.

Raporti mbulon periudhën 1 shtator 2025–1 shtator 2026, duke përfshirë edhe disa zhvillime të mëvonshme.

Një dekadë pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, reformat vazhdojnë të përballen me pengesa, konstaton raporti.

Kontrolli financiar, konkurrenca, digjitalizimi, shkenca, bujqësia, siguria ushqimore, mjedisi, rrjetet transevropiane dhe lëvizja e mallrave e punëtorëve nuk shënuan përparim.

Korrupsioni i lartë, drejtësia dhe prokurimi publik

Gjykimet e profilit të lartë zvarriten, thotë raporti.

Shumë përfundojnë me pafajësi ose dënime të buta, ndërsa rezultatet në ndëshkimin e korrupsionit mbeten të dobëta.

Ndryshe ndodhi me korrupsionin e niveleve më të ulëta, ku u shtuan aktakuzat dhe dënimet përfundimtare.

Strategjia kombëtare kundër korrupsionit mungon.

“Prokurimi publik në Kosovë mbeti i cenueshëm ndaj parregullsive dhe korrupsionit”, konstaton raporti.

Auditori identifikoi shmangie procedurash dhe planifikim të dobët.

Ligji i ri për prokurimin mungon.

Mbikëqyrja e konkurrencës ngeci.

Mandati i Komisionit të Ndihmës Shtetërore ka skaduar më 2021; kontrolli mbetet i pezulluar.

Në drejtësi, konstatimi i Komisionit është se Kosova “nuk ka shënuar përparim në funksionimin e gjyqësorit.”

Ligjet e reformës mungojnë.

Gjykatat përballen me seanca të shtyra, aktakuza të dobëta dhe lëndë të grumbulluara.

Shpërndarja automatike e lëndëve nuk zbatohet rregullisht, duke lënë hapësirë për caktime diskrecionale.

Kritikohen edhe ndryshimet e 6 tetorit për Dhomat e Specializuara, të kthyera nga presidenti për rishqyrtim më 22 tetor.

Ato ngrenë “shqetësime për pavarësinë gjyqësore, dëshmitarët, viktimat, përgjegjësinë për krimet e luftës dhe kushtetutshmërinë.”

Bllokada e Kuvendit dhe qeverisja kryesisht në detyrë vonuan reformat.

Kuvendi funksionoi me kufizime të rënda, ndërsa mbikëqyrja parlamentare e qeverisë u dobësua.

Koalicioni qeverisës, pavarësisht shumicës, nuk bashkëpunoi strategjikisht me opozitën për reformat evropiane dhe zgjedhjen e presidentit.

Zgjedhjet u administruan mirë, por pati përpjekje për politizimin e KQZ-së dhe keqpërdorim të burimeve publike.

Pjesëmarrja ra nga 45 për qind në dhjetor në 37 për qind në qershor, duke treguar lodhje elektorale.

Në administratë, ushtruesit e detyrës në pozita drejtuese mbeten të shumtë, duke anashkaluar konkurset dhe shtuar politizimin.

Dhuna ndaj grave dhe mbrojtja e të drejtave

Policia regjistroi 2.509 raste të dhunës në familje më 2025, kundrejt 2.547 rasteve në vitin paraprak.

Sistemi i parandalimit dhe mbrojtjes nga dhuna me bazë gjinore cilësohet i papërshtatshëm.

“Megjithatë, trajtimi i përgjithshëm i këtyre rasteve është joefikas, duke sjellë aktgjykime të dobëta dhe dënime të buta,” thotë raporti.

Strehimoret kanë nevojë për financim shumëvjeçar.

Mbrojtja e fëmijëve vuan nga nënfinancimi.

Personat me aftësi të kufizuara përballen me pengesa në shërbime, ndërsa ligji për njohjen e statusit dhe përfitimeve ende mungon.

Në veri, Komisioni kritikon rrënimin e pronave pa garanci të mjaftueshme ligjore, derisa kontestet gjyqësore vazhdojnë.

Serbët mbeten të nënpërfaqësuar në drejtësi dhe polici, sipas raportit.

Vendimet që “penguan riintegrimin e personelit gjyqësor serb” thuhet se shqetësojnë Komisionin.

Raporti evidenton 35 raste sulmesh ose kërcënimesh ndaj gazetarëve, ndonëse më pak se vitin paraprak.

Zyrtarë të lartë, përfshirë kryeministrin Albin Kurti, kritikohen për gjuhë të ashpër ndaj mediave.

Gazetarët hasin pengesa për dokumente publike.

Ligjet për RTK-në dhe Komisionin e Pavarur të Mediave mungojnë. Katër vende në bordin e RTK-së mbeten bosh.

Pronësia dhe financimi i mediave mbeten jotransparentë, duke i ekspozuar mediat e pavarura ndaj presionit financiar e politik, po ashtu pohon raporti

Rritja ekonomike zbriti nga 4,6 për qind më 2024 në 3,6 për qind më 2025.

Inflacioni arriti 7,3 për qind në gusht 2026.

Zgjerimi i buxhetit rrezikon ta shtojë presionin mbi çmimet.

Rritjet parazgjedhore të pagave dhe shpenzimeve sociale ngarkojnë buxhetin.

Menaxhimi i investimeve publike nuk përparoi.

Portali i transparencës mbetet jofunksional.

Për investimet kapitale mungojnë të dhënat e qarta mbi përzgjedhjen dhe ndikimin.

Në tre tremujorët e parë të vitit 2025, vetëm rreth 27 për qind e grave ishin të punësuara.

Rreth 33,4 për qind e të rinjve 15–29 vjeç nuk punonin, nuk studionin dhe nuk trajnoheshin: niveli më i lartë rajonal.

“Zbatimi i reformave në sektorin e shëndetësisë ka ngecur,” konstaton Komisioni.

Qytetarët paguajnë vetë rreth 40 për qind të shpenzimeve shëndetësore.

Mungojnë dosjet elektronike; disa barna thelbësore nuk sigurohen rregullisht.

Kontrollet për kancerin nuk kryhen sistematikisht.

As plani për kontrollin e kancerit të qafës së mitrës nuk ka nisur.

Në PISA 2025, Kosova ishte ndër pjesëmarrëset me rezultatet më të dobëta.

Mungojnë ligjet për arsimin profesional dhe tekstet shkollore.

Në shkencë nuk pati përparim.

Më 2024, shpenzimet kërkimore ishin 0,1 për qind e PBB-së, përkundrejt mesatares 2,2 për qind në BE.

Energjia mbetet pengesë ekonomike: mbi 90 për qind e energjisë elektrike prodhohet nga dy termocentrale të vjetruara dhe ndotëse.

Ankandet për burime të ripërtëritshme vonohen, plani energjetik dhe klimatik mungon, ndërsa hekurudhat përparojnë ngadalë.

Rreth 40 për qind e pyjeve publike shfrytëzohen pa kontroll ose ilegalisht.

Mbetjet industriale të rrezikshme dhe shkarkimet në lumenj kërcënojnë tokën, ujin dhe shëndetin, ndërsa masat kundër ndotjes vazhdojnë të vonohen.

Programi i zhvillimit rural nuk u zbatua më 2025.

Humbja e tokës bujqësore kërkon ndërhyrje urgjente.

Siguria ushqimore nuk përparoi.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka mungesa personeli dhe fondesh.

Administrimi i fondeve evropiane ka boshllëqe në menaxhim, auditim dhe parandalimin e mashtrimit.

“Kosova ndërmori vazhdimisht veprime në kundërshtim me detyrimet e saj nga dialogu, ose veprime që dëmtonin procesin e normalizimit,” shkruan raporti.

Përmenden mosrealizimi i Asociacionit dhe pengesat në riintegrimin e serbëve në institucione, krahas detyrimeve të pazbatuara nga Serbia.

Serbia kritikohet për pengimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe mungesën e hapave për të siguruar përgjegjësi për sulmin në Banjskë.

Për Marrëveshjen e Ohrit, asnjëra palë nuk ka përparuar mjaftueshëm, megjithëse pati hapa për personat e zhdukur.

Raporti njeh përparim kundër krimit të organizuar, bashkëpunimin me Europolin dhe përafrimin e plotë me politikën e jashtme të BE-së.

Pas kalimit paqësor të pushtetit lokal në veri, Komisioni hoqi masat ndaj Kosovës dhe rifilloi ndihmën financiare.

Për vitin e ardhshëm, Komisioni kërkon miratimin e ligjeve të mbetura pezull, institucione funksionale dhe zbatimin e reformave.

VIVA FRESH E SHPALL KREEEEJT MUAJIN BLACK NOVEMBER!
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy