Sport

Puna më ndryshe në kohën e koronavirusit, flasin gazetarët e sportit

Autori: Erion Maliqaj 21:50 | 03 April 2020

Janë bërë tri javë që kur Qeveria e Kosovës mori vendim që ti pezullojë të gjitha ngjarjet sportive në vend për kohë të pacaktuar, shkruan Gazeta inFokus.

Ky vendim erdhi për të parandaluar përhapjen e koronavirusit në vendin tonë.

Ashtu sikurse futbollistëve dhe tifozëve, futbolli po u mungon shumë edhe gazetarëve sportivë në Kosovë.

-Advertisement-

Për dallim nga futbollistët që po stërviten individualisht, gazetarët e sportit nuk po e ndalin punën e tyre dhe në forma të ndryshme po punojnë për ta informuar opinionin.

Gazeta inFokus ka realizuar intervista me katër gazetarë të njohur të sportit në Kosovë, të cilët flasin për vështirësitë që po kanë në punë pas pezullimit të te gjitha aktiviteteve sportive, për mënyrën e punës së tyre e cilat tani nuk lidhen direkt me raportimet e zakonshme të ndeshjeve sportive, se si është një ditë për një gazetar sportiv pa ngjarje të sportit, se a po u mungon futbolli si dhe flasin edhe për kampionatin e Kosovës se kur pritet të fillojë.

Redaktori i Sportit në KTV, Bujar Mehmeti tregon për Gazetën inFokus së koronvirusi ka vështirësuar shumë punën dhe gazetarët po kanë mungesë të aktiviteteve sportive.

Fotografia e Bujar Mehmeti

“Pezullimi i aktiviteteve sportive në mbarë botën dhe në Kosovë, ka prekur direkt edhe gazetarët e sportit, të cilët nëse më parë kanë pasur probleme nga drejtuesit e klubeve e federatave për realizimin e storieve, dhe kushtet e vështira infrastrukturore, tashmë përballen me mungesën e aktiviteteve dhe duhet të improvizojnë”, tha Mehmeti që është pjesë e Kohavisionit që gati 11 vjet.

Njëri ndër komentatorët më të mirë në Kosovë, Florim Canolli, i cili është edhe komentator i ndeshjeve të Kombëtares së Kosovës në “Supersport Kosova”,  thotë se është shumë e vështirë të punohet kur sporti nuk luhet e konkretisht futbolli.

Fotografia e Florim Canolli

“Si gazetar i sportit, natyrisht që është e vështirë të punosh kur sporti nuk luhet, konkretisht futbolli që është sporti më i popullarizuar dhe me të cilin ne merremi më shumë, por duhet të ambientohemi”, tha Canolli.

Se puna e një gazetari sportiv në Kosovë është vështirësuar e pranon edhe njëri prej gazetarëve më të mirë të sportit vendor, Drilon Sylejmani i “Gazetës Sheshi”.

Fotografia e Drilon Sylejmani

“Normalisht se edhe puna jonë është vështirësuar pasi që numri i informacioneve është reduktuar në mungesë të aktiviteteve sportive. Gjithsesi ne ndodhemi vazhdimisht në kërkim të informacioneve më të reja për sportin vendor dhe atë ndërkombëtar, ndonëse tashmë duhet pranuar që pandemia ‘Covid-19’ e ka marrë gjithë vëmendjen kryesore dhe të gjitha lajmet apo informacionet kanë të bëjnë me të. Gjithashtu duhet theksuar që edhe komuniteti i gazetarisë sportive është angazhuar në kampanjën për vetëdisimin e qytetarëve për të qëndruar në shtëpi duke lansuar disa mesazhe mjaft kreative të bëra nga futbollistët dhe i gjithë komuniteti sportiv”, deklaroi Sylejmani.

Redaktori i sportit në “Telegraf”, Lavdim Pireva mendon se pas pezullimit të ndeshjeve ka mungesë të lajmeve dhe se vëmendja tashmë është të lajmet për Covid-19 dhe politikë.

Fotografia e Lavdim Pireva

“Duke parë që realisht gjatë kohës sa ka ngjarje sportive, ne gazetarët e sportit jem shumë të zënë dhe aktiv, paksa aktiviteti ka rënë, pasi pa ngjarje ka edhe mungesë të lajmeve. Së fundmi vëmendja e lexuesve është më shumë e komentuar në lajmet për COVID-19, por edhe rreth politikës”, tha Pireva, i cili është pjesë e gazetarisë sportive që gati një dekadë.

Disa punojnë nga shtëpitë, e disa në zyre 

Përhapja e pandemisë Covid-19, ka bërë që disa gazetarë të sportit punën ta kryejnë edhe nga shtëpitë e tyre, përveç në disa raste kur duhet gjithsesi të jenë në zyre. Këtu bëjnë pjesë gazetarët e televizioneve.

Drilon Sylejmani që punon në portalin sportiv ‘Gazeta Sheshi’ tregon se punën në këtë kohë po e kryen nga shtëpia.

“Në këtë kohë pandemia kur edhe kërkohet të qëndrohet në shtëpi, natyrisht se edhe ne jemi duke punuar në ambientet e shtëpisë dhe kjo falë edhe profesionit i cili na mundëson këtë gjë, pasi që nuk kemi shumë nevojë t’i përdorim shërbimet e zyrave ku ne punojmë”, theksoi Sylejmani.

Tash e tri javë, punën nga shtëpitë e tyre, po e kryejnë edhe gazetarët e “Telegrafit”.

“Telegrafi ka marr vendim që pothuajse të gjithë gazetarët të punojnë nga shtëpitë e tyre. Edhe unë tash e tri javë jam duke punuar nga shtëpia”, tha Lavdim Pireva.

Punën nga shtëpia, por herë pas here edhe nga zyra po e kryen edhe Florim Canolli, komentator në SuperSport Kosova.

“Duke qenë se kampionatet nuk luhen, kryesisht punojmë nga shtëpia sepse nuk kemi ndeshje për të komentuar dhe nuk kemi arsye të shkojmë në studio, mirëpo ka ditë kur duhet të jemi edhe në zyre për qështje të ndryshme që lidhen me punën. Si komentator aktualisht jemi jashtë lojës, sepse ndeshjet që ne transmetojmë në Digitalb/SuperSport Kosova nuk luhen kështu që po punojmë më shumë si gazetar për të informuar publikun në lidhje me mënyrën se si po e përballojnë sportistët izolimin dhe aktivitetet që po bëjnë gjatë kësaj kohe”, u shpreh Canolli.

Ndërsa Bujar Mehmeti i KTV-së, zbulon se gazetarët e grupit “KOHA” punën po e kryejnë nga zyrat.

“Gazetarët e sportit në Koha, kanë punuar nga zyrat që nga dita e parë kur është pezulluar sporti”, potencoi Mehmeti.

Raportimet më ndryshe

Pezullimi i aktiviteteve sportive në vend dhe botë ka bërë që edhe mënyra e raportimit të gazetarëve të ndryshojë.

Bujar Mehmeti i Kohavisionit tregon se si ka ndryshuar mënyra e raportimit të gazetarët sportivë.

Fotografia e Bujar Mehmeti

“Duke parë se nuk ka asnjë aktivitet sportiv që zhvillohet në vendin tonë, raportimi është shndërruar në raportim interaktiv ndërmjet gazetarëve dhe sportistëve, të cilët ndihmojnë shumë në këtë aspekt. Përmes video-mesazheve dhe video-lidhjeve, Sporti në Koha, që përfshin redaksinë e Sportit në KTV, Sportin në gazetën Koha Ditore që tashmë del online dhe Sportin në portalin Koha.net, është duke sjell te shikuesit dhe lexuesit një formë ndryshe të raportimit, duke sjellë nga afër gjendjen e sportistëve në karantinë, nga vendi dhe bota”, u shpreh Mehmeti.

Se raportimi i gazetarëve sportiv ka ndryshuar e thotë edhe Lavdim Pireva.

Fotografia e Lavdim Pireva

“Realisht po. Por kjo më shumë për rastet e sportistëve ndërkombëtarë, pasi te ne gjendje duket më e qetë. Lajmet me sportistë rreth virusit, janë lajme që lexohen më shumë. Futbolli tek ne është pezulluar, ndërsa basketbolli ka ndërprerë garat edhe pse pritej një sezon më emocionues se të shkuarit. Ka pasur raportim edhe për boksierët që ishin në izolim në qendrën e studentëve”, deklaroj Pireva.

Florim Caniolli tregon se si komentator tani është jashtë lojës, por punën po e vazhdon si gazetar për ta informuar publikun se si po e përballojnë sportistët këtë periudhë izolimi.

Fotografia e Florim Canolli

“Si komentator aktualisht jemi jashtë lojës, sepse ndeshjet që ne transmetojmë në Digitalb/SuperSport Kosova nuk luhen kështu që po punojmë më shumë si gazetar për të informuar publikun në lidhje me mënyrën se si po e përballojnë sportistët izolimin dhe aktivitetet që po bëjnë gjatë kësaj kohe”, pohoi Canolli.

Edhe Drilon Sylejmani deklaroi se raportimi tani më shumë ndërlidhet me koronavirus, që ka prekur edhe shumë sportistë.

Fotografia e Drilon Sylejmani

“Realisht i gjithë raportimi ndërlidhet me pandeminë e ‘koronavirusit’. Fatkeqësisht shumë pjesëtarë të këtij komuniteti janë prekur me këtë virus, futbollistë, trajner dhe drejtues klubesh, ndaj një pjesë e madhe e raportimit bëhet në këtë linjë. Gjithashtu informacionet e fundit që vijnë nga UEFA janë në interes tek i gjithë komuniteti, pasi që kampionatet kanë mbetur pezull dhe pa ndonjë të ardhme të qartë, futbollistët e kanë hallin e kontratave të tyre, ndërkohë drejtuesit e klubit atë të pagave”, shtoi Sylejmani.

Një ditë pune në kohën e coronavirusit

Gazetarët e sportit rrëfejnë një ditë të punës së tyre në kohën e koronavirusit, i cili i ka pezulluar të gjitha ngjarjet sportive.

Bujar Mehmeti: “Puna e gazetarëve të Sportit në Koha, nuk ka ndryshuar shumë, por se veç është vështirësuar pasi tani duhet të bëhet më shumë përpjekje për të gjetur lajme, dhe kjo varet shumë edhe nga gatishmëria e sportistëve. Gazetarët e sportit në Koha punojnë në disa ndërrime, duke nisur nga mëngjesi, për t’i përgatitur lajmet për edicionet e sportit në KTV, pastaj përgatitja e lajmeve dhe tregimeve të veçanta për gazetën Koha Ditore dhe gazetën e së dielës, ndërsa puna përfundon pas mesnatës me Sportin në Interaktiv. Në fundjavë ekipi i gazetarëve të Sportit punon për të përgatitur emisionin Sporti Total”.

Florim Canolli: “Një ditë jo e zakonshme në fakt, zgjohemi më vonë se zakonisht, interesohemi për lajme të ndryshme gjatë ditës, në Supersport ka një emision Fan Zone me të cilin po merremi të gjithë me lidhje direkte, ndërsa në mbrëmje lexojmë apo dhe shohim ndonjë film”.

Drilon Sylejmani: “E vështirë, por edhe kreative. Në mungesë të informacioneve nga ngjarjet sportive, të cilat ishin të shumta, tashmë duhet të fokusohemi në gjetjen e alternativave për të raportuar. Intervistimet me sportistët, se si ata po gjenden në këto ditë pandemia, sa po arrijnë ta mbajnë formën fizike dhe gjëra të tjera, tashmë kanë dalë dhe janë në fokusin tonë”.

Lavdim Pireva: “Puna nga shtëpia është më e vështirë dhe na mungon ambienti i punës. Në këtë kohë pandemie, qasja tek sportistët është më e lehtë, pasi të gjithë janë në shtëpitë e tyre. Po mundohemi që përparësi tu japim më shumë lajmeve pozitive dhe motivuese, pasi që një mesazh i tillë nga sportistët e njohur është motivuese për ta kaluar këtë situatë të vështirë”.

Gazetarëve po u mungon futbolli

Mehmeti, Canolli,  Sylejmani dhe Pireva, e pranojnë se po u mungon shumë futbolli.

Fotografia e Bujar Mehmeti

Bujar Mehmeti – KTV: “Pezullimi i Sportit për shkak të Covid-19 erdhi në kohën kur gazetarët e sportit po përgatiteshin për të përcjellë kombëtaren e Kosovës në futboll, në rrugën drejt Euro 2020, si dhe sportistëve që po bënin garat e fundit dhe përgatitjet për Olimpiadën “Tokyo 2020”, duke i prishur planet jo vetëm sportistëve por edhe gazetarëve. Kjo situatë e re, dhe shpesh monotone na bën të kuptojmë që jo vetëm pa futboll, por edhe pa sport, jeta jonë nuk ka shumë kuptim”.

Fotografia e Florim Canolli

Florim Canolli – SuperSport Kosova: “Sporti dhe futbolli na mungon jashtëzakonisht shume sepse jemi mësuar cdo javë të jemi në stadiume të ndryshme. Ritmi dhe adrenalina që na ofron kjo punë është e tillë ndërsa tani ndihemi disi çuditshëm, duke qëndruar kryesisht në shtëpi”.

Fotografia e Drilon Sylejmani

Drilon Sylejmani – Sheshi: ““Natyrisht se po. Përveç sportistëve këtë periudhë më së shumti e vuajnë edhe gazetarët, pasi që nuk ka mungesë aktivitetesh dhe numri i raportimeve detyrimisht reduktohet. Urojmë që ky virus të largohet ngadalë pa shkaktuar shumë dëme dhe telashe për t’u rikthyer më pas normalitetit, i cili nuk do të jetë më si më parë”.

Fotografia e Lavdim Pireva

Lavdim Pireva – Telegrafi: “Po shumë. Ne gazetarët përveç punës e kemi pasion sportin. Ta kesh profesionin që lidhet edhe me pasion, është gjëja më e bukur. Përveç që po na mungon për ta ndjekur dhe shijuar, na ka krijuar paksa probleme edhe në punë, pasi zhvillimi i ndeshjeve, na jep më shuam hapësirë për lajme rreth tyre”.

Për fund gazetarët sportivë folën edhe rreth rinisjes së Superligës së Kosovës në futboll.

Mehmeti: “Është shumë thelbësore të ruajmë shëndetin dhe të shpresojmë që sipas parashikimeve, sporti dhe futbolli të rinis në qershor, por krejt kjo varet nga vetëdijesimi qytetar për të qëndruar në shtëpi, dhe në distancë kur jemi në punë, për të mundësuar rikthimin e jetës normale”.

Canolli: Sa i përket fillimit të kampionatit në qershor, në fakt vetëm mund të shpresojmë sepse ende nuk ka asgjë të sigurt për atë. Do të varet shumë se kur do të përfundoj përhapja e Covid-19. Edhe nëse do të fillojë në qershor besoj fillimisht do të jetë pa shikues, ndërsa gradualisht deri te fundi i sezonit të lejohen edhe publiku në stadiume, por gjithçka mbetet të caktohet më kalimin e ditëve dhe gjithmonë duke parë zhvillimet në lidhje me sëmundjen, sepse në këtë moment shëndeti i njerëzve është mbi të gjitha.

Sylejmani: “E gjitha varet nga largimi i këtij ‘virusi’. Shpresojmë që aktivitetet sportive të nisin sa më parë, megjithëse duhet të kemi një gjë të qartë. Përpara se të nis kampionati, klubet sportive janë të detyruar të bëjnë në mini-fazë përgatitore, pasi që gjendja e sportistëve mund të mos jetë si më parë dhe në këtë drejtim duhet patur sa më shumë kujdes. Për fund unë u bëj thirrje gjithë qytetarëve të vendit që të qëndrojnë sa më shumë në shtëpi, t’u përmbahen rekomandeve që vijnë nga institucionet shtetërore, sepse sfidat e mëdha fitohen së bashku. Shpresojmë të shihemi në qershor dhe pse jo edhe më herët”.

Pireva: “Sipas paralajmërimeve nga UEFA, kampionatet nuk duhet të mbyllen siç janë aktualisht. Qershori do të ishte ideal, ndërsa do të luhej deri kah mesi i korrikut. Tek ne kampionati ka qenë interesant dhe shpallja kampioni e një klubi, ose rënia nga elita e një klubi tjetër, duke e parë renditjen do të ishte e padrejtë”.

Ende nuk ka datë të saktë së kur do të rinisin kampionatet e futbollit në Kosovë dhe Evropë.

UEFA ka kërkuar nga të gjitha Federata e shteteve anëtare që t’i përfundojnë kampionatet e tyre deri në fund të korrikut.

Superliga e Kosovës është e pezulluar që nga 13 marsi, ditë kur u shënuan dy rastet e para me koronavirus në vendin tonë./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Rëndësia e komunikimit efektiv midis Familjes dhe Kopshtit

Të tjera