Lajme

Protesta, luftë e vrasje: Rrugëtimi dhe përpjekjet për Kosovën e lirë

Autori: Gazeta inFokus 13:26 | 17 February 2023

Shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe njohja e saj ndërkombëtare, në Prishtinë konsiderohen si datat më të rëndësishme të historisë së deritashme të Kosovës. Përpjekjet e  popullatës me shumicë shqiptare për liri datojnë për një shekull. Por teksa përpjekjet për krijimin e një shteti të pavarur datojnë për një kohë të gjatë, ato kanë marrë forma më konkrete të organizimit nga fundi i viteve të 80-ta dhe fillimi i viteve 90-të. Atëherë, kur edhe filloi shpërbërja e ish-Jugosllavisë.

Madje, edhe vetë shpërbërja e ish-Jugosllavisë vlerësohet se filloi në Kosovë, ndërsa po aty u përmbyll.

Pavarësisht represionit, më 2 korrik të vitit 1990, Kuvendi i Kosovës shpalli deklaratën kushtetuese që e cilësonte Kosovën Republikë. Deklarata e pavarësisë u pasua edhe me nxjerrjen e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, më 7 shtator të vitit 1990 në Kaçanik. Me fillimin e shpërbërjes së Jugosllavisë, Kosova organizoi edhe referendumin për pavarësi e sovranitet, të mbajtur në shtatorin e vitit 1991.

-Advertisement-

Nga ky moment, në Kosovë instalohet sistemi i organizimit paralel, që pasoi zgjedhjet e mbajtura jashtë sistemit juridik serb, në të cilat Ibrahim Rugova u zgjodh president i Republikës së Kosovës dhe formoi qeverinë në ekzil, të udhëhequr nga kryeministri Bujar Bukoshi. Por, kjo Republikë dhe kjo qeveri nuk gëzuan njohje ndërkombëtare, sado që në Kosovë kishin një përkrahje masive.

Rugova udhë hoqi rezistencën paqësore të shqiptarëve të Kosovës kundër regjimit serb dhe punoi në sensibilizimin e opinionit botëror dhe qeverive më me ndikim në botë për problemin e Kosovës. Politika paqësore e Rugovës dhe LDK-së filloi të kritikohet nga vitet 1995 e tutje. Sidomos, pas Konferencës së Dejtonit, në vitin 1995, kur u arrit marrëveshja për ndërprerjen e luftës në Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosova u la anash. Në Kosovë filluan të formohen grupe ushtarake guerile, që në vitin 1997 do të rezultojnë me paraqitjen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ndonëse në raste, politika pacifiste e Rugovës dhe ajo militare e UÇK-së nuk kishin pika të përbashkëta bashkëpunimi, synimi ishte i njëjtë – çlirimi i Kosovës nga Serbia dhe ndërtimi i Kosovës – shtet të pavarur e sovran. Me intensifikimin e luftimeve në Kosovë, shtohet edhe numri i vrasjeve e masakrave, që forcat ushtarake dhe paraushtarake të Serbisë kryenin mbi popullatën civile shqiptare.

Më 1 tetor të vitit 1997, Lëvizja Studentore organizoi një protestë masive, e cila i dha një dimension të ri politik zhvillimeve në Kosovë. Më 5 mars të vitit 1998, forcat serbe sulmuan fshatin Prekaz i Ulët, ku vrasin Adem Jasharin, figurën që për shqiptarët nënkupton komandantin legjendar të UÇK-së.

Vrasjet dhe masakrat e shumta kulmojnë më 15 janar të vitit 1999, kur forcat serbe ekzekutojnë 45 civilë shqiptarë në Reçak. Ish-shefi i Misionit Mbikëqyrës të OSBE-së në Kosovë, Villiam Volker, doli botërisht dhe e tha se ajo ishte një masakër. Nga ky moment, Uashingtoni kërkoi nga NATO-ja dhe evropianët të përgatiten për organizimin e një konference paqësore për Kosovën. Dhe ajo ndodhi, në Rambuje, afër Parisit.

Për herë të parë, LDK dhe Rugova në njërën anë dhe UÇK-ja dhe udhëheqësit e saj në anën tjetër, u bashkuan  në një delegacion kosovar. Më 6 shkurt, filloi Konferenca e Rambujesë dhe ajo mbaroi më 23 shkurt, pa rezultate përfundimtare. Kështu që u thirr vazhdimi i saj për datën 15 mars në Paris.

Ndërkohë që delegacioni politik e ushtarak i Kosovës nënshkroi Marrëveshjen e Rambujesë, pala serbe refuzoi ta nënshkruajë. Me këtë veprim, u hap  rruga për ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në Kosovë. Nga 24 marsi deri më 10, 12 qershor të vitit 1999, filloi  historia e re e Kosovës. NATO bombardoi pikat nevralgjike ushtarake serbe deri në çlirimin e Kosovës. Por, gjatë kësaj kohe, popullata shqiptare përjetoi një prej etapave më të vështira, duke u përballur me një dhunë brutale të forcave serbe.

Sidoqoftë, më 10 qershor të vitit 1999, Millosheviçi nënshkroi kapitullimin dhe NATO u fut në Kosovë. Ndërkohë që Këshilli i Sigurimit, në bazë të një kompromisi ndërmjet Perëndimit e Rusisë, miratoi Rezolutën 1244, me të cilën u vendos Misioni administrues i Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Nga kjo periudhë, në Kosovë filloi të ndërtohet gjithçka nga fillimi. Nën administrimin ndërkombëtar, në Kosovë u mbajtën tri palë zgjedhje në të dyja nivelet. Pas zgjedhjeve të 17 nëntorit të vitit 2001, më 4 mars të vitit 2002, Kosova formoi qeverinë e parë dhe zgjodhi presidentin dhe kryeministrin.

Por, ndonëse shumëkush priti që pas një periudhe administrimi 3-vjeçare nga UNMIK, Kosova të pavarësohet, asaj iu deshën 9 vjet për të marrë mbështetjen e plotë ndërkombëtare duke përjashtuar Rusinë. Më 28 shtator të vitit 2005, me kërkesën e ndërkombëtarëve dhe me miratimin e presidentit Rugova, Kuvendi i Kosovës formoi Ekipin Negociator për statusin. Ishte presidenti Rugova, ai i cili në vazhdimësi kërkonte që Kosova të njihet si shtet i pavarur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet tjera evropiane, duke besuar se Kosova dhe Serbia nuk mund të gjejnë kurrë marrëveshje.

Pas një sëmundjeje të rëndë, presidenti Rugova ndërroi jetë më 21 janar të vitit 2006. Ndërsa pasardhësi i tij erdhi po nga LDK-ja, Fatmir Sejdiu. Negociatat Prishtinë-Beograd, nën ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare vazhdojnë, por ato nuk sjellin marrëveshje. I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara në bisedime, presidenti Martti Ahtisaari, propozoi një plan gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës, duke rekomanduar pavarësinë e mbikëqyrur për Kosovën, me prani civile e ushtarake ndërkombëtare. Prishtina e pranoi, ndërsa Beogradi e refuzoi këtë plan. Si konsensus ndërkombëtar, procesi negociues fitoi edhe katër muaj kohë për një zgjidhje kompromisi, nën ndërmjetësimin e treshes, SHBA-BE-Rusi. Por, as kësaj radhe nuk u arrit marrëveshja.

Kosova kërkoi pavarësi, kurse Serbia ofroi autonomi. Përpjekjet ndërkombëtare sollën rezultat as me zëvendësimin e Rezolutës 1244 për t’i hapur rrugën pavarësisë së Kosovës përmes Kombeve të Bashkuara, për shkak se Rusia kërcënoi me veto në Këshillin e Sigurimit. Por, pas një interpretimi nga ekspertët evropianë, doli se Rezoluta 1244 ka bazë juridike për shpalljen e pavarësisë, largimin e misionit të Kombeve të Bashkuara dhe vendosjen e një misioni civil të Bashkimit Evropian.

I gjithë procesi u dakordësua me Prishtinën dhe u miratua shpallja e koordinuar e pavarësisë ndërmjet Uashingtonit, Brukselit dhe Prishtinës, sipas planit Ahtisaari. Kështu, Bashkimi Evropian miratoi dërgimin e misionit civil në Kosovë për të mbikëqyrur zbatimin e pakos së Ahtisaarit dhe për të siguruar sundimin e ligjit në shtetin më të ri të familjes evropiane./a2cnn

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita në Gjermani shpalos koleksionin e produkteve të reja në panairin Heimtextil në Frankfurt
-Advertisement-

Të tjera