Lajme

“Problem global”, s’ka pasaporta ende, Ministria e Xhelal Sveçlës “e mbyllur”

Autori: Gazeta inFokus 17:03 | 09 February 2023

Nga fundi i shtatorit të vitit të kaluar, Kosova është duke u përballur me mungesë të materialit për prodhimin e dokumenteve personale. Si rrjedhojë, me mijëra kosovarë kanë mbetur pa u pajisur me pasaporta. Ndonëse si afat për zgjidhjen e këtij problemi ishte dhënë janari e shkurti, pritjet po vazhdojnë ende. Nga Ministria e Punëve të Brendshme po vazhdojnë të heshtin për këtë çështje.

Me mijëra kosovarë janë në pritje për t’u furnizuar me pasaporta. Aplikimet për këtë dokument i kanë dorëzuar që nga shtatori, por ende s’janë pajisur me to, ndonëse është thënë që materiali ka arritur në fund të janarit.

Për më keq, s’dihet as se kur do të pajisen. Nga Ministria e Punëve të Brendshme po vazhdojnë të heshtin për këtë problem. Gazeta Express ka dërguar disa herë pyetje në adresë të kësaj ministrie për të marrë vesh se kur do të gjendet zgjidhja, por asnjëherë s’ka marrë përgjigje.

-Advertisement-

Nga partia në pushtet, thonë se ky është problem global, ani pse s’ka pasur ndonjë raportim se ndonjë shtet tjetër po përballet me problemin e njëjtë.

“Ka telashe, por është problem kogja global. Po, po edhe në Evropë kish të tillë problem, fatkeqësisht”, ka thënë mbrëmë deputeti i Vetëvendosjes, Arbër Rexhaj.

Me këtë deklaratë të Rexhajt janë tallur nëpër rrjete sociale, që nga mbrëmë.

Kërkesa që Sveçla i bëri Gjermanisë

Në mungesë të materialit për pasaporta, Ministri Xhelal Sveçla i ishte drejtuar Ministrisë së Punëve të Brendshme të Gjermanisë, me një kërkesë. Ai kishte kërkuar që të lejohet qarkullimi i shtetasve kosovarë (që kanë leje qëndrimi) me pasaporta të skaduara.

Nga MPB s’janë përgjigjur kur janë pyetur nëse Sveçlës i është kthyer përgjigja për këtë kërkesë.

Lidhur me kërkesën e Sveçlës, para gati një muaji folur nga ministria e Punëve të Brendshme të Gjermanisë.

MPB’ja gjermane ka thënë se Gjermania i njeh pasaportat që kanë vlefshmëri deri në dhjetë vite në linjë me udhëzimet globale të “ICAO-s”, por se po e shqyrtojnë edhe kërkesën e Kosovës.

“Ministria Federale e Punëve të Brendshme dhe Komuniteteve ka pranuar kërkesën nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës. Gjermania njeh pasaportat me vlefshmëri deri në dhjetë vjet në përputhje me udhëzimet globale të ICAO. Megjithatë, kërkesa nga Kosova është ende në shqyrtim”, kishin thënë nga Ministria e Punëve të Brendshme të Gjermanisë për Gazetën Express.

Tenderi 4 milionësh për furnizim me dokumente personale

Një kontratë për furnizim me dokumente personale është nënshkruar më 27 dhjetor të vitit 2022.

Kontrata e nënshkruar ka vlerë 4 milionë e 21 mijë e 180 euro dhe i është dhënë kompanisë gjermane “Veridos GmbH”.

Kohëzgjatja e kësaj kontrate është për 12 muaj dhe parasheh furnizimin me dokumente blanko, si pasaporta, letërnjoftime dhe patent shoferë.

Saktësisht, parashihet furnizimi me 290 mijë pasaporta të zakonshme, 270 mijë e 208 letërnjoftime elektronike TIP A, 7 mijë leje qëndrim TIP C, 125 mijë patent shoferë dhe mirëmbajtja e sistemeve për 12 muaj.

“…në janar”

Herën e fundit kur Ministri Sveçla ka folur për këtë problem, është muaji nëntor i vitit 2022, në një seancë të Kuvendit të Kosovës.

Edhe aty ishte deklaruar tek pas interesimit të deputetëve të opozitës.

Sipas asaj që kishte thënë Sveçla, pajisja me pasaporta do të mund të bëhej tek në janarin e vitit 2023.

“Ministria e Punëve të Brendshme është në pritje për furnizim me dokumente personale, ku fillimisht në fund të këtij muaji do të furnizohemi me patentë shofer e letërnjoftime dhe pas dy muajve me pasaporta, gjithsej 73 mijë cope”, kishte thënë Sveçla, më 17 nëntor.

Ministri kishte treguar edhe rastet kur dikush mund të pajiset me pasaportë, pa pasur nevojë të presë.

“Çfarë ka bërë Agjencia e Regjistrimit Civil, është që duke pasur parasysh numrin e limituar të dokumenteve që i kemi në dispozicion, kanë prioritizuar lëshimin e dokumenteve për kategori me urgjencë, që do të tjhotë rastet e sëmundjeve, rastet e bashkimeve familjare, rastet e aktiviteteve sportive, diplomacia e këto kategori kanë prioritet, kurse për qytetarët e tjerë më vjen keq, por duhet t’ju përshtatemi rrethanave në të cilat po jetojmë dhe unë jam duke punuar jashtëzakonisht shumë edhe me kompaninë qe ajo sa më parë të sigurojë, të furnizojë vetveten me landën e parë dhe pastaj me dokumentacionin e nevojshëm për ta sjellë në Kosovë”.

Sveçla kishte thënë se mund ta bëjë publike edhe listën e personave që janë pajisur me pasaporta dhe arsyet.

“Ka një listë të profesioneve dhe arsyeve prioritare për t’u furnizuar me pasaporta dhe është duke e menaxhuar Agjencia për Regjistrimin Civil. Nuk kam kurrfarë telashe me ba publike kushdo që merr pasaportë dhe arsyen pse. Ekziton një numër i limituar që marrin pasaportë për të udhëtuar, këto janë urgjencat , Ekziston kontrata e cila është ende valide dhe me kohë janë bërë porositë”, kishte deklaruar Sveçla.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Caffe pjesëmarrës në panairin “Gulfood Fair 2024” në Dubai

Të tjera