Opinione

Proamarikanët që kthejnë mbrapsht Amerikën

Autori: Gazeta inFokus 08:51 | 27 July 2017
Shkruan: Blerim Shala 
Tash e dy vjet, politika kosovare ka kthyer mbrapsht porositë kryesore të Amerikës për ne. Ndërsa ne ende bëjmë be në miqësinë e përjetshme me SHBA-në.

Nuk do të thuhet gjë e re për ne, për politikën kosovare, nëse këtu menjëherë konstatohet që më shumë janë të interesuar për krijimin e institucioneve qendrore të Kosovës, Kuvendit dhe Qeverisë, diplomatët kryesorë perëndimorë që shërbejnë në Prishtinë, në radhë të parë ata amerikanë, se sa politikanët kryesorë shqiptarë. E këta të gjithë, pa përjashtim, bëjnë be dhe zotohen për çdo ditë të lume që janë të dhënë pas stabilitetit institucional të Kosovës, dhe pas miqësisë së përjetshme me SHBA-në, siç kanë dëshirë ta potencojnë gjithmonë.

Diplomatët e Quint-it kanë folur qartë se çka presin prej politikanëve shqiptarë që prej se janë certifikuar rezultatet e zgjedhjeve të 11 qershorit.

Në radhë të parë, ata kanë ftuar liderët dhe partitë/ koalicionet, që në një afat sa më të shkurtër kohor, ta krijojnë shumicën parlamentare në Kuvendin e Kosovës, pa të cilën nuk mund të bëhet Qeveria e re e Kosovës. Megjithëse shumica prej Ambasadorëve të pesëshes së madhe perëndimore, nuk kanë qenë këndejpari para tre viteve, që të gjithë këta kanë njohuri të bollshme për të konkluduar për pasojat që do të kishte Kosova, nëse edhe kësaj here do të ketë ngërç politik disamujor. Në realitet, tani rrethanat në vend dhe në Evropë, janë më të këqija se sa në verën e vitit 2014, prandaj, përsëritja, qoftë edhe e pjesshme (në aspektin kohor), e paralizës së verës së tri viteve më parë, do të kishte pasoja edhe më të këqija për Kosovën, para se të gjithash, për qytetarët e saj.

-Advertisement-

Porosia e dytë kryesore e diplomatëve perëndimorë lidhej me Agjendën e punëve të cilat e presin Qeverinë e re të Kosovës, pa marrë parasyshë kush do të jetë në ballë të saj. Natyrisht, kryetema këtu është Marrëveshja për shenjimin e kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, pa Ratifikimin e të cilës nuk mund të udhëtojmë pa viza në Evropë. Në fakt, të gjithë ne i dimë cilat janë temat të cilat janë mbuluar me pluhur tash e sa kohë në politikën institucionale të vendit. Nuk është aspak vështirë që për pak minuta të numërohen të gjitha çështjet të cilave ju ka skaduar afati i zgjidhjes, dhe të cilat duhet urgjentisht të trajtohen nga Kryeministri i ri i Kosovës.

Ka dy vjet të plota që prej se skena politike kosovare ka qenë e paralizuar në marrjen e vendimeve të mëdha për vendin. Rëniet dhe ngritjet në temën e dialogut në Bruksel, nuk janë varë vetëm prej nesh, gjegjësisht, dihet çfarë ka ndodhë në këtë çështje që nga vjeshta e vitit 2015-të, kur përplasjet në mes të Prishtinës dhe Beogradit arritën kulminacionin në përpjekjen për tu anëtarësuar në UNESCO. Në janarin e këtij viti patëm një tjetër pikë të lartë të telasheve në lëmin e sigurisë në Veri. Megjithatë, në temën e Marrëveshjes kufitare në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, e gjithë përgjegjësia është e jona dhe e askujt tjetër. Arritëm, me një ‘shkathtësi’ të paparë për vite me radhë ndër ne, ta bëjmë lëmsh të madh këtë punë, tëfillimin e të të cilit nuk besojmë që e di kush në këtë politikën kosovare, ndërsa i gjithë çmimi në këtë rast paguhet vetëm prej qytetarëve të Kosovës. Kështu është bërë pra ndarja e ‘hises’ në këtë rast: I gjithë faji është i politikanëve, ndërsa vetëm qytetarët pësojnë.

Për më shumë, brenda një harku kohor prej vetëm tetë muajsh, prej dhjetorit të vitit 2015 deri në gushtin e vitit 2016, Kosovën e kanë vizituar katër zyrtarë të lartë amerikanë, prej Zëvëndës-Presidentit Joseph Biden, Sekretarit të Shtetit John Kerry, Victoria Nuland dhe Hoyt Yee, që ishin përgjegjës për politikën e State Departmentit në Evropë dhe në Ballkan. Që të gjithë ata e kanë pasë një porosi të vetme për politikën kosovare: Kuvendi i Kosovës duhet ta adresojë dhe ta mbyllë temën e Marrëveshjes kufitare me Malin e Zi, sepse ky është një interes i Kosovës, i Malit të Zi dhe rajonit, në instancë të fundit, edhe i SHBA-së.

Si asnjëherë më parë pra, ndodhi që politikanët e Kosovës kthyen mbrapshtë Amerikën në trajtimin e kësaj çështjeje. Ky qëndrim në fakt është në fuqi edhe sot e kësaj dite. Kush nuk di këndejpari se si do të zgjidhet ky problem.

Sidoqoftë, ne kemi miqësinë e përjetshme me SHBA-në. Apo jo.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera