Lajme

Preteni: Serbët nuk fituan asgjë nga barrikadat, fitoi Kosova

Autori: Gazeta inFokus 07:30 | 30 December 2022

Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili ka vepruar në zonën operative të Shalës dhe njëherësh ka pasur edhe funksione në institucione të Republikës së Kosovës, Hasan Preteni, vlerëson se nga vendosja e barrikadave të fundit në veri të vendit humbësi më i madh është komuniteti serb i asaj pjese.

Në Klan Kosova ai shtoi nga të gjitha raportimet del se serbët e veriut ishin të manipuluar nga politika serbe.

“Humbësi më i madh është komuniteti serb i asaj pjese. Çka fituan me barrikada? Çka patën para barrikadave, e çka tani? Barrikadat a ishin pengesë më shumë për ata, apo për komunitetin tjetër? Ishin pengesë për institucionet e Kosovës në qarkullim rrugor, por duke e pasur parasysh teknikën që e kane edhe me EULEX-in dhe KFOR-in, gjetën rrugë alternative. Pra ishte pengesë për vetë komunitetin serb”.

-Advertisement-

Preteni shtoi se serbët nuk fituan absolutisht asgjë dhe se duhet të mësojnë nga kjo që fatin e tyre ta lidhin me Kosovën dhe institucionet e saj.

“Ku janë serbët sot? Ku janë serbët që punuan nëpër prokurori, nëpër gjykata, polici, pushtet lokal, etj., të gjithë ata kanë mbetur jashtë institucioneve”.

“Cili është qëllimi, objektivi i tyre që ta bëjnë këtë çështjen e barrikadave dhe çka përfituan? Absolutisht nuk fituan asgjë! Përkundrazi i humbën të gjitha dhe duhet të mësojnë nga kjo që Kosova është shtet, e ka territorin e vet, i ka institucionet e veta dhe se në qoftë se duan të jetojnë në Kosovë, fatin e tyre duhet ta lidhin me Kosovën e institucionet e saj, sepse të gjitha këto del se i bëri Vuçiqi për konsum të brendshëm politik”.

“Fitoi Kosova, humbën këta të cilët u manipuluan nga politika serbe”, deklaroi Preteni.

Ai po ashtu u shpreh se është mirë që e gjitha kjo kaloi pa viktima dhe nuk u cenua pra tërësia territoriale e Kosovës, që nuk pati ndërhyrje të institucioneve ashtu si u paralajmëruan të ushtrisë serbe në territor – pra u vlerësua që Kosova territorin e ka të pa cenueshëm, që policia veproi atje, që kishte një koordinim të mirë mes policisë, EULEX-it dhe KFOR-it, dhe më pas që nuk iu dolën ato kalkulimet politike e kërcënimet që i pati Serbia.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Intervistë: Dr. Gorazd Konjanovski – Klinika Zhan Mitrev ka luajtur një rol kyç në vendosjen e themeleve në kardiokirurgji dhe…

Të tjera