Lajme

Policia njofton për dokumente false që po qarkullojnë në emër të saj, nis hetimet

Autori: Gazeta inFokus 12:24 | 22 August 2024

Policia e Kosovës ka njoftuar se po qarkullojnë disa emaile kinse i përkasin Policisë, me dokumente dhe informacione të falsifikuara.

Këto dokumente po qarkullojnë të emërtuara si “Kujdes, urdhëri zyrtar gjykatare”.

“Policia e Kosovës (PK), përmes kësaj komunikate zyrtare, njofton opinionin publik lidhur me qarkullimin dhe shpërndarjen nëpër e-mail-e të ndryshme, të disa informacioneve/dokumenteve false, që kinse i përkasin Policisë së Kosovës dhe kinse janë lëshuar nga zyrtarë të lartë brenda Policisë së Kosovës dhe njëherit sqaron se: Këto informacione të dërguara nga kinse zyrtarë të lartë të PK-së, të emërtuar si “KUJDES: URDHËRI ZYRTARE GJYKATARE”, kinse të lëshuara nga “Byroja Qendrore e Hetimit, Qendra Kompjuterike e Krimit Kibernetik, Departamenti i Kërkimit dhe Analizës dhe Drejtoria e Policisë, Republika e Kosovës”, e që kinse janë lëshuar me qëllim të njoftimit të palës së caktuar për urdhër gjykate, nuk janë dokumente zyrtare të Policisë së Kosovës, e aq më pak të lëshuara nga zyrtarë të lartë brenda PK-së, por janë e-mail-e/dokumente të falsifikuara për përdorim me qëllime të caktuara.”

-Advertisement-

Policia ka njoftuar se kanë nisur hetimet për këto dokumente.

“Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, pas sigurimit të informacioneve rreth qarkullimit të e-mail-eve/dokumenteve të tilla, ka filluar hetimet intensive, duke angazhuar njësitet kompetente policore, me qëllim të hetimit, verifikimit dhe zbulimit të kryerësve të kësaj vepre penale.”

PK ka ftuar të gjithë qytetarët të mos bien pre e mashtrimeve të tilla dhe në rast se pranojnë ndonjë email të tillë ta njoftojnë policinë.

“Policia e Kosovës njofton dhe njëherit fton qytetarët që të mos bien pre e dezinformacioneve/ mashtrimeve të tilla dhe kushdo që mund të pranojë ndonjë e-mail/dokument të tillë, ta adresojë në adresën zyrtare të PK-së [email protected] për trajtim dhe kompetencë të mëtejme.”

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
-Advertisement-

Të tjera