Fokus

Për katër orë Dejona Mihali merret në pyetje nga Prokuroria Speciale për mesazhet me Nagip Krasniqin

Autori: Gazeta inFokus 17:12 | 20 September 2024

Disa komunikime përmes mesazheve telefonike me ish-drejtorin e KEK-ut, Nagip Krasniqi, janë bërë arsye që Dejona Mihali, Koordinatorja e Komiteteve në Lëvizjes Vetëvendosje, të ftohet për intervistim nga Prokuroria Speciale.

Mihali është marrë në pyetje për rreth katër orë nga Prokuroria, e cila ka kërkuar më shumë detaje rreth këtyre komunikimeve.

Këtë ia kanë konfirmuar disa burime Gazetës Infokus, të cilat kanë theksuar se Mihali është pyetur edhe në lidhje me një rast të kryeshefit të Ibër Lepencit, Faruk Mujka, i cili dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

-Advertisement-

Megjithatë, mesazhet me ish-kryeshefin e KEK-ut, Nagip Krasniqi, mbeten tema kryesore për të cilën u morr në pyetje Mihali.

E gjykimi ndaj Nagip Krasniqit nisi të enjten.

Ai po akuzohet se sa ishte kryeshef, me vendimet e tij e dëmtoi Korporatën Energjetike të Kosovës, me mbi 3.2 milionë euro, si dhe pë rmbi 500 mijë euro shmangie nga tatimi.

Sipas aktakuzës, Krasniqi në cilësinë e kryeshefit të KEK-ut, ia kishte mundësuar operatorit ekonomik “Holding Slovenske Elektrane” nga Sllovenia, tregtimin e energjisë elektrike në Kosovë në kundërshtim me ligjet në fuqi. Në aktakuzë theksohet se Krasniqi e bëri këtë veprim, përkundër që ishte në dijeni se nuk mund të tregtohej energji elektrike me këtë operator derisa ai nuk licencohej apo nuk i njihej licenca nga Zyra e Rregullatorit për Energji. /Gazeta Infokus

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shkolla Finlandeze lanson programin IMPACT: Tani edhe në gjuhën shqipe, me çmim të përballueshëm
-Advertisement-

Të tjera