Pas fitores së “Listës së Studentëve”, dyshohet se po shkatërrohen dokumente të institucioneve paralele edhe në Kosovë
Autori: Gazeta inFokus
21:35 | 30 October 2026
Kush është kompetent që të reagojë nëse shkatërrohet dokumentacioni në institucionet e Serbisë në Kosovë dhe kush mund ta parandalojë largimin e mundshëm të dëshmive për keqpërdorime?, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Kjo çështje u ngrit pasi një grup studentësh nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut, të cilët mbështesin studentët që protestonin në Serbi, shprehën dyshime se në disa institucione të Serbisë në Kosovë po shkatërrohen dokumente zyrtare.
Sistemi gjyqësor serb nuk ka kompetenca në Kosovë që nga viti 2017, kur në bazë të një marrëveshjeje në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, u integrua në sistemin e Kosovës.
Ditëve të fundit, në Serbi kanë qarkulluar informacione se në institucionet shtetërore të Serbisë po shkatërrohet dokumentacioni. Për këtë arsye, prokurorja e lartë publike e Serbisë, Zagorka Dollovac, më 29 tetor udhëzoi të gjitha prokuroritë e larta që t’i drejtohen urgjentisht policisë me kërkesa për ndërmarrjen e masave për parandalimin e shkatërrimit të dokumenteve zyrtare dhe dosjeve të tjera.
Siç thuhet në udhëzim, informacionet e bëra publike kanë të bëjnë me shkatërrimin e dokumenteve në institucionet shtetërore, banka, Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit, Agjencinë e Inteligjencës Ushtarake dhe institucione të tjera me rëndësi për sigurinë ekonomike, financiare dhe juridike të Serbisë.
Radio Evropa e Lirë iu drejtua zyrës së prokurores së lartë publike në Serbi me pyetjen se si do t’i verifikojë dyshimet për shkatërrimin e dokumentacionit në institucionet serbe në Kosovë dhe në ato që janë zhvendosur në qytetet kufitare të Serbisë pasi u mbyllën nga autoritetet kosovare.
Deri në publikimin e këtij artikulli, nga ky institucion nuk kanë kthyer përgjigje.
Aktualisht, në Kosovë funksionojnë kryesisht institucionet arsimore dhe shëndetësore që punojnë sipas sistemit serb.
Për çfarë keqpërdorimesh bëhet fjalë?
Një grup studentësh nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut, i cili funksionon sipas sistemit të Serbisë, njoftoi se kishte marrë informacione se dokumentacioni po shkatërrohet në Qendrën Klinike Spitalore në Mitrovicën e Veriut, si dhe në organet e përkohshme komunale.
Qendra Klinike Spitalore funksionon sipas sistemit të Serbisë, ashtu si edhe organet e përkohshme komunale. Megjithatë, autoritetet kosovare i kanë mbyllur ato gjatë dy vjetëve të fundit, së bashku me institucione të tjera që financoheshin nga buxheti i Serbisë, me arsyetimin se janë paralele dhe ilegale.
Disa nga institucionet e mbyllura në Kosovë, që më pas u zhvendosën në Serbi, janë Banka Postare e Kursimeve, Posta e Serbisë, Fondi për Sigurimin Pensional dhe Invalidor, Thesari i Bankës Popullore të Serbisë dhe qendrat për punë sociale.
Më 28 tetor, grupi i studentëve nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut shprehu dyshime se në organet e përkohshme komunale serbe po zhvillohen aktivitete që, siç pretendohet, synojnë shkatërrimin dhe largimin e dokumentacionit zyrtar, si dhe shkatërrimin e mëvonshëm të dokumenteve dhe keqpërdorime të mundshme lidhur me pagesat e pagave të mjekëve.
Qendra Klinike Spitalore në Mitrovicën e Veriut i mohoi këto akuza, duke i cilësuar si të pavërteta dhe të pabazuara.
Përmes një komunikate kjo qendër tha se askush nuk po shkatërron, largon apo fsheh dokumentacionin zyrtar, pasi, siç u theksua në njoftim, nuk ekziston asnjë arsye për një veprim të tillë.
Gjithashtu, u vlerësua se sulme të tilla mund ta rrezikojnë punën e, siç u tha, njërit prej institucioneve më të rëndësishme për pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë.
Radio Evropa e Lirë iu drejtua edhe Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë me kërkesën për t’iu përgjigjur akuzave për shkatërrimin e dokumentacionit zyrtar, por nuk mori përgjigje.
Kush mund ta parandalojë shkatërrimin e dokumentacionit në Kosovë?
Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd, me profesion jurist, i tha Radio Evropa e Lirë se prokuroritë në Kosovë kanë mandat të reagojnë dhe të verifikojnë dyshimet se në institucionet serbe që funksionojnë sipas sistemit të Serbisë po shkatërrohen dokumente zyrtare, pasi ato funksionojnë ose kanë funksionuar, siç thotë ai, me tolerimin e autoriteteve kosovare.
“Bëhet fjalë edhe për qarkullimin e pagesave. Jam i sigurt se edhe Kosova ka kompetenca. Sa u përket gjurmëve të qarkullimit të parave, ato nuk mund të shkatërrohen. Tani po flas për paratë. Por, dokumentet që lidhen me paratë që kanë kaluar nga një dorë në tjetrën mund të shkatërrohen”, vlerëson Janjiq.
Janjiq rikujton se nga buxheti i Serbisë janë ndarë shumë para për Kosovën dhe se për një periudhë të gjatë kohore kanë ekzistuar dyshime për keqpërdorimin e tyre.
“Nuk habitem që po shkatërrohet dokumentacioni. Kjo ishte e pritshme, sepse aty janë bërë shumë gjëra në kundërshtim me ligjin. Këtu ka punë për së paku tri lloje prokurorish”, thotë Janjiq.
Sipas Ministrisë së Financave të Serbisë, për Zyrën për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, në vitin 2025 ishin paraparë 17.2 miliardë dinarë, ose rreth 147 milionë euro.
Edhe dy miliardë dinarë të tjera ishin paraparë përmes Shërbimit Kombëtar të Punësimit për ndihmë ndaj të papunëve nga Kosova. Këto para kryesisht shpërndaheshin përmes organeve të përkohshme komunale në Kosovë.
Cilat dokumente mund të shkatërrohen?
Dushan Janjiq konsideron se drejtuesit e institucioneve serbe në Kosovë mund të shkatërrojnë, para së gjithash, ato dokumente që në njëfarë mënyre i lidhin me ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq.
Radoiçiq mori përgjegjësinë për sulmin në Banjskë në shtator të vitit 2023, teksa Kosova ka lëshuar një fletarrestim për të, pasi ai nuk është i qasshëm për organet e drejtësisë.
Ai thotë se kjo është arsyeja pse Prokuroria Speciale në Kosovë duhet të reagojë, pasi ky institucion po zhvillon procedurat sa i përket rastit të Banjskës.
Institucionet e Serbisë kryesisht drejtohen nga përfaqësues të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila deri më tani ka vepruar me mbështetjen e Partisë Përparimtare Serbe dhe ish-presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Nga kjo parti të premten thanë se i “pranojmë” rezultatet e zgjedhjeve parlamentare në Serbi, të cilat i fitoi Lista Studentore, dhe se mbeten të përkushtuar ndaj lidhjeve institucionale me Beogradin.
REL-i nuk arriti të merrte koment nga Lista e Studentëve deri në publikimin e këtij artikulli lidhur me dyshimet se dokumentacioni po shkatërrohet edhe në institucionet në Kosovë.
Përfaqësuesit e kësaj lëvizjeje politike, e cila u krijua nga protestat studentore kundër korrupsionit në Serbi, më 29 tetor u kërkuan punonjësve në institucione të ndryshme që të raportojnë rastet e shkatërrimit të dokumentacionit gjatë periudhës së tranzicionit, deri në formimin e institucioneve të reja.
Rodollub Shabiq, jurist dhe ish-komisionar për Informimin me Rëndësi Publike dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale në Serbi, theksoi se në vitin 2026 është e vështirë të shkatërrohet dokumentacioni zyrtar që ruhet në formë elektronike.
Megjithatë, ai u shpreh se Serbia gjatë dhjetë vjetëve të fundit ka qenë një vend jotransparent, ose më saktë, sipas tij, ka pasur një qeveri jotransparente, për shkak të së cilës nuk dihet se si janë ruajtur apo paketuar dokumentet e rëndësishme zyrtare.

T� tjera
-
Protesta e së shtunës në Tiranë, Ambasada e SHBA thirrje qytetarëve të saj: Shmangni zonat pranë institucioneve qeveritare
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë u ka bërë thirrje qyte...
-
Pasiguria gjeopolitike dhe tensionet tregtare, Kanadaja dhe BE-ja krijojnë aleancë të re
Kanadaja dhe Bashkimi Evropian kanë njoftuar krijimin e një aleance të re të ...
-
KFOR-i dhe ambasadori italian diskutojnë koordinimin dhe sigurinë në Kosovë
Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Roberto Vergori, është takuar me ambasado...
-
Dokument| Rina Dragidella, mbesa e Xhelal Sveçlës emërohet kundërligjshëm diplomate në Washington
Rina Dragidella, mbesa e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ësh...
-
Inspektorati Mjedisor ndërhyn në lagjen “Kodrina” në Prishtinë, urdhërohet pastrimi i mbeturinave ilegale
Inspektorati Mjedisor ka ndërmarrë veprime në lagjen “Kodrina” në Prishtinë, ...
-
AUV tërheq nga tregu mishin e ngrirë të pulës nga Brazili, konstaton bakterin Salmonella
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka ndaluar përkohësisht shitjen dhe ka u...
-
SHBA-ja konfirmon mbështetjen për misionin e KFOR-it në Kosovë
E Ngarkuara me Punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, ka p...
-
Ambasada e SHBA-së deklarohet për zgjedhjet në Serbi që përmbysën Vuçiqin: I gëzohemi tranzicionit të rregullt të pushtetit
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë uruar Listën Studentore dhe qytetarët e ...
-
Pamje nga protesta që u mbajt sot për Arlinda Zekajn në Pejë, protestuesit ngjyrosën me të kuqe këpucët e policëve
Sot protesta kundër vrasjes së grave, pas rastit të rëndë të Arlinda Zekajt, ...
-
Rama: Studentët po kërcënohen, kam mesazhe të prindërve që luten për ndihmë
Kryeministri Edi Rama, në tryezën e Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbr...
-
Musliu: Dorëheqja nuk është më çështje zgjedhjeje, por përgjegjësi e pashmangshme
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka reaguar...
-
Publikohet letra që Gazmend Hoxha i dërgoi Kurtit, bashkë me dorëheqjen e tij
Policia e Kosovës ka publikuar letrën që ish-drejtori i përgjithshëm Gazmend ...



































