Lajme

Parlamenti Europian përshëndet aplikimin e Kosovës për antarësim në BE

Autori: Gazeta inFokus 14:22 | 31 January 2023

Parlamenti Evropian publikoi një draft raport për Kosovën në të cilin, ndër të tjera, mirëpret aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe marrëveshjen për liberalizimin e vizave për qytetarët e saj dhe u bën thirrje vendeve të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur për ta bërë këtë.

Raporti thekson rëndësinë e negociatave ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës për integrimin e mëtejshëm evropian të Serbisë dhe Kosovës dhe u bën thirrje të dyja palëve që të angazhohen në atë dialog, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve, bazuar në njohjen e ndërsjellë dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Raporti bën thirrje për zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të mëparshme, duke përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

-Advertisement-

Në raportin e nënshkruar nga raportuesja për Kosovën, Viola von Kramon, deputete e të Gjelbërve në Parlamentin Evropian, u vlerësua përafrimi i Kosovës me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, dhe në veçanti dënimi i ashpër i sulmit rus ndaj Ukrainës dhe vendosja e sanksioneve kundër Rusisë dhe Bjellorusisë.

Është shprehur edhe përkrahja për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe NATO.

Draft raporti për Kosovën fillimisht do të prezantohet në Komisionin për Punë të Jashtme, pas së cilës do të kalojë një afat dyjavor për amendamentet e mundshme. Pas marrëveshjes për tekstin e amendamentit brenda grupeve parlamentare, teksti i dakorduar i Raportit do të jetë sërish para komisionit kompetent, në mënyrë që pas kësaj, në formë rezolute, t’i dërgohet Parlamentit Evropian për votim.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Nis bashkëpunimi serioz dhe strategjik midis Comodita dhe JYSK International

Të tjera