Lajme

“Paqja është lënduar, nuk harrojmë” – ‘Selmans Network’ nis fushatën pas vendimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Autori: Gazeta inFokus 12:02 | 19 September 2026

Mesazhet “Paqja është lënduar” dhe “Nuk harrojmë” kanë nisur të shfaqen në stacione të autobusëve dhe në hapësira të ndryshme reklamuese, si pjesë e një fushate të kompanisë “Selmans Network” pas vendimit të fundit ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së në Hagë, shkruan Gazeta Infokus.

Kompania ka bërë të ditur se, për herë të parë, ka vendosur të mbajë publikisht një qëndrim për një çështje që nuk lidhet drejtpërdrejt me aktivitetin e saj të biznesit.

Përmes fushatës “It’s not business as usual”, Selmans Network ka nisur t’i përdorë hapësirat dhe kanalet e veta të komunikimit për të përcjellë dy mesazhet kryesore: “Paqja është lënduar” dhe “Nuk harrojmë”.

-Advertisement-

Këto mesazhe tashmë kanë filluar të shfaqen edhe në stacione të autobusëve dhe në banerë, duke e bërë qëndrimin e kompanisë të dukshëm edhe në hapësirat publike.

“E bëjmë këtë sepse besojmë se ka momente kur heshtja nuk mund të arsyetohet me faktin se ‘ne merremi me biznes’. Për ne, ky është një prej atyre momenteve”, thuhet në reagimin e Selmans Network.

Kompania e ka cilësuar vendimin ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së si “thellësisht të padrejtë dhe absurd”, duke theksuar se, sipas qëndrimit të saj, çështja shkon përtej fatit individual të katër personave.

“Në perceptimin tonë, me të është vënë në diskutim një pjesë thelbësore e historisë sonë, sakrifica mbi të cilën u ndërtua liria, themelet e shtetësisë sonë dhe vetë mënyra se si një popull e kujton rrugën e tij drejt lirisë”, thuhet në reagim.

Në kuadër të fushatës, kompania ka theksuar se paqja nuk nënkupton vetëm mungesën e luftës, por kërkon edhe drejtësi dhe besim.

“Paqja nuk është vetëm mungesa e luftës. Ajo kërkon drejtësi, besim dhe bindjen se sakrifica për liri nuk mund të shndërrohet, dekada më vonë, në një histori që një popull nuk e njeh si të vetën”, thuhet tutje.

“Selmans Network” u është drejtuar edhe bizneseve të tjera, duke i ftuar që, sipas bindjeve të tyre, të përdorin zërin dhe kanalet e komunikimit për të shprehur publikisht qëndrimet e tyre.

“Sepse bizneset nuk ekzistojnë jashtë shoqërisë. Ne punojmë këtu, investojmë këtu, krijojmë vende pune këtu dhe të ardhmen tonë e ndërtojmë këtu”, ka deklaruar kompania./Gazeta Infokus/

Më poshtë gjeni pamje:

Udhëto Oslo – Prishtinë çdo javë me PrishtinaTickets
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy