Lajme

“Nuk mund të sillemi sikur s’ka ndodhur asgjë”, Musliu dhe Demaku lëshojnë mbledhjen e Komisionit kërkojnë Ligjin për Specialen

Autori: Gazeta inFokus 11:46 | 02 October 2026

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu dhe Fadil Demaku, kanë lëshuar mbledhjen e Komisionit për Administratë Publike, Digjitalizim, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, duke kërkuar që Kuvendi të fokusohet në trajtimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Musliu tha se kishte marrë pjesë në mbledhje vetëm për të konfirmuar konstituimin e Komisionit, por se, sipas saj, në rrethanat aktuale Kuvendi nuk duhet të vazhdojë me punën rutinore.

“Nuk mund të sillemi normal e të mbajmë rend të ditës e procesverbalet të zakonshme, e të sillemi sikur gjithçka po funksionon normal, kur në fakt gjendja në Kosovë nuk është normale”, deklaroi Musliu.

-Advertisement-

Ajo iu referua protestave që po zhvillohen në Kosovë dhe në mërgatë, duke thënë se kërkesa e qytetarëve duhet të trajtohet nga deputetët.

“Kërkojnë që ky Kuvend mos të ketë asnjë prioritet tjetër para shqyrtimit ose plotësim-ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara”, tha ajo.

Musliu përdori tone të ashpra edhe ndaj aktgjykimit të Dhomave të Specializuara, duke e cilësuar atë si vendim politik.

“Në Hagë nuk janë gjykuar individët, në Hagë nuk janë gjykuar emrat e përveçëm, është gjykuar historia jonë”, deklaroi Musliu, duke shtuar se nuk do ta votojë rendin e ditës dhe nuk do të vazhdojë pjesëmarrjen në mbledhje.

Qëndrim të ngjashëm shprehu edhe deputeti Fadil Demaku. Ai tha se trajtimi i projektligjit për Dhomat e Specializuara duhet të jetë prioriteti kryesor i Kuvendit.

“Ky është prioriteti numër një. Çështjet e tjera, asnjëra nuk është me nguti dhe të gjitha mund të presin”, tha Demaku.

Sipas tij, deputetët duhet të arrijnë sa më shpejt një qëndrim të përbashkët dhe ta përqendrojnë angazhimin e tyre në këtë çështje.

Kryesuesi i Komisionit, Albert Kinolli, tha se po ushtron detyrën e tij si kryetar dhe se situata aktuale është shqetësuese për qytetarët. Ai shtoi se, bazuar në informacionet që tha se kanë nga kryeministri, pret që amendamentimi i projektligjit për Dhomat e Specializuara të procedohet së shpejti në Kuvend.

“Urojmë dhe shpresojmë që shumë shpejt amendamentimi i projektligjit për Gjykatën Speciale do të vijë në Kuvend”, deklaroi Kinolli./Gazeta Infokus 

Udhëto Oslo – Prishtinë çdo javë me PrishtinaTickets
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy