Lajme

Ngritet aktakuzë ndaj katër profesorëve të Universitetit të Mitrovicës për keqpërdorim të pozitës zyrtare

Autori: Gazeta inFokus 22:23 | 18 January 2023

Katër nga profesorët e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, njëherit anëtarë të Këshillit Drejtues po përballen me aktakuzën e ngitur kundër tyre me datë 22 dhjetor 2022.

Në bazë te aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Themelore në Gjilan, të cilën e posedon “Mitropol” në format të plotë,  të padehurit Ylber Januzaj, Valdet Gjinovci, Fatbardha Hoxha dhe Halil Bajrami akuzohen për pengim të udhëheqësit të Këshillit Drejtues, Prof. Salem Lepaja në kryerjen e detyrave të tij.

“Të pandehurit duke vepruar në mënyrë të kundërligjshëm kanë penguar udhëheqësin e Këshillit Drejtues të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, Prof. Dr. Salem Lepaja, kryesues, të marr vendime lidhur me menaxhimin e rrjedhshëm të punës, në atë mënyrë që duke i sabotuar mbledhjet dhe duke i penguar në mënyra të ndryshme, gjatë mbledhjeve të mbajtura më datë 24 Qershor 2022, 22 Korrik 2022, 28 Gusht 2022, nuk kanë ndërmarrë veprimin zyrtar që kanë qenë të detyruar të veprojnë në bazë të nenit 28 të Ligjit nr.06/1-114 për Zyrtarët Publikë, nenin 18 par. 4 të Statutit UIBM dhe nenit 13 paragrafit 7 të Rregullores mbi punën e Këshillit Drejtues të Universitetit, ashtu që edhe pse kanë qenë prezentë në mbledhje me qëllim nuk kanë votuar rendin e ditës as “për” e as “kundër” dhe as “abstenim”, për kundër që të pandehurit në bazë të kompetencave të tyre kanë qenë të detyruar ta bëjnë.”

-Advertisement-

“Me këto veprime të njëjtit kanë pamundësuar që të arrihet qëllimi i mbledhjes që kishte qenë funksionalizimi i Këshillit të Fakultetit Juridik, harmonizimi dhe plotësimi i dy akteve normative – rregullores mbi zgjedhjen e Universitetit dhe punën e këshillit si dhe rregullat dhe procedurat mbi zgjedhjet e përgjithshme në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë” thuhet në aktakuzën e siguruar nga “Mitropol”.

Të katër të pandehurit akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale cenim i të drejtës në menaxhim nga nenin 220 par. 2 lidhur me par. 1 të KPRK-së.

Me datë 22 Shtator 2022, kjo prokurori me aktvendimin PP.I.nr.215/2022, ka filluar hetime ndaj të pandehurve Ylber Januzaj, nga Prishtina, Valdet Gjinovci, nga Prishtina, Fatbradha Hoxha nga Prishtina, për shkak të dyshimit se në bashkëkryerje kanë kryer keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 të KPRK-së, cenimi i të drejtës së menaxhimit nga nenin 220 të KPRK-së.

Ndërsa me datë 03 Tetor 2022, kjo prokurori ka zgjeruar hetimet ndaj të pandehurit Halil Bajrami, për shkak të veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 par. 3 nën par. 3.2 lidhur me nenin 1 të KPRK-së dhe cenim i të drejtës në menaxhim nga nenin 220 par. 2 lidhur me par. 1 të KPRK-së dhe ndaj të pandehurit Ylber Januzaj, për shkak të veprës penale Numri i lëndës: 2022:0066640 Datë: 22.12.2022 Numri i dokumentit: 02263642 5 (8) 2022:0066641 Cenimi i fshehtësisë së korrespondencës dhe i bazave të të dhënave kompjuterike nga nenin 199 par. 1 të KPRK-së.

Poashtu “Mitropol” posedon edhe dokumentin e një aktakuze tjetër i cili tregon se Halil Bajrami është recidivist në kryerjen e veprave penale, pasi I njejti edhe në vitin 2018 ishte shpallur fajtor për një rast tjetër nga Gjykata Themelore në Prishtinë- Departamenti i Krimeve të Rënda, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 par.1 të KPK-së pasi I njejti ka keqpërdorur detyrën zyrtare në cilësinë e udhëheqësit të politikave turistike dhe promocionit turistik në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) dhe I njejti i me deklaratën nën betim kishte arritur të avancohej në UIBM.

Në lidhje me aktakuzën e ngritur “Mitropol” ka kontaktuar edhe Universitetin e Mitrovicës, gjersa nuk ka arritur të marrë një përgjigje nga të njejtit, ani pse ndodhej në pritje të përgjigjes tash e pesë ditë.

Të njejtit nuk kanë komentuar nëse do ndërmarrin veprime konkrete në raport me katër anëtarët e Këshillit Drejtues ndaj të cilëve tashmë është ngritur aktakuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare. “Mitropol” do ndjekë të gjitha veprimet e nevojshme deri në marrjen e përgjigjes nga ana e UIBM.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
EURO 2024 dhe Serie A, dy ekskluzivitetet absolute të Artmotion këtë vit

Të tjera