Nesër zgjedhjet e mesmandatit në SHBA, sondazhet e fundit i japin avantazhin demokratëve
14:09 | 02 November 2026 Autori: InfokusiMë 3 nëntor amerikanët votojnë në zgjedhjet e mesmandatit, të cilat do të përcaktojnë nëse Donald Trump do të vazhdojë të qeverisë me mbështetjen e Kongresit republikan apo do të përballet me një shumicë demokrate në të paktën njërën prej dhomave.
Sondazhet e fundit tregojnë një avantazh të qartë të demokratëve. Sipas një ankete të Reuters demokratët kryesojnë me 47% kundrejt 36% të republikanëve në preferencën për Kongresin.
Kjo lidhet me pakënaqësite ekonominë dhe koston e jetesës, ku 73% e të anketuarve mendojnë se situata ekonomike për familjet po shkon në drejtimin e gabuar.
Çmimet e larta dhe tarifat tregtare janë kthyer në pikat më të kritikueshme të presidentit Donald Trump. Por një tjetër faktor që po ndikon në klimën elektorale është lufta me Iranin. Rritja e çmimeve të karburanteve dhe kostot e konfliktit kanë vënë në pikëpyetje premtimin e Trump për të shmangur përfshirjen e SHBA-ve në luftëra të gjata jashtë vendit. Demokratët po e përdorin këtë pakënaqësi për të kritikuar vendimet e administratës, ndërsa republikanët mbrojnë politikat e presidentit dhe theksojnë sigurinë kombëtare.
Në ditët e fundit të fushatës, Trump është përpjekur të mobilizojë bazën republikane përmes mitingjeve në shtetet ku gara për Senatin është më e fortë,
Humbja e Dhomës së Përfaqësuesve do t’u jepte demokratëve mundësinë të hapnin hetime ndaj administratës, të thërrisnin zyrtarë në seanca dëgjimore dhe të pengonin një pjesë të agjendës së presidentit.
Zgjedhjet e 3 nëntorit janë më shumë se një garë për vende në Kongres. Ato do të tregojnë nëse amerikanët i japin Trump një tjetër mandat politik për të vazhduar agjendën e tij, apo zgjedhin t’i vendosin kufij në dy vitet e fundit të presidencës.























