Kur dënohet zëri i heronjve të UÇK-së, monologu i vëllait të Jakup Krasniqit; “Jakup, jam unë, Dauti… mos e hap portën, vëlla!”
Autori: Gazeta inFokus
22:29 | 23 November 2026
“Jakup, që tri ditë po vij te kjo derë. Tri ditë po pres me ta pa fytyrën, me ta ni zanin, me të përqafu. Kjo derë dikur hapej pa trokitë. Por sot, për me hi në shtëpinë tem, duhet me kërku leje”.
Kështu e nisi monologun në Fiks Fare, Daut Krasniqi, 87 vjeç, vëllai i Jakup Krasniqit, i dënuar disa javë më parë padrejtësisht nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Ai priti me bastun në dorë prej më shumë se 72 orësh, për të takuar vëllanë, i cili shkoi në Kosovë për shkak të sëmundjes së bashkëshortes.
“Thuaji atij që sot e quan veten zot të kësaj shtëpie se unë nuk jam i huej. Me ty kam pi të njëjtin gji të nanës, në të njëjtin djep jemi përkundë, bukën e kemi nda përgjysmë. Teshat e mia i ke veshë ti, e të tuat unë. Jam Dauti, Jakup. Vëllai yt!”

Ai tregoi në Fiks Fare përjetimet gjatë orëve para banesës së Jakupit. “Kur isha te porta, përfytyrova flokët e tu, fytyrën dhe zanin që dikur më thërriste. Deshta veç me të kapë për qafe e me të thanë: ‘Qysh je, bre vëlla?’. Por u largova, me zemrën copë.

Jo pse nuk deshta me të pa, por pse nuk deshta me të sjellë telashe. Due veç me të pa, me ta shtrëngue dorën ,nuk due që vitet e fundit të jetës sime të kalojnë pa ta dhanë edhe një përqafim” tha Dauti, me zërin që i dridhej dhe me lot në sy.
Në fund, ka një tjetër mesazh për vëllanë. “Unë kam me të pritë, vëlla edhe pse jam 87 vjeç”

87 vjeçari me bastun te porta e Jakupit
Pamja e tij u bë virale, pasi me bastun ai u end prej më shumë se 4 ditësh pranë banesës së vëllait, Jakupit. Ai kërkoi me ngulm që të takonte ish zërin e UÇK-së dhe ish-kreun e Parlamentit, kur u shpall pavarësia e Kosovës. Tentativat dështuan. Kjo, pasi mbesa e tij, e kishte telefonuar duke i thënë se takimi mes tyre mund të ndalonte vizitën e babait të
saj.
Një vizitë e shoqëruar me emocione të forta, por edhe me dhimbjen e një takimi të munguar. Mes njerëzve të afërt dhe vendit të tij, takimi me vëllain nuk mundi t’a realizonte. Kthimi në Kosovë zgjati pak, por pas vetes la një histori që prek përtej fjalëve.
Sepse përtej proceseve gjyqësore dhe largësisë egziston edhe dhimbja njerëzore, malli familjar. Pamjet e një përshëndetje me dorë nga larg mes Jakupit e vëllait, emocionuan mbarë opinionin publik. Shpërthimi në lot i Daut Krasniqit ishte një moment i fortë emocional.
Nuk pati një përqafim mes tyre, dhe vitet e moshës e rëndojnë edhe më shumë situatën e ndjerë. Sami Lushtaku, kryetar i Komunës së Skënderasit, që përfshin edhe Drenasin, vendlindjen e Jakup Krasniqit, bëri një postim të ndjerë në rrjete sociale.
Jakup Krasniqi u kthye në atdhe, por nuk mundi të përqafohet me Dautin, vëllain e tij. Një moment që mbeti peng i rrethanave, një mall që nuk mori përgjigje dhe një histori që dëshmon se ndonjëherë, dhimbjet më të mëdha nuk kanë nevojë për shumë fjalë.
Jakup Krasniqi një emër që mbart histori, sakrificë, krenari dhe dhimbje. Një njeri që ia kushtoi një pjesë të madhe të jetës çështjes së Kosovës, lirisë, dhe dinjitetit të popullit të tij. Ka njerëz që koha nuk i harron, sepse emrat e tyre janë të lidhur me kujtesën dhe historinë e një populli.
Sepse liria është histori e shkruar me sakrifica, lot dhe shumë mund. Ka emra që nuk janë thjesht pjesë e historisë, por pjesë e shpirtit të një kombi. Njëri prej tyre është Jakup Krasniqi, që la pas Kosovën e tij dhe mori rrugën drejt Hagës.
Kur dënohet zëri i heronjve të UÇK-së!
10 vite e 4 muaj burg në Jugosllavi. Regjimi kriminal në Beograd e dënoi padrejtësisht. Një jetë e kaluar mes përpjekjeve për lirinë e Kosovës! Më pas, zëri, që gjatë luftës, do t’i fliste botës në emër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ky është Jakup Krasniqi, që dikur u burgos me kërkesën që Kosova të bëhej shtet i pavarur dhe demokratik.
Ndërsa shumë vite më vonë, do të drejtonte seancën historike në të cilën Kosova shpalli pavarësinë.
Sot, prej më shumë se 6 vitesh, ndodhet i burgosur, me një dënim të rëndë mbi shpinë. 25 vite burg nga Gjykata e Hagës!
Por, si nisi historia e tij dhe si u bë, mësuesi i historisë, një nga figurat më të njohura publike të UÇK-së?!
Jakupi lindi në Drenas, në vitin 1951. Shkollën e mesme e kreu në Prishtinë, ku vazhdoi edhe Universitetin për degën e historisë. U rikthye në Drenicë për të dhënë mesim, ndërkohë u angazhua ilegalisht në organizata politike, në përpjekje për lirinë e Kosovës.
Në vitin 1981, studentët u ngritën në demonstratë dhe kërkuan që Kosova të ishte republikë, brenda Federatës Jugosllave. Policia iu përgjigj me dhunë. Jakupi u arrestua në prill. Akuzat ishin të rënda; veprimtari armiqësore kundër sistemit Jugosllav.
Qendroi 10 vite e 4 muaj në disa burgje, në territorin e sotëm të Serbisë. Në vitin 1991 u lirua nga burgu. Nuk e gjeti Kosovën si e la 1 dekadë më parë. Regjimi i Sllobodan Millosheviçit po shtypte institucionet e Kosovës. U rikthye në Drenas dhe vijoi të jepte mësim dhe drejtoi arsimin.
Më pas, në vitin 1997, u angazhua në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, në shtabin politik me emërim nga Adem Jashari.
Në vitin 1998, forcat Serbe sulmuan Drenicën, duke shkaktuar shumë viktima. Në mars të atij viti, u sulmua fortesa e familjes Jashari, në Prekaz. Komandanti legjendar humbi jetën. Rezistenca e armatosur e Ushtrisë Çlirimtare, mori kthesë tjetër. Shumë shqiptarë iu bashkuan UÇK-së. Tashmë, rezistenca kishte nevojë për zë, për t’iu drejtuar shqiptarëve, por edhe botës, për krimet e luftës të serbëve.
Masakrat dhe kërkesat ndaj faktorit ndërkombëtar. Në qershor të vitit 1998, kjo detyrë iu besua Jakup Krasniqit. Më
pas, ai do të shfaqej publikisht!
Me zë, fytyrë, emër e mbiemër, foli në emër të organizatës. Tashmë, ishte zëri që komunikonte qendrimet e Shtabit të Përgjithshëm. Deklaratat u transmetuan në gjithë botën! Nga ai moment, fytyra dhe zëri i tij, u lidhën ngushtë me UÇK-në! Ishte pjesë e delegacionit nga Kosova në Konferencën e Paqes, në Rambuje, Francë.
Paqja nuk u arrit. Forcat serbe vijuan të vrisnin mijëra persona. Qindra mijëra të tjerë u larguan nga
Kosova.
NATO ndërhyri, duke sulmuar objektivat ushtarakë në Serbi. Më pas, forcat e ushtrisë u tërhoqën. Këtu, nisi një kapitull po aq i rëndësishëm i Jakup Krasniqit. U bë deputet, ministër dhe drejtues politik në Partinë Demokratike të Kosovës. Në janar të vitit 2008, u zgjodh kryetar i Kuvendit të Kosovës.
Në datën 17 shkurt të vitit 2008, Kuvendi i Kosovës u mblodh në një seancë të jashtëzakonshme. Seancën historike e drejtonte Jakup Krasniqi. Në atë seancë, u miratua Deklarata e Pavarësisë.
Më vonë, Jakup Krasniqi ushtroi detyrën e Presidentit të Republikës së Kosovës, në dy periudha të shkurta disa mujore.
Por, historia ende s’ka përfunduar!
Në datën 4 nëntor të vitit 2020, Jakup Krasniqi, u arrestua me urdhër të Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe u dërgua në Hagë. Sëbashku me Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin, ai u akuzua për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Krasniqi i kundërshtoi akuzat dhe deklaroi pafajësinë e tij.
Më datën 16 shtator 2026, trupi gjykues i Dhomave të Specializuara, e dënoi Jakup Krasniqin me 25 vite burgim për krime lufte, ndërsa e shpalli të pafajshëm për akuzën e krimeve kundër njerëzimit. Vendimi i shkallës së parë është kundërshtuar nga mbarë shqiptarët.
Ky rrugëtim i Jakup Krasniqit, përfaqëson historinë e vetë shtetit të Kosovës!

T� tjera
-
“Kam ndjesi për Bejtën”, Kledja bën deklaratën e papritur
Ditët e fundit, afërsia mes Kledjës dhe Bejtës ka marrë vëmendje të madhe, si...
-
Dubai nuk është më strehë e sigurt për kriminelët, 16 shqiptarë të ekstraduar
Nga arrestimi i bosit të mafias irlandeze Daniel Kinahan deri te sekuestrimi ...
-
Radoiçiq dhe Veselinoviq dyshohet se janë larguar së bashku nga Serbia, drejt Kirgistanit dhe Moskës
Milan Radoiçiq, i cili e ka pranuar publikisht se organizoi sulmin e armatosu...
-
Mblodhi afro 190 mijë euro kinse vuante nga leukemia, Endrit Azemi u kap në kufi – para hetuesve pranoi se gjithçka ishte inskenuar
Gazeta Sinjali sjell detaje ekskluzive nga arrestimi dhe rrëfimi para hetuesv...
-
Kosova kërkon avancim në procesin e anëtarësimit në BE
Në një takim me përfaqësues të Komisionit Evropian (DG ENEST) dhe Zyrës së BE...
-
Reshjet e para të borës në rajonin e Ferizajt, policia apelon për kujdes në trafik
Policia Rajonale e Ferizajt ka apeluar te shoferët që të kenë kujdes të shtua...
-
Çerkini kërkon që Kosova të mos përjashtohet nga forumet e BE-së për zgjerimin
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Krenare Çerkini, ka kërkuar që Kosova të j...
-
Haliti: PDK-ja u çorganizua pas largimit të Thaçit, brenda partisë u krijuan disa blloqe
Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti, ka vlerës...
-
Google po lidh kërkimin me AI me Wallet, Drive dhe Gemini
Google ka nisur të shtojë lidhjen me Google Wallet në modalitetin AI të motor...
-
Afati i komisionit për Gjykatën Speciale ka përfunduar, partitë presin draftin e ri
Kryesia e Kuvendit ka kërkuar opinion ligjor, për ndryshimin dhe plotësimin e...
-
Trump: Unë e bëra marrëveshjen për rikthimin e shefit të Nvidia-s
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se ai ka bërë marrëveshjen që m...
-
Qeveria miraton pesë vendime në mbledhjen e 13-të, e cila është zhvilluar në formë elektronike
Qeveria miraton marrëveshjen e sigurisë me Maqedoninë e Veriut, emëron Luan D...
































