Lajme

Naser Ramadani largohet pas 12 vitesh nga drejtimi i IKSHPK-së

Autori: Gazeta inFokus 10:57 | 22 August 2024

Pas rreth 12 vitesh në krye të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë para një jave. Dorëheqjen e tij e ka konfirmuar Ministria e Shëndetësisë.

Pa paraqitur asnjë arsye, profesori Naser Ramadani ka dhënë dorëheqje nga pozita e Drejtorit Ekzekutiv të Instituti Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Dorëheqjen e ka dorëzuar me 14 gusht tek Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

-Advertisement-

“Ju njoftojmë se me datën 14.08.2024, Ministri i Shëndetësisë ka pranuar dorëheqjen e Dr. Naser Ramadanit nga pozita e Drejtorit Ekzekutiv të IKShPK-së”, ka konfirmuar Ministria e Shëndetësisë për Gazetën Express.

Arsyet që e çuan deri te ky vendim, Ramadani nuk ia ka dhënë ministrisë, për çka ka sugjeruar që përgjigja të kërkohet direkt tek ai.

“Dr. Naser Ramadani nuk ka paraqitur arsye për dorëheqjen e tij, megjithatë, për këtë pyetje mund të kërkoni përgjigje drejtpërdrejt nga dr. Ramadani”, thuhet në përgjigje.

Në vendin e tij, me vendim të Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitisë, si ushtrues detyre është caktuar Dr.Ardita Baraku, e cila është Specialiste e Shëndetësisë Publike në Departamentin e Mjekësisë Sociale në IKSHP.

Në pozitën e Drejtorit Ekzekutiv të IKSHPK-së, Ramadani ishte emëruar në 28 shtator të vitit 2012.

Prej atëherë, ka pritur e përcjellur disa kryeministra. Ramadani e ka udhëhequr vendin gjatë pandemisë, ku bashkë me mjekun Lul Raka, kanë qenë figurat kryesore gjatë asaj periudhe.

Gjatë asaj periudhe mbahet mend sidomos konferenca ku ishte paraqitur bashkë me ish-Presidentin Hashim Thaçi, ku u kishte kërkuar gazetarëve që të rrinë dy metra larg kreut të shtetit, atëherë.

“Veç mbajeni distancën ju kisha lut, sidomos te presidenti, te unë afroni sa të doni, te presidenti dy metra duhet, është siguria”, u tha ai gazetarëve.

Si Drejtor i IKSHP’së, Ramadani, në regjistrin e fundit të pasurisë, ka deklaruar se merr pagë vjetore në shumë prej 22 mijë e 863 euro.

Përveç kësaj page, Ramadani ka deklaruar edhe të hyra të tjera. 7 mijë 524 euro ka deklaruar se i ka marrë nga Kolegji “Rezonanca” nga punët me kontratë, duke sqaruar se nuk është në listën e pagave. 117 euro i ka marrë për mentorimin e specializantëve, rreth 3 mijë euro nga konsultimet për KeA SECID, 136 euro si mëditje nga komisionet dhe mbi 6 mijë euro si pagesa neto nga Universiteti i Prishtinës, nga puna me orar të shkurtuar.

Si para të gatshme, Ramadani ka deklaruar rreth 57 mijë euro. /Express

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Studente dhe prind, Medina Berisha tregon për rrugëtimin e saj akademik në UNI- Universum International College, fuqizuar nga Arizona State…
-Advertisement-

Të tjera