Opinione

A mund të funksionojë Maqedonia pa armikun “kujdestar”?

Autori: Gazeta inFokus 15:20 | 02 May 2017

Nacionalizmit maqedonas, këndej e tutje, do të i duhet të gjejë një armik tjetër kujdestar. Shqiptarët janë bërë të papërshtatshëm për këtë rol, pas rolit të tyre tejet konstruktiv në ndërrimet e fundit, dhe pas njohjes së shpejtë dhe të vendosur nga ana e BE-së dhe SHBA-ve të kryetarit të ri të Parlamentit të Maqedonisë.

Mllefi i pashpresë u derdh mbi “fajtorët” kryesorë të këtij ndryshimi, kryeministrin e ardhshëm Zaev dhe deputetët shqiptarë, të cilët ishin përzgjedhur për t’u rrahur, përmes një çelësi të cilin vetëm kokat e rënduara nga urrejtja, dhe dëshpërimi mund të dekodonin. Të kujt ishin në të vërtetë këto koka, këtë do të duhet të thuhet pas një hetimi të pavarur të drejtësisë, ndoshta tek pas ndërrimit të Qeverisë, sepse shenjat e para tash, ende pa ndodhur këto ndryshime, nuk janë aspak optimiste. Në fakt, nuk ka shenja se fajtorët e vërtetë, të jenë kapur.

Përpjekja e artikuluar qartë përmes deklaratave publike të VMRO-së, për një koalicion të madh me LSDM-në i cili do të “ruante” shtetin nga shqiptarët, u tregua jo vetëm e pamundur, por u komprometua edhe si ide , përpara opinionit vendor dhe të jashtëm, duke nxjerr në sipërfaqe armiqtë e vërtetë të Maqedonisë dhe demokracisë në këtë vend. Modeli i ashtuquajtur kosovar, i bashkimit të armiqve politik, për hir të interesave më të mëdha, dështoi edhe pse me gjasë ekstremistët maqedonas kishin varur shpresën e fundit pikërisht në këtë gozhdë.

-Advertisement-

Kokat e përgjakura opozitare, tashmë të shndërruara në shumicë parlamentare përmes një marrëveshjeje të gjerë, dështuan të përçojnë mesazhin e frikës dhe të thirrjes për revoltë “gjithëpopullore” dhe konflikt ndëretnik gjoja për të shpëtuar shtetin. As pamja e tmerrshme ku një “qytetar” i moshuar e tërhiqte për flokësh deputeten maqedonase, të opozitës, nuk duket se përçoi mesazhin “ e duhur” te masa. Krejt kjo u shndërrua në një masakër brenda mureve të Parlamentit, ku deputet e gazetarë po rriheshin pamëshirshëm nga specialët e maskuar dhe nga “qytetarët “ të cilët kishin vërshuar sallën pasi më parë dikush u kishte hapur të gjitha dyert .

Fati deshi që ky grup megjithatë mbeti i izoluar edhe nga qytetarët maqedonas, dhe mungesa e masivitetit bëri që të duken në tërë shëmtinë e vet institucionet e sigurisë në mosveprim, të qëllimshëm. Duke lejuar të përdhoset Parlamenti, dhe deputetët, presidenti i vendit, Qeveria në largim, udhëheqësit e institucioneve të sigurisë, dëshmuan se bëhet fjalë për një shtet ku sundojnë oligarkët, me strukturë joprofesionale të sigurisë, me përbërje një nacionale, dhe partiake.

Cili është mësimi nga gjakderdhja në Parlamentin maqedonas? Cili është mesazhi që u dërgua në mediat botërore me këto skena? Ka apo nuk ka shpresë për vendet e Ballkanit, të cilat në periudhën e pasluftës, ngjashëm janë kapur nga oligarkët e rinj dhe politikanët e korruptuar, sa çdo tentativë për të krijuar një demokraci funksionale dhe për të veshur qytetarin me pushtet real, ka dështuar gati në të gjitha vendet e rajonit?

A do të jetë ky mesazh edhe për pushtetarët e tjerë në vendet e Ballkanit se shteti nacional nuk është mit, vlerë mbi të gjitha vlerat, i cili gjithnjë do të pranohet nga të tjerët si arsyetim për të vrarë demokracinë dhe qytetarinë?

 Sido që të rrjedhin gjërat në vendet e tjera, ku grupe agresive kërcënojnë stabilitetin e vendit, me arsyetimet më banale, por gjithnjë me ngjyrime nacionale apo fetare, një gjë është e sigurt: Maqedonia nuk mund të jetë kurrë e qetë dhe demokratike pa pjesëmarrjen e plotë të shqiptarëve në jetë e saj institucionale dhe publike. Nacionalistët maqedonas bëjnë mirë të mësohen me idenë se pushteti qendror në të ardhmen do të jetë i ndarë proporcionalisht në mes të përfaqësuesve të popujve shumicë, duke respektuar gjithsesi edhe të tjerët. Kjo vlen edhe për shtetin, në të gjitha nivelet dhe në të gjitha fushat.

Në këtë drejtim nuk mjafton vullneti i mirë i kryeministrit të ardhshëm Zaev, sepse marrëdhëniet mes popujve nuk rregullohen vetëm me vullnetin e mirë të individëve, sado që të jenë veshur me pushtet, por me norma kushtetuese e ligjore të cilat i garantojnë ato dhe obligojnë cilëndo qeveri dhe individ të orientohet sipas tyre. Maqedonia nuk mund të jetë shtet binacional, klithnin këto ditë ekstremistët maqedonas, por nuk mund të jetë as shtet vetëm njënacional dhe këtë e ka dëshmuar historia e shtetit të ri. Pa paragjykuar se cila do të jetë forma më e qëndrueshme e marrëdhënieve shqiptaro-maqedonase, mund të thuhet me një siguri të lartë se ajo duhet të bazohet në barazi dhe reciprocitet, për të qenë e qëndrueshme dhe për të garantuar stabilitet të përhershëm të këtij vendi me rëndësi të jashtëzakonshme për sigurinë e krejt rajonit.

Platforma minimale e shqiptarëve të Maqedonisë, e cila nga ekstremistët në pushtet për t’u anatemuar u quajt “platforma e Tiranës”, doli të jetë një garanci e fortë se shqiptarët nuk do të pranojnë më rolin e qytetarëve të dorës së dytë dhe me këtë mund të shpjegohet edhe brutaliteti me të cilin u rrah deputeti Zijadin Sela, të cilin si duket, strategët e krizës e kishin llogaritur si prishës të unitetit shqiptar në Maqedoni. Marrëveshja e arritur në mes të partive shqiptare, edhe përkundër dallimeve të mëdha dhe kundërshtimeve parazgjedhore, e bëri të mundur ndryshimin edhe në Maqedoni, e cila tash një kohë të gjatë, paarsyeshëm, po stagnon në proceset e integrimeve euroatlantike.

Për fund fare, zgjedhja e një shqiptari në krye të parlamentit të Maqedonisë ndjell shpresë se të gjithë që e duan këtë vend dhe janë të interesuar për ruajtjen e tij, po mësohen me idenë se në të ardhmen e afërt, në karrigen e njërit prej posteve kryesore, përfshirë këtu edhe Presidencën dhe kryeministrin, do të ulet gjithnjë një shqiptar. Maqedonia nuk mund të ekzistojë pa shqiptarët dhe pa ta as stabiliteti dhe demokracia në këtë vend. Kjo u pa më së miri muajt e fundit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Comodita në Gjermani shpalos koleksionin e produkteve të reja në panairin Heimtextil në Frankfurt

Të tjera