Ekonomi

Ministria e Lekajt, punën e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike ia jep një “kompanie private”

Autori: Gazeta inFokus 16:47 | 23 April 2018

Ministria të cilën e udhëheq Pal Lekaj ia ka marrë Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike të Universitetit të Prishtinës, një punë të cilën e ka kryer prej vitit 1985 e këndej, me përjashtim të viteve kur Kosova ishte nën masat e dhunshme të regjimit serb. Ky fakultet më nuk e ka të drejtën që të bëjë homologime individuale të mjeteve pasi kjo punë i është besuar një kompanie private, shkruan AktivPress.

Ky veprim ka nxitur reagimin e menaxhmentit të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, nën pretendimin se autorizimi është ndërprerë në mënyrë të njëanshme. “Ministria e Infrastrukturës ia ndërpret njëanshëm Autorizimin Nr. 44 dt. 14.11.2011 për Atestime (Homologim individual te mjeteve) Universitetit të Prishtinës / Fakultetit te Inxhinierisë Mekanike / Institutit te Inxhinierisë Mekanike dhe ja dhuron në mënyrë jo-ligjore subjektit privat të autorizuar për homologim (së paku kështu e kuptojmë në FIM këtë Vendim)”, thuhet në shpjegimin e dhënë nga menaxhmenti i Fakultetit.

Udhëzimi Administrativ  02/2018, sipas tyre ende nuk gjendet i publikuar ne website te Ministrisë.  Ata kanë ofruar si dëshmi vendime, memorandume dhe vlerësime pozitive për punën që e kanë kryer ndër vite. Në vendimin e vitit 2011 thuhet shprehimisht se Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike, përkatësisht Instituti në Prishtinë autorizohet për kryerjen e testimit të mjeteve motorike dhe rimorkiove të prodhuara në mënyrë serike ose veç e veç, e tek të cilat kryhen përmirësime.

-Advertisement-

“Për mjetet motorike ose rimorkiot tek të cilat janë kryer përmirësimet sipas rregulloreve në fuqi, pas kontrollimit dhe konstatimit lëshohet certifikata e rregullsisë”, thuhet në vendimin që mbështetet në Memorandumin e Mirëkuptimit mes Ministrisë së Infrastrukturës, asaj të Arsimit, Rektoratit dhe Fakultetit.

Për punën që është bërë nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike janë dhënë vlerësime pozitive edhe tash nga Ministria e Infrastrukturës. Në shkresën që i është dërguar dekanit Ahmet Shala, është thënë se kjo ministri ka qenë e privilegjuar për bashkëpunimin e “frytshëm e të ngushtë”  të zhvilluar ndër vite, bashkëpunim ky që ka rezultuar të jetë i dobishëm për palët e treta, respektivisht për qytetarët e këtij vendi.

Por në të njëjtën shkresë, MI-ja ia përkujton dekanit se Ligji për automjete tashmë ka hequr shprehjen “atest” dhe se të gjitha veprimtaritë e kësaj kategorie  konsideron se i takojnë fushës së homologimit. Në pajtim me këtë ligj, MI thotë se është e autorizuar të nxjerr akt nënligjor për rregullimin e fushës së homologimit.

AktivPress ka kërkuar sqarime nga kjo ministri, por ende nuk ka marrë kurrfarë përgjigje. E menaxhmenti i Fakultetit të Inxhinierisë mekanike nuk ka harruar t’i falënderojë ish ministrat: Qemajl Ahmeti,  Fatmir Limaj, Fehmi Mujota, Lutfi Zharku dhe Hanefi Muharremi, për siç thuhet “çdoherë ditën të çmojnë Universitetin e Prishtinës – Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike për kontributin mësimdhënës dhe profesional”./AktivPress/ 

 

VIVA FRESH E SHPALL KREEEEJT MUAJIN BLACK NOVEMBER!
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy