Lajme

Ministria e Jashtme e Hungarisë: Serbi i arrestuar për krime lufte refuzoi të ekstradohet në Kosovë

Autori: Gazeta inFokus 16:31 | 18 October 2022

Ministria e Punëve të Jashtme e Hungarisë në një përgjigje për gazetën online Reporteri.net ka konfirmuar arrestimin e shtetasit serb, Savo Stefranoviç, të dyshuar për vrasjen e 33 civilëve shqiptarë në lagjen Kristal në Pejë në vitin 1999.

Të pyetur nga gazeta online Reporteri.net se a do të ekstradojnë shtetasin serb, për të cilin ka urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga përfaqësuesi special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara dhe të bazuar në departamentit special për krime të luftës nga Gjykata e Prishtinës, Ministria e Jashtme hungareze tha se “burri serb nuk e ka dhënë pëlqimin e tij për ekstradim”.

“Gjykata Metropolitane e Budapestit do të kontaktojë me autoritetet gjyqësore të Kosovës përmes Ministrisë së Drejtësisë së Hungarisë”, thanë për Reporteri.net nga Zyra për Komunikim Ndërkombëtar e Ministrisë së Jashtme të Hungarisë.

-Advertisement-

Gjatë ditës së sotme u lajmërua për arrestimin nga autoritetet hungareze të serbit të dyshuar për “dhënie të asistencës dhe pjesëmarrjes në vrasjen e civilëve shqiptarë në Kosovë në lagjen Kristal të Pjesë, e cila rezultoi në vdekjen e 33 shqiptarëve të Kosovës”.

Urdhri i arrestit është lëshuar shtatorin e kaluar nga institucionet e sigurisë në Kosovë me qëllim të zhvillimit të procedurës penale për krime lufte dhe krime të tjera të kryera kundër popullatës civile.

Portali hungarez “inforstart.hu” tha se gjykata hungareze ka ekzaminuar ekskluzivisht nëse kushtet për ekstradim dhe ekstradim të përkohshëm ishin përmbushur mbi bazën e informacioneve të disponueshme.

Për vrasjen e shqiptarëve, gjatë majit mars-prill të vitit 1999, në lagjen “Kristal” në Pejë, në shkurt të vitit të shkuar, një tjetër serb, Zoran Gjokiq, ishte shpallur fajtor dhe u dënua me 12 vite burgim nga Gjykata Themelore e Pejës.

Sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, në aktakuzën ndaj Gjokiq tregohej si ai duke bashkëvepruar me një grup të organizuar kriminal të nacionalitetit serb, në mesin e të cilëve ishte edhe një person i quajtur Dragan si dhe NN persona të paidentifikuar deri më tani, të veshur me uniforma policore, paramilitare dhe ushtarake u kanë shkaktuar vuajtje të mëdha apo cenim të integritetit trupor ose shëndetit, kanë aplikuar masa frikësimi, ndaj popullatës së pambrojtur civile kanë kryer vrasje plaçkitje të një, qyteti ose një vendi, kanë urdhëruar zhvendosjen e popullatës civile për shkaqe që lidhen me konfliktin drejtuar me qëllim, kundër popullsisë civile ose ndaj individëve të veçantë civil që nuk marrin pjesë drejtpërdrejt në konflikt.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Kryetari Përparim Rama pjesë e ‘Mayor’s Talk’
-Advertisement-

Të tjera