Fokus

Ministria e drejtuar nga Rozeta Hajdari dyshohet se po e shkelë vendimin e Qeverisë për të punuar vetëm me staf esencial

Autori: Gazeta inFokus 12:50 | 14 September 2021

Vendimi i Qeverisë së Kosovës që të punohet vetëm me staf esencial nuk është duke respektuar nga ministria e udhëhequr nga Rozeta Hajdari.

Për dallim nga shumica e ministrive tjera, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), është duke punuar me staf të plotë, përjashtuar shtatzënat, shkruan Gazeta Infokus.

Kështu ka mësuar Gazeta Infokus nga burimet e sigurta brenda këtij dikasteri.

-Advertisement-

“Në ministrinë tonë, me përjashtim të shtatzënave, të gjithë jemi duke punuar. Stafi esencial nuk është ndarë as kur është marrë vendimi në fillim të muajit shtator, as tash kur është ripëtrirë ai vendim”, ka thënë një zyrtar i kësaj ministrie në kushte anonimiteti.

Por një gjë të tillë e kanë mohuar nga Ministria e Industrisë.

Në një përgjigje për Gazetën Infokus, zyrtarët e kësaj ministrie thonë se është ndarë stafi esencial.

“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ju njofton se është duke i zbatuar vendimet e Qeverisë për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.Vendimet e Qeverisë përcillen tek të gjithë Drejtorët e Departamenteve dhe Agjencive ku ata përcaktojnë stafin esencial të vijueshmërisë në punë. Gratë shtatzëna janë të liruara nga obligimi për t’u paraqitur fizikisht në punë”, thuhet në përgjigjen e MINT për Infokus.

Ndryshe, më 28 gusht, Qeveria Kurti kishte marrë vendim që të gjitha institucionet të punojnë vetëm me staf esencial.

“Nga data 30 gusht deri me datë 12 shtator 2021, në institucionet publike dhe private, obligohet që të paraqitet në punë vetëm stafi esencial, ndërsa stafi jo esencial udhëzohet të punojë nga shtëpia. Për qëllime të këtij vendimi, staf esencial konsiderohen punëtorët prania fizike e të cilëve në vendin e punës është e domosdoshme për kryerjen e detyrave të punës”, thuhet në vendimin e parë të Qeverisë.

Ndërkohë, me 12 shtator është marrë vendimi tjetër që po ashtu e përcakton punën me staf esencial.

“Në institucionet publike dhe private, deri me datë 26 shtator 2021, vazhdohet obligimi që të paraqitet në punë vetëm stafi esencial, ndërsa stafi jo esencial obligohet të punojë nga shtëpia. Për qëllime të këtij vendimi, staf esencial konsiderohen punëtorët prania fizike e të cilëve në vendin e punës është e domosdoshme për kryerjen e detyrave të punës”, thuhet në vendim. /Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita në Las Vegas Market prezanton linjat e reja të dyshekëve për tregun amerikan
-Advertisement-

Të tjera