Lajme

Ministri Peci priti në takim homologen e tij nga Shqipëria, ja për çfarë diskutuan

Autori: Gazeta inFokus 12:15 | 20 April 2022

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhillimit Rural, Faton Peci, sot ka pritur në takim homologen e tij nga Shqipëria Frida Krifca, shkruan Gazeta Infokus.

Në një njoftim për media thuhet se Kosova dhe Shqipëria përmes marrëveshjeve të nënshkruara dhe projekteve të përbashkëta bujqësore, po e avancojnë e fuqizojnë bashkëpunimin në sektorin e bujqësisë, duke ndikuar kështu në zhvillimin ekonomik të të dyja vendeve, si dhe duke lehtësuar edhe më tej qarkullimin e prodhimtarisë bujqësore në mes të dy shteteve.

Ministri Peci, pasi falënderoi Ministren Krifca për vizitën, tregoi se ky takim është vazhdimësi e bashkëpunimit dhe koordinimit të aktiviteteve pas Marrëveshjes së nënshkruar në mes të dy qeverive në nëntor të vitit të kaluar.

-Advertisement-

“Tashmë të dy Ministritë kemi ndërmarrë hapa konkret dhe objektivat tona të përbashkëta në sektorin e bujqësisë në mes të dyja vendeve jemi duke i konkretizuar sipas dokumenteve qeveritare, të cilat i kemi nënshkruar gjatë vitit të kaluar. Po ashtu, gjatë këtij takimi me homologen Krifca bashkëbiseduam edhe për ide konkrete për projekte të përbashkëta bujqësore, si dhe ndërmarrjen e  masave konkrete për të vazhduar lehtësimin e rritjes së shkëmbimit tregtarë për prodhimet bujqësore dhe eliminimin e barrierave të panevojshme, që kanë ekzistuar në të kaluarën”, ka theksuar Ministri Peci.

Ndërsa Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, pasi e falënderoi ministrin Peci, për pritjen shprehi gatishmërinë e shtetit të saj për themelimin dhe bashkëpunimin ndër-institucional.

Gjithashtu, ministrat diskutuan mbi bashkëpunimin e deritanishëm dypalësh dhe vlerësuan se Kosova dhe Shqipëria janë partner strategjik në çdo fushë dhe bashkëpunimi në fushën e bujqësisë duhet të thellohet në vazhdimësi./Gazeta Infokus/

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shijoni eksperiencën e re të blerjes në Meridian Express x EXFIS!

Të tjera