Ekonomi

Mijëra kosovarë u ankuan ndaj bankave gjatë pandemisë

Autori: Gazeta inFokus 14:21 | 01 July 2021

Nivel rekord i ankesave të qytetarëve ndaj bankave është shënuar gjatë vitit 2020. Prej 1 mijë e 846 ankesave ndaj sektorit financiar, 1 mijë e 48 prej tyre ishin ndaj bankave.

“Gjithsej ankesat për banka komericale të adresuara në BQK për vitin 2020 kanë qenë 1,048, ndërsa ankesat më të shpeshta kanë qenë lidhur me interesin e rregullt të aplikuar në periudhën e shtyrjes së afatit të pagesës së kredisë/periudhën e moratoriumit”, thuhet në raportin vjetor të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për vitin 2020.

Në total gjatë vitit 2020 janë shqyrtuar 1,846 ankesa të shfrytëzuesve të shërbimeve financiare. Gjithsej ankesat për institucione mikrofinanciare (IMF) dhe institucione financiare jobankare (IFJB) të adresuara në BQK për vitin 2020 kanë qenë 376.

-Advertisement-

Edhe tek këto institucione numri më i lartë i ankesave ka pasur të bëjë me periudhën e moratoriumit dhe pagesën e interesit të rregullt të kontraktuar, përcjell Buletini Ekonomik.

Ndërsa, ankesat ndaj kompanive të sigurimeve të adresuara në BQK për vitin 2020 kanë qenë 409. Ankesat më të shpeshta kanë të bëjnë me moskompensim të dëmit material dhe jomaterial nga sigurimi i autopërgjegjësisë TPL, mosrespektimi i afateve kohore për pagesë te marrëveshjet jashtëgjyqësore, si dhe moskompensimin e shpenzimeve mjekësore nga sigurimi shëndetësor.

Ndryshe, numri i ankesave të trajtuara nga viti në vit ka shënuar rritje. Në vitin 2020 janë trajtuar 635 ankesa më shumë krahasuar me vitin 2019, e shperhur në përqindje kjo rritje është 52 përqind.

Rritje më të lartë të numrit të ankesave kanë shënuar bankat dhe IMF e IFJB. Arsyeja e kësaj rritje është ndikimi i pandemisë në industrinë financiare, përkatësisht ofrimi i mundësisë së moratoriumit. /Buletini Ekonomik/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera