Fokus

Marrëveshja skandaloze e Liburn Aliut që pritet të ratifikohet të enjten në Kuvend i jep sovranitet Maqedonisë së Veriut të projektoi tunelin edhe brenda territorit të Kosovës

Autori: Gazeta inFokus 11:24 | 24 April 2024

Me 12 janar të këtij viti, ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu së bashku me Zëvendës Ministrin për Transport dhe Lidhje në Maqedoninë e Veriut, Bekim Rexhepi nënshkruan marrëveshjen për ndërtimin e tunelit Prizren – Tetovë. Një projekt ky që ishte edhe premtim fushate i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.

Por në bazë të dokumentit të marrëveshjes që e ka siguruar Gazeta Infokus roli i Kosovës në këtë projekt të rëndësisë nacionale do të jetë vetëm, financim dhe monitorim. Madje nuk do të ketë dorë as edhe në mbikëqyrjen e punimeve apo zgjedhjen e operatorit ekonomik.

I tërë projekti edhe segmenti i tunelit në territorin e Kosovës i është besuar totalisht, qeverisë së Maqedonisë së Veriut, përkatësisht Fakultetit të Ndërtimtarisë së Universitetit të Shkupit.

-Advertisement-

Marrëveshja e nënshkruar nga ministri i Albin Kurtit, lë shumë hapësirë për cenim të sigurisë kombëtare dhe për cenim të interesave të shtetit të Kosovës në këtë projekt tejet të rëndësishëm infrastrukturor.

Paradoksi i kësaj marrëveshje është edhe fakti që nuk është përfshirë të paktën edhe Fakulteti i Ndërtimtarisë i UP-së në këtë proces.

Në vazhdim Gazeta Infokus do të ju sjellë detaje ekskluzive të kësaj marrëveshje që u nënshkrua nga ministri i Albin Kurtit.

Kjo marrëveshje pritet të ratifikohet të enjten (nesër) me bekimin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës në fakt do të kenë para vete një ligj me vetëm tre nene që në thelb i hapin rrugë marrëveshjes së dy vendeve, marrëveshje kjo që shumë nga deputetët kosovarë as nuk e kanë parë as nuk janë në dijeni për përmbajtjen e saj.

Projektligji-per-Ratifikimin-e-Marreveshjes-se-Bashkefinancimit-per-Har (1)

 

 

Liburn Aliu “me sy mbyllur” ia beson tunelin Fakultetit të Ndërtimtarisë nga Maqedonia

Rruga Prizren – Tetovë siç parashihet do të ketë edhe një tunel i cili do të lidhë territorin e Republikës së Kosovës dhe atë të Maqedonisë.

Për një tunel të tillë me ndikim të madh infrastrukturor dhe në sigurinë nacionale me nënshkrimin e Liburn Aliut, Kosova do të jetë vetëm financuese e pjesës së saj dhe monitoruese e projektit.

Çdo punë tjetër madje edhe zgjedhja e operatorit ekonomik, projektimi e mbikëqyrja e punimeve i është lënë terësisht në dorë Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Çuditërisht kjo edhe për pjesën e ndërtuar në anën e Kosovës.

Kosova pra nuk do të ketë dorë as në përzgjedhjen e operatorit ekonomik, e që këtë sipas marrëveshjes do ta bëjë Fakulteti i Ndërtimtarisë në Shkup, ani pse parashihet pëlqimi i palës kosovare.

Këtë e theksojnë edhe nenet 4, 5 dhe 6 të kësaj marrëveshjeje që përcaktojnë obligimet e secilës palë të cilat mund t’i gjeni më poshtë.

Marreveshja e plote e siguruar nga Gazeta Infokus

 

 

 Marrëveshja nuk u publikua – A e dinë deputetët kosovarë se çfarë do të votojnë të enjten?

Fillimisht qeveria e Kosovës do të jetë vetëm monitoruese e këtij projekti, kjo pavarësisht se do të paguajë pjesën e saj për ndërtimin e tunelit, pra financimi i ndërtimit të tunelit do të bëhet në vlerë proporcionale, sipas gjatësisë së tunelit të shtrirë në territorin e secilës anë.

Kjo marrëveshje nuk është publikuar dhe nuk është parë as nga deputetët e Kuvendit të Kosovës të cilët pritet që këtë projekt ta votojnë në seancën e së enjtes në Kuvendin e Kosovës.

Në fakt të enjten në rend dite Kuvendi i Kosovës ka ““Shqyrtimin e Projektligjit nr.08/L-293 për ratifikimin e “Marrëveshjes së bashkëfinancimit për hartimin e Projektit për ndërtimin e tunelit në rrugën Tetovë-Prizren”,

Projektligji me gjithsej 3 nene nuk jep asnjë detaj për marrëveshjen, për hartimin e Projektit për ndërtimin e tunelit në rrugën Tetovë-Prizren nënshkruar me 12 janar të këtij viti nga ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe Zëvendësministrin për Transport dhe Lidhje në Maqdoninë e Veriut, Bekim Rexhepi.

 

Çfarë thotë neni 5 për obligimet e qeverisë së Kosovës?

Është pikërisht kjo pjesa ku theksohet se roli i Kosovës do të jetë monitorues ndërsa i Maqedonisë së Veriut projektues dhe mbikqyrës.

“Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e Republikës se Kosovës do të ketë rol monitorues në përzgjedhjen e operatorit për përgatitien e dokumentacionit te projektit per ndertimin e tunelit ne lidhien rugore Tetové – Prizren, dhe do te monitoroje realizimin e projektit, nepermjet perfaqësuesve të autorizuar”, thuhet në këtë nen.

Pavarësisht se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaronte se shumë shpejt përmes këtij tuneli qytetarët e Kosovës do të shkonin në Tetovë “veç për kafe”, vetëm projektimi i këtij tuneli do të zgjasë më shumë se një vit e gjysmë, pra projektimi të cilin do ta bëjë Fakulteti i Ndërtimtarisë në Shkup.

Sipas marrëveshjes Operatori ekonomik që do të ndërtojë tunelin do të përzgjidhet përmes një komisioni ose grupi punues i përbërë nga 10 persona, 5 nga të dyja shtetet.

 

 

Çfarë deklaronte Kurti për këtë projekt?

Deklaratat e kryeministri të Kosovës, Albin Kurti, për këtë projekt u bënë edhe virale. Ai kishte thënë se Prizreni dhe Tetova në qiell kanë qenë një qytet por kur i ka sjellë zoti në tokë janë bërë dy qytete.

“Në qiell duket se Prizreni dhe Tetova kanë qenë një qytet, por kur i ka sjell Zoti në tokë, malet e Sharrit i kanë ndarë dhe kanë bërë dy qytete, Prizrenin dhe Tetovën”, kishte deklaruar Kurti duke shtuar se si qeveri shprehin interesim që të ecin sa më shpejt për lidhjen infrastrukturore të Prizrenit dhe Tetovës.

Marreveshja e plote e siguruar nga Gazeta Infokus_

Kurti kishte thënë se kostoja e këtij projekti do të jetë 200 milionë euro.

“Në bazë të llogaritjeve, nuk është ndonjë kosto e lartë, është një kosto e përballueshme. Por kthimi në këtë investim është i jashtëzakonshëm, pasi shkurtohet rruga dhe fitohet koha”, kishte deklaruar kryeministri Albin Kurti.

Ai sqaroi që kostoja e kësaj rruge do të jetë 200 milionë euro, ashtu që 3/4 pjesë e shpenzimeve janë për tunelin, duke theksuar që ky tuneli i gjatë 6.4 kilometra është më i madh se ai i Kalimashit.

Kryeministri tha që këto shpenzime janë për tunelin dhe hyrje- daljen e tunelit, duke shtuar që në dy pjesët e tunelit do të ketë rrugë nga 15 kilometra./Gazeta Infokus/

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
E treta e verteta, shpallet fituesi I trete I Lojes Shperblyese se Artmotion?
-Advertisement-

Të tjera