Opinione

Luftërat shpërqendruese të Rusisë kundër SHBA-së

Autori: Gazeta inFokus 10:31 | 19 January 2024

Shkruan: Agron Hoti
Luftërat shpërqendruese të Rusisë kundër SHBA-së
Nga aleatë në kundërshtarë globalë

Për ta mundur aleancën gjermano-japoneze që po synonte pushtimin e masës tokësore të Euroazisë, pra asaj mase tokësore që është më e madhja dhe më e pasura në glob, SHBA gjatë Luftës së Dytë Botërore (L2B) kishte bërë aleancë të përkohshme me BRSS-në. Dhe sapo SHBA dhe BRSS patën dalë fituese të L2B, nga aleatët qenë bërë kundërshtaret kryesore në glob. Kështu vazhdojnë të jenë edhe sot.

Si BRSS ashtu edhe Rusia në vazhdimësi janë munduar të nxisin luftëra për ta shpërqendruar vëmendjen e SHBA-së nga ato zona ku edhe BRSS/Rusia kishin dhe vazhdojnë të kenë interesa strategjike, me theks të veçantë në Evropë dhe Azi. Kështu BRSS për ta përligjur invazionin ushtarak të vitit 1953 në Gjermani Lindore dhe atë të vitit 1956 në Hungari, kishte nxitur Korenë Veriore që ta sulmonte atë Jugore. Edhe Kina i kishte bërë sehir kësaj strategjie të Stalinit.

-Advertisement-

Kundërpërgjigjja e SHBA-së ndaj BRSS/Rusisë
Kundërpërgjigjja e SHBA-së ndaj kërcënimit sovjetik kishte qenë parandalimi sovjetik përmes themelimit të menjëhershëm të NATO-s në Evropë në vitin 1949, nisja e formimit të BE-së në 1951, armatimi i Gjermanisë Perëndimore (përkundër rezistencës së Francës) si dhe futja e saj në NATO në vitin 1955 dhe fuqizimi i Evropës Perëndimore.

Rezultati në Kore
Koreja që nga lufta 1950-1953 vazhdon të jetë e ndarë edhe sot sipas kushteve të SHBA-së, me pjesën Veriore që është në raporte të mira me Kinë e Rusi dhe Korenë Jugore që është në aleancë me SHBA-në dhe të cilën SHBA e ka zhvilluar aq shumë vetëm e vetëm që ujërat detare nga Oqeani Indian në atë Paqësor të kontrollohen nga SHBA me aleatët e saj. Kjo doktrinë do të vazhdojë kështu derisa SHBA të jetë Superfuqia e pakontestueshme në glob.

Ndërkohë që një Evropë e fortë dhe e kthyer kah SHBA, i ruan SHBA-së krahun e Atlantikut, pikërisht për këtë arsye SHBA edhe e kishte formuar NATO-n. Përmes fuqizimit ekonomik dhe ushtarak të Evropës Perëndimore, SHBA ia kishte dalë që deri në vitin 1990 ta fitonte garën zhvillimore ndaj BRSS-së, ku kjo e fundit qe shpërbërë në Rusi e republika tjera dhe kishte humbur kontrollin e pothuaj tërë Evropës Lindore dhe Juglindore. Pra, ajo që deri dje ishte BRSS apo Rusi, sot është BE e NATO duke ngërthyer në vetvete edhe shqiptarët.

Edhe sot sikurse në të kaluarën
Edhe sot nuk ka ndryshuar asgjë. Përderisa SHBA e kishte shtyrë kufirin e NATO-s nga Gjermania Perëndimore në atë Lindore, dhe kur tani po synon ta shtyjë atë tutje nga Polonia në Ukrainë ku edhe po bëhet rezistenca ndaj Rusisë në rënie, Rusia e vetëdijshme për afrimin gradual por të sigurtë të kufirit të NATO-s, ka filluar me nxitjen e luftërave shpërqendruese në Evropë dhe Lindje të Mesme, në mënyrë që SHBA të mos ndihet e sigurtë askund në glob.

Cilat ishin dy luftërat shpërqendruese të Rusisë?
Dy luftërat e para shpërqendruese, të cilat Rusia u mundua t’i bëjë në shtator 2023 në Evropë, por që dështoi, ishin këto:
1) Nxitja e konfliktit në Kaukazin Jugor ku Azerbajxhani goditi Armeninë pro-ruse që humbi territore në Azerbajxhan;

2) Nxitja e konfliktit në veri të Kosovës, ku Kosova e mbështetur nga NATO ia doli që të zbythte forcat paramilitare terroriste serbe nga Banjsko.
Përpjekja tjetër e Rusisë do të mund të ishte nxitja e një konflikti në Bosnje e Hercegovinë, por rritja e përqendrimit të NATO-s atje do ta pamundësojë një veprim të tillë taktik të Rusisë.
Cila është rrezja tjetër e veprimit të Rusisë?

Pas dështimit në Ballkan dhe Kaukaz Jugor, Rusia tanimë rrezen e veprimit e ka shtrirë në Lindje të Mesme, ashtu siç edhe pritej. Tanimë Rusia përmes Iranit që ka instrumentalizuar Hamasin në Gaza, Hezbollahun në Liban, Sirinë e kontrolluar nga Irani, dhe mbi 400 mijë rebelë të armatosur Houthi në Jemen, po mundohet që ta sfidojë SHBA-në, Izraelin, Turqinë dhe Vendet Arabe proamerikane.
Cila është kundërpërgjigja e radhës e SHBA-së?

Përderisa Izraeli i ka të gjitha kapacitetet e nevojshme ushtarake për luftë ajrore dhe tokësore kundër Hamasit, Hezbollahut, Sirisë, Jemenit dhe vetë Iranit si mbështetës i të gjitha këtyre grupeve dhe shteteve, për luftërat në detëra sikurse ajo në Detin e Kuq, SHBA në aleancë me Britaninë është e pakompromis, saktësisht siç kishte qenë brutale ndaj flotës ushtarake të Gjermanisë dhe Japonisë gjatë L2B, ndaj edhe ka filluar tanimë sulmet ndaj rebelëve Houthi të Jemenit, prapa të cilëve qëndron Irani dhe Rusia.

Ajo që është e rëndësishme në tërë këtë mes është se Turqia dhe Arabia Saudite bashkë me të gjitha vendet e pasura arabe janë të rreshtuara efektivisht përkrah aleancës SHBA-Izrael, pavarësisht retorikës politike për konsum të brendshëm të disa liderëve politikë. Emëruesi i përbashkët i së keqes kundër botës arabo-turke është Irani, i cili synon që të jetë lider global i botës muslimane sipas botëkuptimeve shiite, diçka që Turqia dhe Vendet Arabe s’janë të gatshme ta pranojnë me asnjë çmim.

Rezultati i pritur
Pra, SHBA do të sigurohet që konfliktet shpërqendruese të nxitura nga Rusia në Lindje të Mesme të ngelen të kontrolluara, edhe atë në aleancë me Britaninë, Australinë, Izraelin, Turqinë dhe Vendet Arabe. Dhe kjo është duke ndodhur, sepse as Rusia e as Irani nuk kanë asnjë fuqi e as interes të përballen drejtëpërdrejtë me furinë shkretuese të flotës ushtarake amerikane të kombinuar me forcat ajrore, tokësore dhe satelitore. Prandaj, përderisa Ukraina e mbështetur nga SHBA është duke e lodhur gradualisht Rusinë sikurse që e kishte lodhur BRSS-në Afganistani po ashtu i mbështetur nga SHBA, atëherë SHBA me aleatët e saj do të kujdeset që konfliktet shpërqendruese të Rusisë të jenë lehtësisht të vërejtshme, të parandalueshme dhe pse jo të kontrollueshme.

Prandaj, sado që Rusia do të mundohet të nxisë konflikte shpërqendruese, aq më humbëse do të dalë në tërë këtë mozaik kompleks ndërkombëtar. Së paku historia na ka mësuar që Rusia ka dalë ‘e lagur’ nga të gjitha përballjet me SHBA-të. Dhe ky është lajmi i mirë për shqiptarët. Fitorja e Perëndimit në Ukrainë do të jetë fitore historike edhe për shqiptarët. Vetëm shikoni se si sapo shpërtheu lufta në Ukrainë, Evropa e frikësuar nga Rusia, menjëherë ia hapi të gjitha dyert Shqipërisë. E kjo pa kontributin e SHBA-së as që do të mund të paramendohej.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
EURO 2024 dhe Serie A, dy ekskluzivitetet absolute të Artmotion këtë vit

Të tjera