Lajme

Ligji i Pagave pritet të hyjë në fuqi në shkurt të vitit 2023, problem mbetet mospërcaktimi i vlerës monetare të koeficientit

Autori: Gazeta inFokus 20:47 | 22 December 2022

Projektligji për Paga është miratuar të enjten në Kuvendin e Kosovës.

Qëllimi i këtij ligji është që të krijojë një sistem të njëtrajtshëm të pagave në sektorin publik, që përfshin parimet dhe rregullat për përcaktim të pagës në sektorin publik.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ishte i vetmi që abstenoi, ndërsa opozita nuk morri pjesë fare në votim pas vërejtjeve që i pati lidhur me koeficientin.

-Advertisement-

Deputeti i LVV-së, Halil Thaçi, pas votimit përmes një statusi në Facebook tha se Projektligji tashmë i miratuar hyn në fuqi në shkurt të 2023.

“Me 63 vota PRO kaluam Ligjin e Pagave për Zyrtarët Publikë në lexim të dytë. Ligji hynë në fuqi nga muaji shkurt”, ka shkruar deputeti i LVV-së.

Nga shoqëria civile thonë se mbetet problem mospërcaktimi i vlerës monetare të koeficientit.

Hulumtuesi nga KDI, Eugen Cakolli në një prononcim për Telegrafin ka thënë se ka gjasa reale që Ligji i Pagave të hyjë në fuqi në fillim të shkurtit të vitit 2023 duke pasur parasysh procedurat në për të cilat kalon ai.

Ai thotë se për dallim nga Projektligji i Pagave që ishte propozuar para tri viteve, është më i vështirë kontestimi i tij në Kushtetuese për shkak të mospërcatimit të vlerës monetare të koeficientit.

Cakolli thotë se megjithatë mospërcaktimi i vlerës monetare të koeficientit në këtë Ligj të Pagave mbetet problem.

“Mungesa e vlerës monetare të koeficientit, që përdoret si bazë për përllogaritjen e pagës, cenon parimin e parashikueshmërisë dhe sigurisë juridike që duhet të ofrojë ligji”, ka deklaruar Cakolli.

Por cilat janë procedurat e hyrjes së ndonjë ligji në fuqi pas miratimit të tij në Kuvendin e  Kosovës.

Ligji i miratuar nga Kuvendi nënshkruhet nga Kryetari i Kuvendit dhe i dërgohet për shpallje Presidentit të Republikës së Kosovës, jo me herët  se tetë (8) ditë nga dita e miratimit në Kuvend.

Në rast se ligji i miratuar nga Kuvendi kontestohet sipas nenit 113, paragrafi 5 i Kushtetutës, ligji i dërgohet Presidentit të Republikës së Kosovës për shpallje në pajtim me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Ndryshe, Partia Demokratike e Kosovës, ka paralajmëruar se do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese, Ligjin për Pagat e Zyrtarëve Publik, të miratuar sot në Kuvendin e Kosovës.

Këtë e bëri të ditur kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, në një postim në llogarinë e tij në Facebook.

Sfidimi i Ligjit në Gjykatën Kushtetuese

Sipas nenit 113, paragrafi 5, të Kushtetutës së Kosovës, çdo ligj i miratuar nga Kuvendi i Kosovës mund të kontestohet në Gjykatën Kushtetuese.

Kjo mund të bëhet nga 10 apo më shumë deputetë, të cilët brenda një afati prej 8 ditësh nga dita e miratimit, kanë të drejtë të kontestojnë kushtetutshmërinë e çfarëdo ligji ose vendimi të miratuar nga Kuvendi, si për përmbajtjen, ashtu edhe për procedurën e ndjekur.

Gjykata Kushtetuese mund të suspendoj përkohësisht ligjin e kontestuar derisa të marrë një vendim për të, nëse e vlerëson se aplikimi i ligjit mund të shkaktoj dëme të pariparueshme.

Vendimi i Gjykatës Kushtetues është i detyrueshëm për Kuvendin e Kosovës, sikurse për institucionet tjera. Në rast se Gjykata Kushtetuese nxjerrë vendim për shfuqizimin e ligjit atëherë vendimi hynë në fuqi ditën e publikimit të tij, përveç në rast se është përcaktuar ndryshe. Vendimet e gjykatës publikohen edhe Gazetën Zyrtare.

Sfidimi i Ligjit nga Presidenti

Sipas nenit 80 të Kushtetutës, Presidenti i Republikës së Kosovës, në afat prej tetë ditësh pasi të ketë marrë ligjin, kthen Ligjin e miratuar nga Kuvendi dhe nënshkruar nga Kryetari i Kuvendit.

Nëse Presidenti e kthen ligjin për rishqyrtim në Kuvend, ai duhet të theksojë arsyet e kthimit të ligjit.

Ligji i kthyer nga Presidenti përfshihet pa vonesë në agjendën e mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, e cila ligjin ia dërgon menjëherë komisionit funksional raportues për shqyrtim.

Në këtë fazë komisioni funksional raportues ka në kompetencë të shqyrtojë vetëm çështjet që i përmban vendimi i Presidentit dhe brenda afatit prej dy javë pune ia paraqet raportin me rekomandime Kuvendit.

Komisioni funksional raportues pas shqyrtimit të vërejtjeve dhe arsyeve për kthimin e ligjit nga ana e Presidentit, në raportin me rekomandime për Kuvendin mund: të paraqesë rekomandimet dhe arsyetimet për ndryshimin e dispozitave të kontestuara nga Presidenti ose të paraqesë rekomandimet dhe arsyetimet për mos marrjen parasysh të vërejtjeve nga ana e Presidentit.

Kuvendi me shumicën e votave të të gjithë deputetëve mund të vendosë: për miratimin e rekomandimit të komisionit në lidhje me marrjen parasysh të vërejtjeve të Presidentit, ku me ndryshimet e miratuara, Ligji konsiderohet i shpallur – në rast të mos miratimit të rekomandimit të komisionit në lidhje me marrjen parasysh të vërejtjet e Presidentit, ligji mbetet ashtu siç është miratuar më parë nga Kuvendi dhe konsiderohet i shpallur, dhe  për miratimin e rekomandimit të Komisionit për mos marrjen parasysh të vërejtjeve nga ana e Presidentit.

Në këtë rast ligji mbetet po ashtu siç është miratuar më parë nga Kuvendi dhe konsiderohet i shpallur.

Shpallja e ligjit

Pas nënshkrimit nga Kryetari i Kuvendit, në afat prej 10 ditë pune nga dita e miratimit, ligji dërgohet për shpallje tek Presidenti i Republikës. Sipas nenit 80 të Kushtetutës së Kosovës, Presidenti, në afat prej 8 ditësh pasi ta ketë marrë ligjin, e shpall Ligjin të miratuar nga Kuvendi.

Ligji hyn në fuqi 15 ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, përveç nëse, me vetë ligjin përcaktohet ndryshe.

Koeficientet

Pagat e punëtorëve në Kosovë llogariten duke e shumëzuar koeficientin e pagës së një pozite me vlerën monetare të koeficientit.

Raporti i koeficienteve është nga një deri në 18.

Koeficienti më i lartë, 18, sipas Projektligjit për pagat, i takon vetëm presidentit të Kosovës.

Niveli i koeficientit 17.5 i takon kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.

Koeficienti 17 i takon kryetarit të Kuvendit të Kosovës, si dhe kryeministrit.

Për mjekët specialistë, koeficienti është 12.

Mësimdhënësit në shkolla fillore dhe ato të mesme të ulëta, do të kenë koeficientin 5.6.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shijoni eksperiencën e re të blerjes në Meridian Express x EXFIS!

Të tjera