Lajme

Less: Njohja nga pesëshja varet nga shkalla e presionit që do të bëjë SHBA dhe anëtaret tjera të BE’së

Autori: Gazeta inFokus 15:25 | 17 February 2023

Ish-diplomati britanik, Timothy Less beson se Kosova do ta ketë vështirë të zhvillohet për aq kohë sa s’e zgjidhë problemin me Serbinë. Në sferën ekonomike, ai thotë se investitorët e huaj do të hezitojnë të investojnë këtu dhe se kjo ka pasoja në jetën e përditshme të kosovarëve.

Less aktualisht sheh një konflikt interesash mes Kosovës dhe Perëndimit, pasi mendon se në Prishtinë janë bërë disa llogari të gabuara. Ai tha në një intervistë për Gazetën Express se kryeministri Albin Kurti po përpiqet ta shmangë një përplasje me Perëndimin duke pranuar diçka. Perëndimi, sipas tij, megjithatë do të këmbëngulë që Kurti t’i heq kushtet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Marrëveshja me Serbinë sipas planit franko-gjerman, Less thotë se do ta afronte Kosovën me njohjen e plotë ndërkombëtare. Por, për këtë, ai tha se duhet pranuar “transferimi kuptimplotë i pushtetit në veri”. Sipas tij, kjo marrëveshje ka rrezik të dështojë po aq sa ka mundësi që të bëhet. Kështu, Less e parashikon të vështirë anëtarësimin e Kosovës në OKB. Kjo, sipas vlerësimit të tij, do të varet nga dy faktorë. Anëtarësimi në BE thotë se varet nga njohja nga pesë vendet anëtare dhe për këtë parashikon presion nga SHBA-ja. Të njëjtin parashikim e ka edhe për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

-Advertisement-

Sipas studiuesit në Qendrën për Gjeopolitikë në Universitetin e Cambridge-it, problemet me të cilat po përballet Kosova sot do të mund të ishin shmangur. Ai vlerëson se ndërkombëtarët e kanë llogaritur gabimisht dorëzimin e Serbisë.

Less parasheh të ardhme të vështirë për Kosovën. Ai tha se “veriu ndoshta do të bie nën kontrollin e Serbisë” dhe se, nëse Kosova nuk mund ta sigurojë njohjen, “ndoshta do të shkojë drejt bashkimit me Shqipërinë”.

Gazeta Express: Kosova shënon 15 vjetorin e pavarësisë. Pavarësisht se ka mbi 100 njohje dhe një mendim të GJND-së se pavarësia nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare vendi po përballet me telashe që sipas shumëkujt vijnë nga fakti se Kosova nuk është një shtet anëtar I OKB-së. Sa ia vështirëson “jetën” Kosovës fakti që nuk është anëtare e familjes botërore të kombeve?

Timothy Less: Mendoj se është e vështirë për Kosovën të zhvillohet për aq kohë sa statusi i saj është i paqartë. Jeta politike dominohet nga çështja e statusit të saj përfundimtar në kurriz të çështjeve të rendit të dytë si demokracia, korrupsioni apo mirëqenia e popullatës. Në sferën ekonomike, investitorët e huaj hezitojnë të investojnë para në një vend që nuk ka tregti dhe marrëdhënie normale me gjysmën e botës dhe që mbetet një pikë e mundshme konflikti me Serbinë. E gjithë kjo ka pasoja të prekshme në jetën e përditshme në Kosovë.

Gazeta Express: A ka qenë lehtë e parashikueshme, sipas jush, para 15 vjetësh se Kosova do të përballet me probleme të kësaj natyre, dialogu me Serbinë, gjendja në Veri që përsëri lidhet me Serbinë, apo dukej se me shpalljen e shtetit dhe me gjithë atë mbështetje ndërkombëtare, gjërat do të shkonin në drejtim tjetër?

Less: Nuk kishte asgjë të pashmangshme në problemet me të cilat ballafaqohet Kosova sot, por mënyra e shpalljes së pavarësisë së Kosovës diktoi trajektoren e saj aktuale. Për ta shmangur këtë, Kosovës i duhej ta arrinte një kompromis me Serbinë, e cila gjithmonë kishte fuqinë të mos e jepte njohjen, që do të thotë se shtetet e tjera do ta bënin të njëjtën gjë.

Po kështu edhe mbështetësit perëndimorë të Kosovës që kundërshtuan të gjitha kërkesat e Serbisë – autonominë maksimale për Kosovën, ndarjen, kompensimin territorial diku tjetër në Ballkan – dhe pastaj vazhduan ta njohin Kosovën në mungesë të një marrëveshjeje. Llogaritja e tyre ishte se Serbia do të dorëzohej, por ata e mbivlerësuan ndikimin e tyre politik dhe nënvlerësuan forcën e ndjenjës për Kosovën në Serbi.

Gazeta Express: Tash ka një mobilizim ndërkombëtar, i krahasueshëm ndoshta vetëm me Konferencën e Rambujesë dhe Bisedimet e Vjenës për të arritur një marrëveshje Kosovë-Serbi mbi bazën e një plani franko-gjerman që nuk sjell njohje nga Serbia e as garanci për anëtarësim në OKB. Ku do ta çojë kjo Kosovën nëse ka ujdi?

Less: Kjo varet nga rezultati i negociatave, por një rezultat i bazuar në një lexim të mirëfilltë të marrëveshjes franko-gjermane do ta afronte Kosovën me qëllimin e saj për njohjen e plotë nga bashkësia ndërkombëtare, pa e përfunduar domosdoshmërisht këtë proces, ndërkohë që duhet të pranojë transferimin kuptimplotë të pushtetit në veri dhe ndoshta edhe pjesë të tjera të vendit të banuara nga serbët.

Gazeta Express: A keni një ide si mund ta evitojë Kosova veton e Rusisë dhe të Kinës për ta siguruar ulësen në OKB?

Less: Nuk është e lehtë dhe do të varet nga dy faktorë. I pari është nëse Serbia e njeh Kosovën, pa të cilën Rusia dhe Kina do të hezitojnë ta pranojnë Kosovën në OKB për shkak të shqetësimeve për lëvizjet e tyre separatiste dhe aleancën e tyre tradicionale me Serbinë. I dyti është vlerësimi i tyre se si njohja do të ndikonte në marrëdhëniet e tyre me Perëndimin. Kjo është një çështje politike e cila nuk mund të parashikohet lehtë, por është e drejtë të thuhet se për momentin asnjëra nuk është e prirur ta ndihmojë Perëndimin ta zgjidhë problemin e tij të Kosovës, të paktën pa një lëshim të rëndësishëm në këmbim të cilin Perëndimi nuk ka gjasa ta japë duke pasur parasysh gjendjen e keqe të marrëdhënieve, veçanërisht me Rusinë.

Gazeta Express: Pasi që argumenti kryesor për marrëveshje Kosovë-Serbi është ecja e dy vendeve drejt BE-së, a mund të thuhet se Kosova do ta ketë më të lehtë të bëhet pjesë e BE-së pavarësisht 5 vendeve. Pyetja e njëjtë vlen edhe për anëtarësimin eventual në NATO.

Less: Faktori kyç është nëse pesë vendet do ta njohin Kosovën, gjë që varet kryesisht nga fakti nëse Serbia e bën këtë, por edhe nga shkalla e presionit me të cilin përballen nga SHBA-ja dhe anëtarët e tjerë të BE-së, dhe nga kompromiset e ndryshme të përfshira. Për sa i përket NATO-s, politika është afërsisht e njëjtë. Megjithatë, në rastin e BE-së, kjo është një pyetje kryesisht teorike, sepse nuk shoh që Kosova apo ndonjë vend tjetër në Ballkan po anëtarësohet, sepse BE-ja është shumë e dobët dhe e ndarë për t’u zgjeruar.

Gazeta Express: Tash kemi një qeveri që është skeptike në raport me ndërkombëtarët. A mendoni se për herë të parë mund të jemi në kolizion me Perëndimin apo edhe Kryeministri Kurti me gjithë rezervat po bashkëpunon me Perëndimin?

Less: Sigurisht që tani ekziston një konflikt interesash mes Kosovës dhe Perëndimit, pjesërisht si pasojë e një llogaritjeje të gabuar politike nga Kosova. Politikanët në Prishtinë panë një mundësi pas pushtimit të Rusisë në Ukrainë për të siguruar pavarësinë e plotë të Kosovës duke e bindur Perëndimin se Serbia ishte një fuqi e ngjashme irredentiste dhe një kërcënim për fqinjët e saj për të cilën zgjidhja ishte integrimi i Kosovës në BE dhe NATO, dhe integrimi i veriut në pjesën tjetër të vendit.

Kjo sigurisht ndihmoi për ta nxitur Perëndimin për t’u ri-angazhuar në Kosovë, por në fund jo ashtu siç dëshironte Prishtina. Në vend që ta pranonte zgjidhjen e Kosovës, Perëndimi mori dakordimin i cili më parë ishte në tryezë në formën e marrëveshjes së fjetur të Brukselit – domethënë autonomi për serbët në këmbim të njohjes praktike të Kosovës nga Serbia dhe njohjes formale në një moment në të ardhmen.

Sa i përket z. Kurti, ai po përpiqet ta shmangë një përplasje të plotë me Perëndimin. Ai padyshim nuk dëshiron t’u japë autonomi serbëve, por po pranon aq sa për ta shmangur një konfrontim të hapur, veçanërisht duke pranuar marrëveshjen franko-gjermane në parim si bazë për negociata, të kushtëzuara me gjashtë kërkesa që garantojnë interesat thelbësore të Kosovës.

Megjithatë, këto kërkesa ka të ngjarë të rezultojnë të papranueshme për Serbinë dhe, si rrjedhojë, për Perëndimin që herët a vonë do të këmbëngulë që ai t’i heqë ato dhe në vend të kësaj t’i përmbahet, si në parim ashtu edhe në praktikë, planit franko-gjerman ashtu siç është.

Gazeta Express: Nëse nuk siguron njohje, a mund të presim së paku në raportet Kosovë-Serbi me planin franko gjerman do të ndërpritet marrëdhënia tokskike dhe destruktive mes dy vendeve?

Less: Unë mendoj se ky rezultat beninj nuk ka gjasa. Për sa kohë që negociatat janë në zhvillim, atmosfera politike do të mbetet e tensionuar, duke pasur parasysh kundërshtimin popullor nga të dyja palët ndaj kushteve të planit dhe nxitjen e Kosovës dhe Serbisë për ta forcuar pozicionin e tyre negociues duke ushtruar presion ndaj palës tjetër.

Gazeta Express: A keni ndonjë shpresë se përvjetori i ardhshëm i pavarësisë së Kosovës do të festohet me një marrëveshje normalizimi me Serbinë?

Less: Duhet ta shohim. Por siç qëndrojnë gjërat, rreziku i dështimit është të paktën po aq i lartë sa mundësia e suksesit për shkak të kundërshtimit popullor që sapo e përmenda nga të dyja palët, dhe mungesës së kredibilitetit të karotës së Perëndimit (anëtarësimit në BE) dhe shkopit (ndalja e fondeve të zhvillimit dhe qasjes pa viza në BE), të paktën në rastin e Serbisë.

Gazeta Express: A guxoni të bëni një parashikim për atë se ku do të jetë Kosova pas 15 vjetësh?

Less: Kjo është e vështirë të parashikohet duke pasur parasysh rrjedhshmërinë e politikës ndërkombëtare në kohën e tanishme. Megjithatë, ajo që mund të them është se situata ekzistuese në Kosovë nuk është e qëndrueshme për një kohë të pacaktuar, se në një mënyrë apo tjetër veriu ndoshta do të bie nën kontrollin e Serbisë dhe se, nëse Kosova nuk mund ta sigurojë njohjen nga Serbia, ndoshta do të shkojë drejt bashkimit me Shqipërinë që Serbia e njeh, e cila ofron një strehë të sigurt dhe një zgjidhje alternative për gjendjen e saj të vështirë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera