Opinione

Le të bëhen gati për qeverisje, fituesit!

Autori: Gazeta inFokus 08:15 | 19 June 2017

Shkruan: Flamur Shala

Kur e kthejmë kokën të shohim se si kaluan tri vjet qeverisjeje në Republikën e Kosovës, ato na kthejnë t’i kujtojmë vitet 20-ta të shekullit XX në Shqipëri. Na kthejnë në vitet e ashpra të luftës për pushtet në ato pak vite të pavarësisë së saj të brishtë. Kështu ndodhi këto tri vjet në Prishtinë, jo shumë vjet pas pavarësisë dhe të një demokracie të brishtë në Kosovë.

Lufta me “kauza” popullore çoi deri te përplasja më e rrezikshme me pasoja të mëdha politike për vendin. Ishte luftë për pushtet e mbështjellur mirë me konceptin politik të “nacionalizmit socialist”, koncept ky jo i panjohur për të kaluarën e afët evropiane.

-Advertisement-

Sjellja politike kundër qeverisë së Republikës së Kosovës u mbështet nga të gjithë, pos vetë LDK-së. Ajo solli mocionin e përbashkët për rrëzimin e saj, për të hyrë në zgjedhje të parakoshshme. Të gjitha ndodhën sipas një projeksioni, por nuk u prit rezultati që doli nga zgjedhjet e 11 qershorit 2017.

Shihet qartë se pas zgjedhjeve të fundit në Kosovë mund të ketë vështirësi në formimin e institucioneve. Fituesit e ashtuquajtur po e shohin rezultatin e tyre dhe ai rezultat po i nxit dhe po ua shton ambiciet për qeverisje stabile. Le të bëhen gati për qeverisje fituesit, jo humbësit.

Sot, në këto ditë paszgjedhore, në Prishtinë ka maturi politike nga ata që e kanë kultivuar herë-herë atë, ka nga LDK. Kjo sjellje duhet të dalë si e tillë sepse, në njërën anë ka të bëjë me të gjithë ata që me mocion e rrëzuan qeverinë që e udhëhoqi dhe me ata që për tri vjet nuk e lanë “t’i çelë sytë” me “kauza të mëdha”. Një kthim në rolin opozitar të denjë të LDK-së do të kishte të bënte me kthimin ndaj vetes së saj, strukturave dhe të anëtarësisë. Këtë do ta bënte me përkushtim duke iu kthyer të gjithë votuesve të saj, për një të ardhme të mirë të vendit.

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Intervistë: Dr. Gorazd Konjanovski – Klinika Zhan Mitrev ka luajtur një rol kyç në vendosjen e themeleve në kardiokirurgji dhe…
-Advertisement-

Të tjera