Lajme

Ky vit konsiderohet vendimtar për vetingun në drejtësi

Autori: Gazeta inFokus 08:59 | 05 January 2023

Viti 2023 mund të jetë vendimtar për sa i përket vetingut në drejtësi. Në Ministrinë e Drejtësisë nuk e dinë nëse vetingu do të përmbyllet gjatë vitit 2023, dhe thonë se kjo është në dorën e legjislativit. Ndërkaq, juristët thonë se përmbyllja e vetingut me sukses dhe pa vonesa, është e nevojshme. Por, sipas tyre, sfidë për këtë mund të jetë sigurimi i 2/3 të votave të deputetëve të komunitetit serb.

Ministria e Drejtësisë gjatë vitit 2022 filloi punën për vettingun në drejtësi, i vlerësuar shumë i domosdoshëm. Pas një pune të bërë, u vendos që ky proces të kalojë nga Qeveria në Kuvend, ku në dhjetor u Formua Komisioni Ad-hoc për Vetingun. Komisioni që përbëhet nga përfaqësues të të gjitha partive parlamentare, brenda 6 muajsh pritet të dalë me amendamentet kushtetuese për vetingun në drejtësi dhe të miratojë bazën e nevojshme ligjore. Por, jo çdo gjë mund të shkojë sipas planeve.

Radio Kosova ka pyetur Ministrinë e Drejtësisë nëse kanë pritje që gjatë vitit 2023 të përfundojë vetingu.

-Advertisement-

“Është në dorën e Kuvendit se kur do ta përfundojë punën. Gjithsesi, Ministria nga afër do të ndjekë punën e komisionit dhe do të kontribuojë tutje në këtë reformë”, kanë thënë një përgjigje me shkrim nga kjo ministri.

Problem madhor që vetingu të përmbyllet mund të jetë sigurimi i 2/3 të votave të deputetëve të komunitetit serb. Këtë e thekson edhe Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, i cili thotë se duhet më shumë punë për të siguruar votat e deputetëve serbë, në mënyrë që vetingu në drejtësi të përmbyllet me sukses.

“Rrjedha e vetingut varet nga ajo nëse gjatë vitit të ardhshëm do të sigurohen votat e duhura të deputetëve serbë, për amendamentimin e Kushtetutës. Nëse gjatë 2023-ës do të miratoheshin amendamentet dhe ligji për vetingun, atëherë ky do të ishte një sukses më vete. Përderisa, dyshojmë se procesi i vetingut mund të fillojë para vitit 2024, dhe të përmbyllet brenda të njëjtit vit”, tha Miftaraj.

Profesori Ismet Salihu thotë se vetingu në drejtësi është i nevojshëm. Gjatë realizimit të këtij procesi duhet pasur kujdes, thotë tutje ai, teksa shpreh mendimin se jo të gjithë duhet të përfshihen nga vetingu.

“Nuk duhet t’i hyhet vetingut pa përgatitjet e duhura dhe në formë fushate. Pastaj, meqë një pjesë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që janë inkuadruar në sistemin e gjyqësisë në 2-3 vitet e fundit, janë persona që i kanë kaluar fazat e vlerësimit dhe verifikimeve, mendoj se s’do të duhej fare të përfshiheshin në procesin e vetingt”, tha ai.

Gjatë vitit 2022, nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe ai Prokurorial kanë thënë se nuk përkrahin një veting të plotë në drejtësi.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Rëndësia e komunikimit efektiv midis Familjes dhe Kopshtit

Të tjera