Lajme

Ky është zyrtari rus që sot u shpall non – grata, akuzonte UÇK-në për krime në raportet e tij

Autori: Gazeta inFokus 16:25 | 31 December 2021

Ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla, njoftoi sot se me vendim të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti kanë shpallur non-grata një zyrtar rus të UNMIK-ut në Kosovë.

Sipas ministres deri te ky vendim erdhi sepse zyrtari rus kishte kryer veprimtari të dëmshme që cenon sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës.

Gazeta Infokus mëson se personi i shpallur non – grata është Andrea Antonov, i cili prej vitit 2016 e edhe mometalisht në UNMIK kishte pozitën e Shefit për Sjellje dhe Disiplinë, (Chief, Conduct and Disipline).

-Advertisement-

Ndërsa para kësaj Andrea Antonov, që sot u shpall non grata nga qeveria, kishte qenë pjesë e panelit Këshillues për të Drejtat e Njeriut. Në këtë pozitë ai qëndroi prej vitit 2011 deri në vitin 2016.

E pikërisht duke qenë pjesë e këtij paneli ai ishte një ndër njerëzit kryesor që shkruante raporte dhe merrej me vrasjet e serbëve kinse të kryera nga UÇK-ja në Kosovë. Ai është marrë me pjesën se pse kinse këto krime të kryera nga UÇK-ja nuk janë hetuar por janë ndaluar hetimet.  Këtë detyrë Antonov e kreu kryesisht në zonën e Rahovecit.

“Opinioni ka të bëjë me një hetim të Policisë/Prokurorëve të UNMIK-ut për sulmin e UÇK-së në vitin 1998 ndaj popullatës serbe në Rahovac, Hoçë të Madhe, Zoçishtë dhe Retimlje, pasuar nga një rrëmbim masiv i popullatës civile. Në të mbetën 100+ burra serbë të zhdukur dhe vetëm rreth 30 të identifikuar në varreza masive (si Volujak dhe Malishevë)… Një situatë tjetër kur hetimet mjaft të mira u “shkatërruan” pa shpjegim”, thuhet në njërin nga këto raporte, ku Antonov kishte rolin e zyrtarit ekzekutiv.

Paneli Këshilldhënës për të Drejtat e Njeriut në të cilin punonte zyrtari rus, bënte shqyrtimin e ankesave për shkeljet e pretenduara të të drejtave të njeriut të kryera nga ose që i atribuoheshin Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) si dhe i bënte rekomandime Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm (PSSP) në Kosovë kur ishte e nevojshme apo e përshtatshme.

Para se të punonte në Kosovë, ai kishte shërbyer si pjesë e UNMIK-ut në Sudan dhe Sierra de Leone.

Ndërsa menjëherë pas ardhjes së UNMIK në Kosovë ai ishte fillimisht zyrtar ligjor në Divizionin e Krimeve në Departamentin e Drejtësise i udhëhequr nga UNMIK, prej vitit 2004 deri në vitin 2008./Gazeta Infokus/

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Rëndësia e komunikimit efektiv midis Familjes dhe Kopshtit

Të tjera