Ekonomi

Kuvendi do e shpëtonte Postën me 2.5 milionë euro që pritet ia jap KEDS-it

Autori: Sylejman Sylejmani 15:59 | 11 April 2019

Me 2.5 milionë euro sa ka paraparë Kuvendi i Kosovës, t’ia japë KEDS-it për faturat e Radio Televizionit të Kosovës, menaxhmenti i Postës së Kosovës thonë se do të dilnin nga kriza.

Punëtorët e kësaj ndërmarrje publike, të cilët ende nuk i kanë marrë pagat e muajit mars, janë të bindur se të njëjtin shërbim do ta kryenin me kosto më të lirë.

“Kjo do t’i kishte ndihmuar Postës së Kosovës dhe nuk do t’i kishte problemet që i ka sot. Edhe pasqyrat financiare po t’i shihni ju i shihni diferencat që ne jemi rentabil, por për shkak të likuiditetit të ndërmarrjeve dhe hartimit të të hyrave që vonohen nga palët e treta, po na mungon. Përndryshe ky shërbim do t’i ndihmojë Postës, do ta avancojë dhe do të ndikojë pozitivisht në mbajtjen e këtyre familjeve të punëtorëve të Postës”, thotë Bashkim Mustafa nga Posta në një prononcim për Gazetën inFokus.

-Advertisement-

Mustafa thotë se Posta ka oferta atraktive për ata të cilët dëshirojnë të kryejnë shërbime përmes saj.

“Besueshmëria e qytetarëve është në nivelin më të lartë të mundshëm, ku kemi deri në 91 për qind të tregut të shpërndarjes së dërgesave postare. Kemi pasur një rritje nga 67 për qind që ka qenë në vitin 2012, deri në 91 për qind. Ne kemi dërgesa që dërgojmë me 40 – 50 cent. Posta e Kosovës i njeh të gjitha adresat në Kosovë. Përderisa tatimi në prona i shpërndahet çdo familje atëherë i kemi edhe adresat dhe mund të depërtojmë tek secila familje”, ka treguar Mustafa.

Deputetët, sipas tij do të bënin gabim të madh në rast se ia japin këtë shërbim KEDS-it.

Kjo pasi, Mustafa thotë se KEDS-i nuk është i licencuar për këtë shërbim, si dhe është dënuar dy herë nga Agjencioni për mbrojtjen e të dhënave përesonale, për shkak të mos përfilljes së ligjeve në Kosovë.

Si shkak i situatës së rëndë të Postës, punëtorët e saj ka 11 ditë që nuk kanë marrur paga.

Kryetari i sindikatës së punëtorëve të Postës, Etrit Hoti ka thënë për inFokus se janë rreth 200-300 punëtorë që kanë mbetur pa paga.

“Një pjesë e punëtorëve të Postës i kanë marrur pagat, një pjesë tjetër jo. Bëhet fjalë për 5-6 ditë prej afatit ligjor, që është prej datës 1 deri në 5 të çdo muaji, por besoj që nesër kryhet. Nja 200-300 punëtorë janë që kanë mbetur pa paga. Pa përkrahjen e Qeverisë nuk mund të dalim nga kjo situatë”, ka thënë Hoti. /Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera