Lajme

Kusari-Lila: Nuk ka alternativë tjetër përveç dialogut politik dhe arritjes së një marrëveshjeje!

Autori: Gazeta inFokus 13:56 | 11 August 2026

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës është shqetësim për qytetarët, mërgimtarët dhe bizneset.

Ajo ka theksuar se situata aktuale kërkon dialog politik dhe marrëveshje ndërmjet drejtuesve politikë e partiakë, në mënyrë që të përcaktohen afatet për konstituimin e Kuvendit, votimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit.

“Moskonstituimi i Kuvendit është brengë për mërgimtarët, është brengë për qytetarët e Republikës, është brengë shumë e madhe për bizneset për sigurinë e investimeve në Kosovë”, ka deklaruar Kusari-Lila.

-Advertisement-

Ajo ka thënë se nuk ka alternativë tjetër përveç dialogut politik dhe arritjes së një marrëveshjeje.

“Megjithatë, nuk ka alternativë tjetër pos dialogut politik, arritjes së marrëveshjes politike dhe pranimit të drejtuesve politikë e partiakë të Republikës së Kosovës se veç të ulen, të dakordohen dhe të kemi një orar e afat edhe të konstituimit të Kuvendit, të votimit të Qeverisë dhe të zgjedhjes së presidentit”, ka thënë ajo.

Kusari-Lila ka shprehur keqardhje për faktin që komunikimi ndërmjet drejtuesve politikë, sipas saj, po zhvillohet përmes mediave dhe jo përmes takimeve.

“Sinqerisht ju them të drejtën, është një keqardhje që komunikimi i drejtuesve politikë, në veçanti të opozitës së deritanishme, po bëhet përmes mediave e jo përmes pranimit të pjesëmarrjes e prezencës në takim”, ka deklaruar Kusari-Lila.

Ajo ka thënë se e kupton rëndësinë e deklaratave politike dhe komunikimit me elektoratin, por ka theksuar se interesi i shtetit është i përbashkët.

“Unë e kuptoj rëndësinë e deklaratave politike, kuptoj rëndësinë e komunikimit me elektoratin e secilit, se fatmirësisht jemi në demokraci. Secili ka votuesit e përkrahësit e orientimeve të veta politike, por interesi i shtetit është një. Kosova ka nevojë për Kuvend të konstituuar, për Qeveri të votuar, për President ose Presidente që është në zyrë me mandat të plotë”, ka thënë ajo.

Sipas saj, mospranimi për t’u takuar për konstituimin e institucioneve përbën shkelje të besimit demokratik.

“Më shumë është shkelje e besimit demokratik mos-takimi për konstituim të institucioneve, sesa i përket vetëm formës për ta realizuar një formë. Dhe për t’u ofruar, sepse për të parë atë çfarë pamë në seancën e fundit, nuk e besoj që ka vlerë të shtohet. Për deri sa nuk ka një takim i cili e konfirmon se ka dakordim për të ecur përpara, nuk e kuptoj poentën e këtyre qëndrimeve”, ka deklaruar Kusari-Lila.

Düsseldorf–Prishtinë, dy fluturime në ditë – rezervoni me PrishtinaTickets
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy