Lajme

Kurti përmend të arriturat e qeverisë për artin e sportin në kryeqytet

Autori: Gazeta inFokus 15:46 | 31 August 2024

Kryeministri Albin Kurti, thotë se qeveria e tij ka dhënë dëshmi të panumërta të punëve të të rinjve të talentuar të Prishtinës.

Ai përmendi punët e përfunduara lidhur me këtë, dhe ato që janë në proces e sipër.

49-vjeçari tha se investimet e qeverisë për kushte më të mira infrastrukturore në shërbim të artistëve e sportistëve nuk do të ndalen asnjëherë.

-Advertisement-

Më poshtë mund të lexoni shkrimin e plotë të Kurtit, të publikuar në Facebook.

“Qeveria për artin e sportin në kryeqytet. Kemi dhënë dëshmi të panumërta të punëve në dobi të të rinjve të talentuar të Prishtinës. Investimet tona për kushte më të mira infrastrukturore në shërbim të artistëve e sportistëve nuk do të ndalen asnjëherë. Ka përfunduar rinovimi i tërësishëm i fushës së stadiumit “Fadil Vokrri”. Fusha hibride është fjala e fundit e teknologjisë në botë dhe e para e këtij lloji në shtetin tonë. Kemi rinovuar palestrën e sportit të Pallatit të Rinisë, e cila përveç kampionateve shtetërore, mirëpret plot ngjarje ndërkombëtare të sportit. Për nevojat e futbollit në kryeqytet, vazhdon ndërtimi i stadiumit ndihmës në Bërnicë. Gjithashtu, kemi hartuar projektin zbatues dhe kemi siguruar buxhetin e nevojshëm për ndërtimin e palestrës së re multi-sportive në kryeqytet. Jemi në pritje të ndarjes së lokacionit nga Komuna e Prishtinës për të vazhduar me procedurën e ndërtimit të kësaj palestre me rëndësi të veçantë për sportet.
Kemi nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit me ndërmarrjen publike “Pallati i Rinisë dhe Sportit” për rivitalizimin e njërës nga ndërtesat më ikonike të Prishtinës.
Në kuadër të Pallatit, kemi rinovuar amfiteatrin që aktualisht e akomodon Teatrin Kombëtar të Kosovës. Shumë shpejt pritet të nisë edhe rinovimi i sallës së Ateliesë dhe amfiteatrit të dytë ku vepron Teatri ODA dhe shtëpitë e pavarura teatrore të kryeqytetit. Për të vazhduar në radhë me Sallën e kuqe dhe Atriumin.
Ndërtesat e institucioneve të kulturës kishin dekada pa investime. Kanë nisur punimet për rinovimin (restaurimin) e tërësishëm të ndërtesës kryesore të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Restaurimi ka nisur edhe në ndërtesën e Muzeut Kombëtar të Kosovës, me synim përmirësimin e kushteve ku ruhet thesari më i pasur kulturor i shtetit. Derisa rinovimi i sallës së ushtrimeve të Ansamblit Shota ka përfunduar, aktualisht, edhe Galeria në lagjen Qafa dhe ndërtesa e Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës po i nënshtrohen rinovimit, ndërsa rinovimi i ndërtesës së Galerisë Kombëtare të Kosovës pritet të nisë muajve në vijim. Me të përfunduar dhe miratuar projekti përfundimtar, do të nisim edhe procedurën e restaurimit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.
Në arkeologji në nivel vendi kemi ndërmarrë veprime serioze. Në rajonin e Prishtinës jemi duke zhvilluar punime në dy lokalitete të rëndësishme arkeologjike, në Marec dhe Harilaq.
Restaurimi në moment të fundit e pati shpëtuar nga rrënimi Eminxhikun, ndërtesën e Muzeut Etnografik të Prishtinës. Aktualisht po punojmë në instalimin e ekspozitës së përhershme të këtij muzeu që rrëfen historinë e kulturës shqiptare. Një tjetër ndërtesë e kthyer në muze, ish Burgu i Prishtinës, i hapi dyert me ekspozitë të përkohshme, ndërsa tani kemi kontraktuar ekipin profesional që po e koncepton ekspozitën e përhershme. Tri nga shtëpitë e bukura të Prishtinës janë në proces restaurimi. Deri në fund të vitit pritet që t’u kthehet shkëlqimi i dikurshëm shtëpisë së Hynilerëve, shtëpisë së familjes Sylejmani dhe asaj të familjes Safqi.
Pas përfundimit të ndërhyrjeve konsoliduese në ndërtesën e ish-Vetfarmit, jemi në përfundim të projektit zbatues për restaurimin e ndërtesës së shkollës së parë shqipe në Prishtinë. Brenda pak javësh pritet të përfundojë restaurimi i Rezidencës së Presidentit Ibrahim Rugova në Velani, ndërsa jemi në fazën e fundit projektuese për restaurimin e ndërtesës së Kryqit të Kuq. Pas një stagnimi mbi një dekadë, ka përfunduar restaurimi i Xhamisë së Çarshisë, ndërsa vazhdon procesi i hartimit të planit të menaxhimit të Hamamit të Madh. Gjithashtu, projekti për restaurimin e Xhamisë Sudi Efendi është në proces të pajisjes me pëlqimin përfundimtar para shpalljes së procedurës së prokurimit.
Nuk përfundon me kaq. Jemi duke zhvilluar negociata për kredi ndërkombëtare për investimin e madh në Qendrën e Studentëve të Prishtinës, e cila gjatë Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030” do të shndërrohet në fshatin mesdhetar që do të akomodojë mijëra sportistë nga 25 shtete pjesëmarrëse. Pas themelimit me ligj dhe hartimit të konceptit nga artistë të njohur të Kosovës, ka nisur hartimi i projektit për Muzeun e Artit Bashkëkohor të Kosovës, i cili do të akomodohet brenda aneksit të Pallatit të Shtypit (Rilindja). Po brenda Pallatit të Shtypit do të ndërtojmë amfiteatrin e ri të Prishtinës, aktualisht në proces të hartimit të projektit. Dhe pas konkursit ndërkombëtar, kemi shpallur studion ndërkombëtare fituese për hartimin e projektit të Teatrit të Operës dhe Baletit. Parashihet që pas një viti ta kemi projektin zbatues të TOB, i cili na mundëson të nisim procedurat për ndërtimin e asetit më të madh kulturor të Republikës.
Edhe shumë punë na presin. Nuk do të ndalemi. Për Prishtinën tonë, kryeqytetin e Republikës. Për Prishtinën e Manifestës e të Lojërave Mesdhetare”, thuhet në postimin e kryeminsitrit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Për Festën e Bajramit, ZBRITJE deri n’KUPË t’QIELLIT!
-Advertisement-

Të tjera