Lajme

Kryetari i Deçanit i ashpër me Europa Nostran, e quan skandaloz raportin e tyre për Manastirin

Autori: Gazeta inFokus 11:41 | 15 July 2022

Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj ka reaguar ndaj raportimit të delegacioni ,,EuropaNostra”, duke theksuar se raporti është i pabazuar dhe nuk përket me realitetin e përditshëm i cili ndodh në komunën e Deçanit.

“Manastiri i Deçanit konsiderohet si potencial i rëndësisë së veçantë për zhvillimin kulturor dhe turistik të kësaj ane, duke vlerësuar funksionimin konform normave dhe ligjeve mbi të cilat funksionon ky shtet”, ka shkruar Ramosaj.

Kryetari i Deçanit përmes një shkrimi në facebook ka shkruar po ashtu:

-Advertisement-

,,Vlerësojmë se raporti i publikuar me datë 13.07.2022, nga “EuropaNostra” është i pabazuar dhe nuk përket me realitetin e përditshëm i cili ndodh në komunën e Deçanit. Në këtë raport “EuropaNostra” fokusohet në tri pika kryesore dhe jo vetëm. Referuar raportit të “EuropaNostra” për të cilin shpreh keqardhje për formën dhe përmbajtjen mbi të cilën është ndërtuar ky raport. Më lejoni të sqaroj për “EuropaNostra” dhe gjithë mekanizmat tjerë disa çështje thelbësore të rëndësishme, referuar tri pikave mbi të cilat është hartuar ky raport. Së pari, nga komuna e Deçanit, institucionet tjera të këtij vendi e në veçanti nga qytetarët e kësaj komune, Manastiri i Deçanit konsiderohet si potencial i rëndësisë së veçantë për zhvillimin kulturor dhe turistik të kësaj ane, duke vlerësuar funksionimin konform normave dhe ligjeve mbi të cilat funksionon ky shtet e që kanë të bëjnë me ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe historike, duke theksuar në veçanti të kaluarën dhe të sotmen identitare të këtij Manastiri. Rikujtojmë se ky Manastir si vlerë e trashëgimisë kulturore, historike dhe fetare, është pjesë e “Pakos së Ahtisarit”, Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ligjeve tjera pozitive të Republikës së Kosovës si dhe mbrohet me Ligjin për Zonat e Veçanta të Mbrojtura nga i cili ligj derivon KZM-ja (Këshilli Zbatues Monitorues) për Zona të Veçanta. Vlerësojmë se pretendimi i “EuropaNostra-s”: “Që Manastiri i Deçanit herë pas here ballafaqohet me tendencën për të rishikuar identitetin kulturor dhe historik”, është i pabazuar, është dashakeqës dhe nuk i kontribuon qëllimeve parimore të Republikës së Kosovës, parime këto të sanksionuara me ligjet apo normat e lartcekura. E themi me përgjegjësinë më të lartë se objektivat dhe qëllimet e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të komunës së Deçanit janë paqësore, objektiva të zhvillimit ekonomik dhe bashkëjetesës së harmonizuar, duke respektuar, mbrojtur e njohur vlerat e kujtdo qofshin në këtë shtet e në veçanti të Manastirit”, ka shkruar mes tjerash Ramosaj .

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Caffe zgjeron shtrirjen në rajon, arrin marrëveshje bashkëpunimi me zinxhirin kroat Plodine

Të tjera