Lajme

Kryespiuni amerikan në Kosovë e rajon: Krejt çka dihet nga vizita e tij në Prishtinë, Beograd e Sarajevë

Autori: Gazeta inFokus 20:15 | 22 August 2024
E paparalajmëruar.

Kështu u raportua në Bosnjë e në Beograd, e në fund edhe në Prishtinë, vizita e Drejtorit të CIA-s.

William Burns, nisi një turne në Ballkan, me vizitën e tij të parë të zhvilluar në Sarajevë, dy ditë më parë.

-Advertisement-

Nga atje nuk është se pati shumë informacione mbi temat e diskutuara, përpos një deklarimi të ministrit të jashtëm të atij vendi, Elmedin Konakoviq.

Konakoviq, vizitën e drejtorit të CIA-s e konsideroi si shumë të rëndësishme.

“Ky është një konfirmim që ShBA i mban në krye të prioriteteve këto zona tona, veçanërisht Bosnjë-Hercegovinën. Kjo do të thotë shumë për stabilitetin e rajonit tonë. Ardhja e njeriut të parë të CIA-s është mesazhi më i qartë i administratës amerikane për të gjithë në rajon dhe në botë se administrata amerikane është shumë e pranishme”, tha Konakoviq për median boshnjake “Avaz.ba”, transmeton Klankosova.tv.

Të nesërmen, ndonëse konfirmim apo mohim zyrtar nuk pati, kryespiuni amerikan Burns u raportua se “u vizatua” në Beograd, por që nga atje informacione zyrtare për këtë vizitë nuk pati pothuajse fare.

Gjithçka u mbajt hermetikisht e mbyllur.

Por, shefi i agjencisë më të fuqishme botërore të inteligjencës, William Burns, erdhi edhe në Prishtinë.

Këtu kishte pak më shumë transparencë. Aeroplani i Air Force One u pa në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, ndonëse konfirmim zyrtar se me të ka fluturuar Burns nuk ka. Ai madje u pa edhe teksa hyri në Presidencë.

Në këtë ndërtesë, ai u takua me shefen e shtetit, Vjosa Osmanin. Se çka u tha e çka u bisedua, vështirë se do të merret vesh ndonjëherë.

Më pastaj gazetari i Klan Kosovës, Besnik Tahiri njoftoi se Burns ka shkuar edhe në ndërtesën e agjencisë homologe të CIA-s, atë të AKI-së.

Aty, sipas të gjitha gjasave, takim ka zhvilluar me kreun e këtij institucioni, Petrit Ajeti.

As nga ky takim nuk pritet të ketë informacione se për çfarë u bisedua.

Megjithatë, u tha se kjo vizitë e kryespiunit amerikan është zhvilluar për dy arsye: për Kosovën dhe për Bosnjën.

Pas përfundimit të vizitës së tij në Sarajevë, ku pati takime me kolegë nga komuniteti i inteligjencës, me anëtarët e presidencës së këtij vendi, dhe me ministrin e jashtëm të vendit, presidenti i Republika Sërpskas, Millorad Dodik, doli me një deklaratë befasuese.

“Asnjëherë nuk kemi kërkuar shkëputjen e Republika Sërpskas” nga Bosnja e Hercegovina, tha Dodiku në një postim në X.

Befasuese, sepse me këtë deklaratë, Dodiku i ka ndërruar fjalët. I njëjti, në vitet e kaluara vazhdimisht ka përmendur mundësinë e shkëputjes së Republika Sërpska nga BeH.

Vetëm një muaj më parë, Dodiku tha se “vendimi për shkëputje është marrë, por data nuk dihet ende”.

“Ka një vendim për ndarje, por ende nuk është caktuar një datë specifike. Duhet bërë shumë analiza. Ne do të donim që tani, por përveç nesh janë edhe dy palë të tjera në proces. Kjo, natyrisht, kërkon kohë”, pati thënë Dodiku në një intervistë për agjencinë ruse të lajmeve TASS në margjinat e Forumit Ekonomik Ndërkombëtar në Shën Petersburg.

“Ne jemi të sigurt se në këtë fazë tashmë ka mjaft pjekuri historike, të përgjithshme civilizuese dhe mirëkuptim se kjo duhet dhe do të ndodhë”, kishte shtuar Dodik.

Sipas fjalëve të tij në atë kohë, qëndrimi brenda Bosnje dhe Hercegovinës për Republika Sërpskan është “sinonim i humbjes së kohës dhe mundësive”.

“Prandaj është e nevojshme që sa më shpejt të zbatohet ajo që duam, në mënyrë që të ndalojmë humbjen e burimeve duke shpresuar se Bosnja dhe Hercegovina do të bëjë diçka”, shtoi Dodiku. Në të njëjtën kohë, ai pretendonte se Republika Sërpska “absolutisht” nuk dëshiron të krijojë “paqëndrueshmëri”.

Ndërkaq sot, presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, priti në Beograd pikërisht Dodikun. Në njoftimin e kreut të shtetit serb në Instagram për këtë takim, mes tjerash, u tha: “Takimi u dominua nga temat ekonomike, por bëmë edhe një analizë të përbashkët të çështjeve globale dhe rajonale”.

Raportet mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të ShBA-së, sipas të dërguarit të Bidenit në Kosovë, Jeff Hovenier, nuk janë në nivel të kënaqshëm.

“Ashtu siç tha zëdhënësi i DASh-it, qeveria amerikane shpreson që Qeveria e Kosovës ‘do t’i kthehet angazhimit të ngushtë dhe konstruktiv me ShBA-në, BE-në, NATO-n dhe partnerët e tjerë’”.

“Por, edhe pse disa fusha të bashkëpunimit me qeverinë e tashme mbesin më pak pozitive sesa do të kishim shpresuar, përkushtimi i Shteteve të Bashkuara për popullin e Kosovës mbetet po aq i fortë si gjithmonë”, tha Hovenier në një konferencë të përbashkët me presidenten Vjosa Osmani gjatë ditës së djeshme.

Kjo çarje e raporteve ka ardhur pas shpërfaqjes së idesë për hapjen e urës mbi Lumin Ibër në Mitrovicë nga Qeveria e Kosovës.

Aleatët e Kosovës, ndër më të zëshmit ShBA-ja dhe shtetet tjera të Quint-it, kanë deklaruar njëzëri se janë kundër hapjes së urës për qarkullim të automjeteve “në këtë kohë”, dhe kanë kërkuar koordinim paraprak për këtë çështje.

Kryeministri Albin Kurti ndërkaq, ka thënë se hapja e urës nuk kërcënon askënd dhe se e njëjta duhet të hapet. /Klankosova.tv

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova nderohet me tre Çmime prestigjioze për qëndrueshmëri
-Advertisement-

Të tjera