Lajme

Kryeministri Kurti takohet me ambasadorin britanik, ZKM: U diskutua për zhvillimet e fundit në vend

Autori: Gazeta inFokus 17:18 | 03 September 2024

Kryeministri Albin Kurti e ka pritur sot në një takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë Jonathan Hargreaves.

Ata “diskutuan për marrëdhëniet bilaterale, programet e bashkëpunimit dhe për zhvillimet në vend”, sipas Zyrës së Kryeministrit.

ZKM-ja nuk përmendi mospajtimet e fundit, por tha se kryeministri e falënderoi ambasadorin britanik edhe “për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes”.

-Advertisement-

“Kryeministri falënderoi ambasadorin Hargreaves për mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për Doganën e Kosovës me pajisje teknike për luftimin e kontrabandës, si dhe për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe me Forcën e Sigurisë së Kosovës, e cila po trajnon ushtarët e Ukrainës në Mbretërinë e Bashkuar në kuadër të operacionit Interflex dhe ka kryer misione të bashkë-zbarkimit me ushtrinë e Mbretërisë së Bashkuar. Ai gjithashtu veçoi faktin se tash Kosova është pjesë e mekanizmit UK Export Finance, që ofron më shumë mundësi për investime nga investitorët e Mbretërisë së Bashkuar”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga zyra e Kurtit.

Autoritetet e Kosovës të premten i mbyllën pesë institucione paralele serbe në veri të vendit, përfshirë komunën paralele të Mitrovicës dhe kjo shkaktoi një reagim të ashpër nga bashkësia ndërkombëtare.

Ambasadori Hargreaves tha se lëvizjet e këtij lloji “kërkojnë konsultim të kujdesshëm me aleatët e palëkundur dhe partnerët e sigurisë, në kontekst të dialogut më të gjerë”. Veprimet e fundit të Qeverisë, ai tha se “rrezikojnë nxitjen e tensioneve dhe t’i prekin më të cenuarit”.

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Black Friday ne Artmotion
-Advertisement-

Të tjera