Ish-Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, është intervistuar nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Marrja në pyetje e tij është zhvilluar sot në organin më të lartë të akuzës në Kosovë, në Prokurorinë Speciale. Nga kjo e fundit nuk kanë dalë ende detaje në lidhje me çështjen për çka Aliu është ftuar, mirëpo siç merr vesh VOX Kosova, paraqitja e Aliut në Speciale ka të bëjë me skandalin korruptiv të ambalazhuesve të ujit.
Skandali i Ambalazhuesve të ujit:
Liburn Aliu, në cilësinë e Ministrit të Infrastrukturës, bashkë me Naser Hafizin, zëvendësues i Drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pallgjeve Lumore, dyshohen se i kishin falur në mënyrë të kundërligjshme borxhin kompanive të ambalazhimit të ujit, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës miliona euro.
Në raportimet e kohës, mediumi “Albanian Post”, shkruante se në rastin e vetëm 5 kompanive të ambalazhuesve të ujit (nga 27 sa janë në total) bëhet fjalë për zhvatjen dhe keqpërdorimin e 11 milionë e 152 mijë e 144 eurove të shtetit të Kosovës.
Sipas dyshimeve, Aliu bashkë me Hafizin, krimin e realizonin duke ua ulur borxhet milionëshe kompanive ambalazhuese, në vetëm disa mijëra euro, sipas Prokurorisë, me qëllim përfitimin pasuror për vete apo për të tjerët.
Në lidhje me këtë çështje, Prokuroria kishte ndërmarrë një aksion bastisjeje në vitin 2024, ku ishte arrestuar Naser Hafizi e ish-sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës, Izedin Bytyqi.
Më vonë, Prokuroria kishte zgjeruar hetimet edhe ndaj tashmë ish-Ministrit, Liburn Aliu.
DOKUMENT:





































