Lajme

Krasniqi tregon çka bisedoi me Escobarin e Lajçakun, akuzon Kurtin për mos transparencë në dialog

Autori: Islam Morina 19:52 | 24 August 2022

Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi, me anë të një postimi në Facebook ka treguar se cilat kanë qenë temat e diskutimeve mes tij dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarit të Shteteve të Bashkuara, njëherësh i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, si dhe të Dërguarit të Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, shkruan Gazeta Infokus.

Krasniqi ka thënë se ai ka shprehur qëndrimin konsistent të PDK-së në mbrojtje të interesave të shtetit si dhe bindjen e tij se përshkallëzimi i situatës në veri duhet evituar.

Ai pos tjerash ka thënë si opozitë i kanë dhënë qeverisë hapësirën e mjaftueshme ti kryej detyrat e veta e veta, por që mungesa e transparencës nga ana e kryeministrit është e dëmshme për arritjen e qëllimeve të Kosovës.

-Advertisement-

Postimi i plotë:

“Dje dhe sot kam takuar Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara dhe njëherësh të Dërguarin e Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, bashkë me Ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, si dhe të Dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Në këto takime është diskutuar për zhvillimet rreth procesit të Dialogut për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në këto takime kam shprehë qëndrimin konsistent të PDK-së në mbrojtje të interesave të shtetit tonë, duke theksuar nevojën për respektim të vendimeve të ligjshme që sigurojnë reciprocitet në raport me Serbinë, si dhe sundimin e ligjit dhe lëvizjen e lirë të të gjithë qytetarëve tanë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Po ashtu, kam shprehur bindjen tonë se përshkallëzimi i situatës në veri të vendit duhet të evitohet dhe për këtë, kërkohet angazhimi i të gjitha palëve. Koordinimi i vazhdueshëm i Kosovës me partnerët ndërkombëtar është i domosdoshëm.

Në procesin e Dialogut ne i kemi dhënë hapësirën e nevojshme Kryeministrit dhe Qeverisë për të kryer detyrat e tyre në mbrojtje të interesave të vendit, duke konsideruar se ky proces është i pa alternativë për arritjen e paqes dhe përmbylljen e konfliktit të ngrirë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sepse, Dialogun me Serbinë asnjëherë nuk e kemi parë si betejë të brendshme politike.
Por, mungesa e transparencës nga ana e Kryeministrit është e dëmshme për arritjen e qëllimeve të Kosovës. Qytetarët kanë të drejtë të plotë që të dijnë se cilat janë pozicionet e Qeverisë për të gjitha çështjet që po diskutohen në kuadër të Dialogut.

Ne besojmë se prioritet duhet të ketë angazhimi për arritjen e marrëveshjes finale, që sjell njohjen e ndërsjellë dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB, NATO dhe BE, duke ruajtur sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit tonë. Degradimi i Dialogut në nivel teknik nuk i ndihmon arritjes së këtyre objektivave shtetërore.

PDK do të jetë gjithmonë e angazhuar në mbrojtje të interesave të Kosovës, sovranitetit të vendit tonë dhe të zbatimit te kushtetutshmërisë në tërë territorin e vendit”, ka shkruar kryetari i PDK-së Memli Krasniqi, në Facebook./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Kryetari Përparim Rama pjesë e ‘Mayor’s Talk’

Të tjera