Fokus

Kosova fiton besimin e Evropës, Sogojeva Dërmaku: Do të organizojmë konferencën evropiane në vitin 2027

Autori: Gazeta inFokus 17:06 | 25 June 2026

Në shënimin e 5-vjetorit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, njëherësh edhe 15-vjetorit të themelimit të Autoritetit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale në Republikën e Kosovës, komisionerja Krenare Sogojeva Dërmaku ka prezantuar arritjet kryesore të institucionit, duke theksuar se Kosova ka forcuar ndjeshëm pozitën e saj në arenën ndërkombëtare në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale dhe qasjes në dokumente publike.

Sogojeva Dërmaku tha se gjatë viteve të fundit Agjencia ka mirëpritur mbi 150 ekspertë evropianë, duke organizuar punëtori dhe konferenca ndërkombëtare, ndërsa ka ndërtuar partneritete që kanë rezultuar me marrëveshje bilaterale.

Ajo bëri të ditur se Agjencia është bërë anëtare e Komitetit Drejtues të Rrjetit Evropian për Transparencë dhe të Drejtën e Informimit, ndërsa në prill të vitit 2025 fitoi statusin e anëtares me të drejta të plota në Konferencën Pranverore të Autoriteteve për Mbrojtjen e të Dhënave.

-Advertisement-

Shënohet 5-vjetori i AIP-së, Sogojeva Dërmaku: Transparenca dhe mbrojtja e privatësisë janë prioriteti ynë

Sipas saj, Kosovës i është besuar edhe organizimi i kësaj konference në vitin 2027, si dhe organizimi i Grupit Punues për Mbrojtjen e të Dhënave Personale në Menaxhimin e Krizave në kuadër të Asamblesë Globale të Privatësisë.

“Ky historik i aktiviteteve dhe lobimit ndërkombëtar krijoi një realitet të ri të imazhit të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare në zbatimin e standardeve të avancuara në fushën e qasjes në dokumente publike dhe mbrojtjen e të dhënave personale”, deklaroi ajo.

Komisionerja theksoi se orientimi strategjik i Agjencisë ka qenë harmonizimi i plotë me standardet evropiane, gjë që sipas saj është reflektuar edhe në raportet vjetore të Komisionit Evropian, ku është evidentuar progres i vazhdueshëm në mbrojtjen e të dhënave personale, forcimin e kapaciteteve institucionale dhe garantimin e pavarësisë së institucionit.

Ajo falënderoi partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Ambasadën e SHBA-së, Ambasadën e Holandës, Ambasadën Britanike, Zyrën e Bashkimit Evropian, Këshillin e Evropës, GIZ-in, OSBE-në dhe EULEX-in për mbështetjen e vazhdueshme në realizimin e projekteve që kanë synuar forcimin e transparencës dhe mbrojtjen e të dhënave personale.

Në fund të fjalës së saj, Sogojeva Dërmaku tha se misioni i Agjencisë nuk matet me vitet e funksionimit, por me ndikimin që ka tek qytetarët.

“Misioni ynë nuk matet me kohën që ka kaluar, por me ndikimin që kemi lënë dhe me përgjegjësinë që kemi ndaj çdo qytetari. Sepse të mbrosh të drejtat e qytetarëve do të thotë të mbrosh dinjitetin e tyre. Dhe nuk ka mision më fisnik se ky”, përfundoi ajo./GazetaInfokus.

Teknologjia në kuzhinë nuk është vetëm çështje komoditeti, por edhe kohe: Njihuni me pllakën inovative me induksion Miele KM 8000!
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy