Ekonomi

Këshilltarët e Kadri Veselit udhëtuan 118 mijë kilometra me vetura zyrtare për një vit

Autori: Sylejman Sylejmani 09:39 | 01 March 2019

Këshilltarët e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli po del se i shfrytëzojnë gogja shumë veturat e shtetit.

Rreth 17 këshilltarë sa thuhet që Veseli i ka, kanë bërë me veturave zyrtare vitin e kaluar hiqë më pak 118 mijë e 173 kilometra, shkruan Gazeta inFokus.

Kështu thuhet në raportin e shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës, të siguruar nga Gazeta inFokus, e i cili nuk ka kaluar në komisionin parlamentar për zhvillim ekonomik.

-Advertisement-

Për këto kilometra të kaluara, veturat e këshilltarëve u mbushën me 12 mijë e 927.3 litra derivate, e u paguan më shumë se 5 mijë e 578 euro për servisimin e këtyre veturave.

Këto të dhëna janë nxjerrur nga raporti për shpenzimet e Kuvendit të Kosovës për vitin 2018.

Ky raport nuk ia doli të kalojë të mërkurën në komisionin parlamentar për Buxhet e Financa.

Kjo pasi nuk votoi opozita dhe raporti nuk arriti t’i marrë votat e nevojshme për të kaluar.

Në këtë komision u dhanë shumë kritika për këshilltarët e kryekuvendarit, Kadri Veseli.

Në tre muajt e fundit të vitit 2018, rreth 17 këshilltarët e Veselit shpenzuan 60 mijë euro për udhëtime zyrtare jashtë vendit.

Ata gati i mbërrinë me shpenzime 120 deputetët e Kuvendit, të cilët për udhëtime jashtë vendit në 3 muajt e fundit të vitit 2018 shpenzuan 90 mijë euro.

Në këtë komision u përmendën disa problematika të shpenzimeve të Kuvendit.

Gazeta inFokus ka siguruar këtë dokument dhe ka filluar t’i publikojë në disa shkrime shpenzimet e Kuvendit për vitin 2018.

Diçka më shumë se 9.5 milionë euro ishte buxheti i Kuvendit për vitin 2018.

Pjesa më e madhe e këtij buxheti sikur edhe vitet e kaluara ka shkuar për paga e mëditje.

Nga këto 9.5 milionë euro, u shpenzuan rreth 8.8 milionë euro.

Kuvendi ia doli që ta shpenzojë të gjithë buxhetin që e kishte planifikuar për paga e mëditje.

Rreth 6.8 milionë euro që ishin ndarë për këtë punë, e të gjitha janë shpenzuar.

Kategoria e tretë ku Kuvendi shpenzoi shumë para, ishte për mallra e shërbime.

Nga rreth 2.2 milionë euro, u shpenzuan 1.5 milionë.

Më pak para u shpenzuan për subvencione e transfere.

Prej rreth 198 mijë eurove të planifikuara për këtë gjë, u shpenzuan rreth 179 mijë euro.

Kuvendi kishte planifikuar që të harxhonte shumë para në shpenzime kapitale.

Nga rreth 1.4 milionë euro që i kishte kërkuar nga Qeveria, Kuvendi i ka marrë vetëm 195 mijë e 800 euro.

Nga këto para, janë shpenzuar 154 mijë euro. /Gazeta inFokus

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Caffe pjesëmarrës në panairin “Gulfood Fair 2024” në Dubai

Të tjera