Lajme

Kërkohet dialog strategjik me SHBA-në edhe për dialogun Kosovë-Serbi

Autori: Gazeta inFokus 08:48 | 15 January 2025

Veç avancimit të bashkëpunimit në çështjet bilaterale strategjike mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, njohës të zhvillimeve thonë se dialogu strategjik që u promovua së fundi duhet të bëhet edhe dialogun me Serbinë, deri tash i lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Hapi i parë që duhet ndërmarrë, sipas tyre, është qasja e balancuar në raport me palët dhe dhënia fund e politikës përkëdhelëse ndaj Serbisë

Dialog strategjik me Shtetet e Bashkuara edhe për dialogun e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë është parë si i domosdoshëm nga zëvendëskryetari i Ligës shqiptaro-amerikane, Agim Aliçkaj.

Marrë parasysh dinamikën e Brukselit për t’i shtyrë palët drejt zbatimit të atyre për të cilat janë dakorduar, ai thotë se rolin kryesor në këtë proces duhet ta ketë SHBA-ja.

-Advertisement-

Aliçkaj thotë se me qasjen e re që synohet të aplikohet, fillimisht duhet t’i jepet fund politikës përkëdhelëse ndaj Serbisë.

“Shpresoj që ajo politikë e përkëdheljes së Serbisë dhe lëshimeve konstante ndaj saj do të përfundojë me administratën Trump e sidomos do të përfundojë me mediatorin Lajçak, i cili ka dështuar. Pse ka dështuar? Jo që s’ka punuar, por e ka mbajtur anën e Serbisë. E kush e ka dështuar procesin e dialogut, Serbia vetë”, ka thënë Aliçkaj. “Kosova është pajtuar me marrëveshjen e Brukselit. Ajo marrëveshje e kujt është? E Macronit dhe e Olaf Scholzit. Kosova ka shku deri atje, duke bërë edhe një kompromis ekstra, përveç kompromiseve të mëparshme që të zgjidhet problemi, ndërsa Serbia nuk e pranon asnjë marrëveshje. Normalisht ajo s’do, sepse nuk e njeh Kosovën, neve ajo na konsideron si një grupim të egër, i cili duhet të zhduket”.

Zëvendëssekretari i Shtetit për Menaxhimin dhe Burimet, Richard R. Verma, që javën e shkuar zhvilloi një turne në tri shtete të Ballkanit Perëndimor, tha se Kosova dhe Serbia duhet të punojnë drejt normalizimit përmes mekanizmave të BE-së.

E, Aliçkaj thotë se pa përfshirjen e SHBA-së vështirë se mund të zgjidhen raportet Kosovë-Serbi dhe problemet e tjera në Ballkan.

“Nëse Amerika nuk udhëheq një çështje, ajo çështje nuk mund të zgjidhet, sidomos jo në Evropë, ku janë të gjitha ato shtete, të cilat kanë interesa të ndryshme e për të cilat duhet konsensus. Pra, është e vështirë që Evropa të mund të marrë masa të një niveli të lartë dhe të rëndësishme, sikurse është marrëdhënia mes Serbisë dhe Kosovës, problemi mes Serbisë dhe Kosovës. Prandaj unë mendoj se puna e parë që është e mirë me administratën e Trumpit është se ai do t’i udhëheqë këto procese”, ka theksuar ai. “Minimumi është se ne kërkojmë paqe, ne kërkojmë siguri. Ne kërkojmë marrëdhënie të mira me fqinjët, ne kërkojmë ekzistencë, ne kërkojmë zbatim të drejtave të njeriut, të ligjit dhe të rendit. Të gjitha këto janë gjërat që qëndrojnë tek vlerat amerikane dhe demokratike”.

Presidentja Vjosa Osmani pas takimit të premten e kaluar me zëvendëssekretarin Verman paralajmëroi finalizimin e marrëveshjes për dialog strategjik mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, tek e ka cilësuar këtë si një arritje të jashtëzakonshme. Sipas saj, marrëveshja do të përfshijë fusha me rëndësi si dhe do të forcojë partneritetin strategjik mes dy vendeve. E Ambasada Amerikane njoftoi se u fol për rëndësinë e ruajtjes së statusit të Kosovës si një vend demokratik dhe multietnik ku të gjitha komunitetet mund të përparojnë pa frikë nga ngacmimet.

Pas Prishtinës, Verma qëndroi në Beograd prej ku tha se me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po ashtu ka biseduar për vendosjen e një dialogu të tillë në disa fusha.

E Vuçiqi është shprehur skeptik se ky dialog do t’i japë zgjidhje problemit me Kosovën.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësim të BE-së ka nisur në vitin 2011 në Bruksel, ndërsa procesit mbështetje në vazhdimësi i ka dhënë SHBA-ja.

Gjatë presidencës së Joe Bidenit, përfshirja e SHBA-së në dialogun Kosovë-Serbi u bë nëpërmjet të dërguarit të posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

E gjatë presidencës së parë të Trumpit ishte caktuar edhe një emisar i posaçëm për dialogun. Nën ndërmjetësimin e Richard Grenellit më 4 shkurt 2020, Kosova dhe Serbia patën nënshkruar marrëveshjen e ashtuquajtur për normalizim ekonomik. Kjo marrëveshje, që përfshiu edhe njohjen e Pavarësisë së Kosovës nga Izraeli, nuk është zbatuar plotësisht.

Pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë, Trumpi ka emëruar disa personalitete në pozita të ndryshme, por jo edhe një emisar të posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi. Ai ka caktuar sekretar të Shtetit, Marco Rubion, si dhe Richard Grenellin përfaqësues për “misione të veçanta”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita Home nis epokën e franshizës në Belgjikë
-Advertisement-

Të tjera