Lajme

Kërkesat e Sindikatave për Ligjin për Paga, deputetët me qëndrime të ndryshme

Autori: Gazeta inFokus 08:22 | 10 November 2021

Të hënën, Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka protestuar para ndërtesës së Qeverisë duke kërkuar rregullimin e gjendjes sociale të punëtorëve shëndetësorë përmes procedimit të Projektligjit për Paga në sektorin publik dhe implementimin e tij nga janari i vitit 2022.

Kryetari i kësaj federate, Blerim Syla, ka paralajmërua bllokimin e institucioneve shëndetësore nëse nuk merret ndonjë iniciativë, duke i dhënë afat edhe një javë Qeverisë.

Front Online ka kontaktuar me anëtarët e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale për të marrë qëndrimin e tyre lidhur me kërkesat e profesionistëve Shëndetësorë.

-Advertisement-

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Burim Karameta, ka thënë se si mjek i kupton kërkesat e Sindikatës.

“Nga cilësia e mjekut që jam edhe vet mendoj që mjekët kanë nevojë për trajtim të dinjitetshëm”, ka thënë Karameta për Front Online.

Sipas tij, ky Ligj ende duhet të shqyrtohet në Komisionin për Shëndetësi në mënyrë që të kenë një vendim.

“Por akoma ky Ligj nuk ka ardhur në komision që ta trajtojmë, duhet që së pari të vijë në komision dhe të diskutojmë dhe të shohim çka të veprohet më tutje”, ka thënë ai.

Ndërsa deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu ka kërkuar që të rriten pagat dhe sa më shpejtë Ligji për Paga të procedohet në Kuvend nga Qeveria.

“Në veçanti pas rritjes së çmimeve të produkteve duhet rritja e pagave të sektorit shëndetësorë. Është shqetësuese sepse Ministria e Shëndetësisë, por edhe Qeveria ligjet të cilat vet i ka propozuar në agjendën legjislative nuk i ka sjellë për miratim në Kuvend”, ka thënë Haxhiu .

Tutje Haxhiu ka fajësuar Qeverinë që nuk po i përmbahet agjendës së vet legjislative që u prezantua para qytetarëve.

“Është paraparë që Ligji për Paga të vinte në Kuvend më herët mirëpo Qeveria ende nuk e ka proceduar dhe është plotësisht e arsyeshme kërkesa e profesionistëve shëndetësorë”, është shprehur Haxhiu.

Protestës së sindikalistëve shëndetësor, të hënën iu bashkëngjit edhe Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jashari.

Ai tha se nëse deri në janar të vitit të ardhshëm nuk implemetohet Ligji i Pagave, do të ketë bllokim të sistemit arsimor dhe greva.

Front Online ka provuar të marrë një qëndrim edhe nga anëtarët e Komisionit për Arsim, por të cilit nuk i janë përgjigjur interesimit të portalit.

E vetmja që ka kthyer përgjigje ka qenë deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha e cila u shpreh se si parti do të mblidhen dhe do të dalin me një qëndrim lidhur me Ligjin për Paga.

Ligji për Paga u votua në Kuvendin e Kosovës në kohën e “Qeverisë Haradinaj” por që i njëjti nuk u zbatua asnjëherë pasi Gjykata Kushtetuese ka vendosur që Ligji në tërësi nuk është në përputhshmëri me disa nene të Kushtetutës së Kosovë.

Ky Ligj ishte paraparë të rregullojë pagesën e të punësuarve që marrin rroga nga buxheti i shtetit, ku koeficienti më i lartë është 10 dhe më i ulëti është 1 dhe vlera monetare e koeficientit për vitin e parë do të jetë 239 euro.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vrasja e Lulzim Fejzullahut, vjen reagimi i parë nga ministrja Haxhiu

Të tjera