KEK-u pagoi deri në 65 euro për një fidan që në treg kushtoi 1 euro
Autori: Gazeta inFokus
11:09 | 04 September 2026
Shtëpi fiktive për ‘hesap’ të shpronësimit, rritja artificiale e sipërfaqes së tokës dhe shtëpive, mbjellja e qindra mijëra fidanëve dhe hapja e puseve për ujitje vetëm për t’u shpronësuar janë vetëm disa nga gjetjet e hulumtimit të Buletinit Ekonomik për rastin e shpronësimeve të vitit 2024 në fshatrat Shipitullë dhe Sibovc të Obiliqit. Dëmi ndaj KEK-ut nga kjo skemë zhvatëse vlerësohet në rreth 10 milionë euro.
Agon Sinanaj & Mirjeta Shabani
Para se të niste vala e fundit e shpronësimeve në fshatrat Shipitullë dhe Sibovc gjatë vitit 2024, disa nga shtëpitë që e kaluan shpronësimin nuk ekzistonin fare. Ato u ndërtuan ‘shpejt e shpejt’, si struktura betoni, vetëm për ‘hesap’ të shpronësimit. Pasi i morën mjetet financiare nga shpronësimi, pronarët i rrënuan shtëpitë “për t’i fshehur gjurmët”.
Kjo është vetëm njëra prej katër metodave të zhvatjes së parasë publike, si pjesë e një skeme korruptive me rastin e zhvendosjes dhe shpronësimit të banorëve në këto fshatra të komunës së Obiliqit.
Tri metodat tjera lidhen me manipulimin e sipërfaqeve të shtëpive, mbjelljen e qindra mijëra fidanëve nga banorët për të përfituar kundërligjshëm dhe dyshimet për ryshfet.
Në disa raste, shtëpitë u vlerësuan me dyfishin, e madje edhe me trefishin e metrave katrorë që kishin në të vërtetë.
Metoda e tretë lidhet me sipërfaqet e mbjella me fidane. Mijëra hektarë me kumbulla, arra, mollë dhe pemë dekorative u mbollën sa për sy e faqe, me qëllimin e vetëm për të përfituar nga shpronësimi.
Skema funksionoi deri në fund, edhe pse i tërë procesi ishte nën menaxhimin dhe mbikëqyrjen e disa divizioneve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).
Këto gjetje, përveç në një raport të brendshëm të KEK-ut, janë verifikuar edhe përmes një hulumtimi disa-mujor të realizuar në terren nga ekipi i Buletinit Ekonomik.
Sipas dokumenteve të siguruara nga Buletini Ekonomik, dëmi i shkaktuar ndaj KEK-ut nga kjo skemë vlerësohet të jetë së paku rreth 10 milionë euro.
Një nga këto dokumente është një raport i auditimit të brendshëm të kësaj korporate, i datës 11 nëntor 2024. Në këtë raport, auditorët e KEK-ut kanë skicuar në detaje skemën korruptive që u zbatua për të përfituar kundërligjshëm.
Procesi i shpronësimeve në këto fshatra është përgatitur dhe udhëhequr nga Korporata Energjetike e Kosovës, me përfshirjen edhe të një kompanie private, e cila ishte angazhuar përmes tenderit për të kryer vlerësimin e pronave.
Që nga viti 2009, Shipitulla, Sibovci dhe disa fshatra të tjerë të Obiliqit i janë nënshtruar disa herë procesit të zhvendosjes, për shkak të nevojës për zgjerimin e mihjeve të KEK-ut.
Në vitin 2024, në valën e fundit të shpronësimeve në këto fshatra, u shpronësua një sipërfaqe prej rreth 100 hektarësh, ku përfshiheshin edhe 17 shtëpi.

Shtëpitë ‘fiktive’
Që nga viti 2009, një vendim i Qeverisë së Kosovës ndalon çdo ndërtim në zonat përreth mihjeve të KEK-ut. Mirëpo, sikurse edhe në fazat e mëhershme të shpronësimeve, ky vendim nuk u respektua as gjatë vitit 2024.
Në dhjetëra raste, banorët e këtyre fshatrave ndërtuan shtëpi “fiktive”, kryesisht si struktura betoni, me qëllim për të përfituar kundërligjshëm nga procesi i shpronësimit. Ata u joshën nga një kriter i vendosur nga KEK-u gjatë procesit të shpronësimeve: “të gjithë ata që kishin në truallin e tyre edhe shtëpi të ndërtuar, vlerësoheshin dhe kategorizoheshin më lartë”.
Në vitin 2023, ky kriter nxiti shumë banorë që të ndërtonin struktura betoni pak para se kompania “Legal Solution Company”, e përzgjedhur nga KEK-u për vlerësimin e pronave, të dilte në terren për t’i bërë matjet.
Ekipi i Buletinit Ekonomik, pas një qëndrimi disa-ditor në këto fshatra dhe me ndihmën e disa prej banorëve, ka evidentuar disa prej këtyre strukturave, të cilat ishin rrënuar pas përfundimit të procesit të shpronësimit.
“Me i fsheh gjurmët”, ka thënë njëri nga banorët e fshatit Shipitullë, kur është pyetur se pse këto shtëpi u rrënuan nga pronarët e tyre.
“Auditorët e KEK-ut kanë qenë këtu me e shiku gjendjen. Dikush nga banorët ka lajmëruar se po vijnë auditorët dhe shtëpitë janë rrënuar shpejt e shpejt”, ka shtuar ai.
Shtëpi në Shipitullë që dyshohet se u rrënua pas shpronësimit. Foto: Buletini Ekonomik

Ky pretendim i disa prej banorëve të Shipitullës konfirmohet si i vërtetë edhe në raportin e auditimit të KEK-ut për shpronësimet e vitit 2024 në Shipitullë dhe Sibovc, të cilin e ka siguruar Buletini Ekonomik.
Nga 279 pako të përgatitura nga kompania “Legal Solution Company”, auditorët e KEK-ut audituan 10 për qind të tyre, përkatësisht gjithsej 18 pako.
Nga këto 18 pako, në shtatë prej tyre, auditorët gjetën se banorët i kishin rrëzuar shtëpitë për t’i fshehur gjurmët. Kështu e përshkruajnë ata këtë situatë në raportin e auditimit:
“Nga mostrat e përzgjedhura më lartë, në pakot 49, 54, 63/1, 64, 65, 67 dhe 69 në mungesë të dëshmive të mjaftueshme në dosje dhe dyshimeve tona në atë që është prezantuar, kemi dalë në terren për të vërtetuar gjendjen, por strukturat e vlerësuara ishin rrënuar menjëherë mbas nënshkrimit të pakove nga ana e banorëve dhe nuk kemi gjetur bazë për analizë, fakt ky që na e forcon dyshimin tonë se diçka nuk ishte në rregull me këto parcela.”
Në raport thuhet se, që nga viti 2009, kur u ndalua ndërtimi në këto zona, auditorët kanë arritur të identifikojnë së paku 17 objekte të ndërtuara në mënyrë të kundërligjshme. Megjithatë, raporti nuk sqaron se sa prej tyre ishin ndërtuar gjatë valës së fundit të shpronësimeve, në vitin 2024.
Sipas këtij raporti, ndërtimi dhe më pas shpronësimi i këtyre shtëpive i ka shkaktuar KEK-ut një dëm prej mbi 3 milionë eurosh.
Vlerësimet e pronave u kryen nga kompania Legal Solution Company Sh.p.k. Kjo kompani u angazhua nga KEK-u përmes negocimit direkt, pasi tenderi për angazhimin e një kompanie që do të kryente vlerësimin e pronave kishte dështuar disa herë.
Sipas pronarit të kompanisë, Qëndrim Arifaj, sa u përket shtëpive të shpronësuara, vetëm pesë prej tyre kanë pasur vendim për rrënim dhe ato nuk janë përfshirë në procesin e shpronësimit.
Për të tjerat, Arifaj thotë se nuk është punë e kompanisë nëse ka pasur ndërtime fiktive dhe për ‘hesap’ të shpronësimit.
“Kjo pjesë është përgjegjësi e KEK-ut, inspektoratit komunal, jo e jona si kompani. Na e kemi pasë për obligim që sipas kornizës me e incizu çdo send në ditën kur kemi dalë në terren. Çka ndodh pastaj, unë nuk dha përgjegjësi, për shkak se nuk është punë e imja. Në secilën parcelë që kemi vlerësu është kry me zyrtarët e KEK-ut bashkarisht”, ka thënë Arifaj.
Nga KEK-u nuk kanë pranuar të flasin rreth këtij procesi, ani pse mediumi ka pritur më shumë se një muaj për përgjigje.

Mashtrimi me sipërfaqet e objekteve
Metoda e dytë e përdorur për përfitim të kundërligjshëm lidhet me mbivlerësimin e sipërfaqeve të shtëpive që e kaluan procesin e shpronësimit. Në raste të caktuara, shtëpitë u vlerësuan me dyfishin, madje edhe me trefishin e sipërfaqes që kishin në të vërtetë.
Auditorët gjetën dhjetëra raste të tilla në terren. Kështu, në pakon 004, për shembull, janë dy parcela dhe dy shtëpi, të cilat në dokumentacion janë vlerësuar dhe përshkruar me një sipërfaqe prej 436.05 metrash katrorë.
“Por, sipas matjeve tona në terren, rezultojnë ndryshe nga gjendja e përshkruar dhe janë 179 m². Do të thotë, diferenca në mes të gjendjes në terren dhe asaj që është përshkruar është 277 m² më e lartë”, thuhet në raportin e auditimit.
Një rast tjetër i ngjashëm është evidentuar në pakon 005. Aty, një shtëpi është dokumentuar me sipërfaqe prej 144.85 m², ndërsa gjatë verifikimit në terren auditorët konstatuan se sipërfaqja reale e saj ishte 86.4 m².
“Do të thotë, diferenca në mes të gjendjes në terren dhe asaj që është përshkruar është 58 m² më e lartë”, thuhet në raport.
Sipas raportit, nga analizimi i mostrave, auditorët konstatuan se në dy pako të tjera, me gjithsej tri objekte banimi, ishin vlerësuar 572 metra katrorë më shumë sesa sipërfaqja e tyre reale në terren. Sipas raportit, kjo diferencë përkthehej në një vlerë financiare prej 283,140 eurosh.
Raporti evidenton edhe raste të tjera problematike në vlerësimin e objekteve. Në pakon 177, një objekt që, sipas auditorëve, kishte karakteristikat e një ndërtese të improvizuar, ishte klasifikuar si shtëpi e kategorisë së dytë.
Ndërkaq, në pakon 195, auditorët konstatuan mbivlerësim të themelit të një objekti. Për një sipërfaqe prej 146 metrash katrorë, pronari ishte kompensuar me rreth 14,600 euro, ndonëse, sipas matricës së kompensimit, themeli duhej të llogaritej vetëm në 15 për qind të vlerës së objektit.
‘Zhvatja’ me fidane
Por përfitimet më të mëdha banorët i realizuan nga mbjellja e fidanëve me qëllimin e vetëm për të përfituar nga procesi i shpronësimit.
Sipas gjetjeve të auditorëve të brendshëm të KEK-ut, banorët e këtyre fshatrave arritën që të mbjellin rreth 200 mijë fidane jashtë çdo standardi, duke i shkaktuar KEK-ut një dëm prej rreth 6 milionë eurosh. Vetëm për pemishtet, humbjet e KEK-ut vlerësohen në rreth 2.45 milionë euro, si pasojë e kompensimit të pemëve të thara.
Buletini Ekonomik, me ndihmën e disa prej banorëve të Shipitullës, ka identifikuar disa parcela të tilla me fidane në Shipitullë dhe Sibovc, të cilat i ka dokumentuar edhe përmes fotografive. Shumica e tyre duken të thara, të mbuluara nga shkurret dhe pa mirëmbajtje.
E tillë është edhe prona e N.M., i cili ka kërkuar të mbetet anonim. Ai e ka shoqëruar ekipin e Buletinit Ekonomik në parcelën e tij, ku, sipas tij, kishte mbjellë 4,200 trupa arra në një sipërfaqe prej 80 ari. Ndërkaq, sipas standardeve, në një hektar nuk duhet të mbillen më shumë se 400 trupa arra.
“Nuk e kemi kqyr, kemi mbjell sa ma shumë”, ka thënë N.M, teksa ka sqaruar sesi arriti të përfitojë mbi 100 mijë euro nga mbjellja e fidanëve.
Një fidan arre, sipas tij, i kishte kushtuar 7 euro, ndërsa përmes shpronësimit ai mori 32 euro për copë. Në disa kultura të tjera, si në rastin e kumbullave, kompensimi për një fidan ka arritur deri në 100 euro.
Gjendja e fidanëve që ishin shpronësuar në një parcelë në Shipitullë. Foto: Buletini Ekonomik

Gjetjet e dokumentuara nga ekipi i Buletinit Ekonomik në terren konfirmohen edhe në raportin e auditimit të brendshëm të KEK-ut.
Përveç mbivlerësimit të çmimit të fidanëve, një tjetër formë e mashtrimit, lidhet me rritjen në mënyrë fiktive të numrit të fidanëve që u shpronësuan. Auditorët e KEK-ut gjetën mospërputhje të madhe mes numrit të pemëve në terren dhe atyre që ishin vlerësuar nga kompania “Legal Solution Company”.
Kështu, në pakon 47/1, operatori ekonomik kishte evidentuar 582 pemë kumbulle, ndërsa verifikimi në terren nga auditorët konstatoi se në parcelë ndodheshin vetëm rreth 191 pemë, shumica prej të cilave ishin të pamirëmbajtura.
Auditimi e konsideron këtë rast si mbivlerësim si në numër, ashtu edhe në vlerë.
Në pakon 163, auditorët konstatuan se pemët dekorative ishin të thara, ndërsa pemët frutore, si mollët, dardhat dhe kumbullat, rezultonin të ishin fidanë të sapombjellë dhe të pamirëmbajtur. Sipas raportit, ato mezi dalloheshin nga bari i rritur në parcelë.
Edhe objekti banesor në të njëjtën pronë, sipas auditorëve, jepte shenja se nuk ishte në përdorim.
Parcelë tjetër me fidane të thara dhe pa mirëmajtje që ishin shpronësuar. Foto: Buletini Ekonomik

Auditimi evidenton gjithashtu se në pakot 175 dhe 182 ishin kompensuar fidane të mbjella pas datës së prerjes, periudhë pas së cilës investimet e reja nuk duhej të përfshiheshin në vlerësim. Sipas raportit, projekt-menaxheri nuk kishte arritur të siguronte dëshmi se operatorit ekonomik i ishte kërkuar që këta fidane të mos i kompensonte.
Raste të tjera të ngjashme janë evidentuar edhe në pakot 181, 183, 185 dhe 189/1. Në pakon 183, operatori kishte raportuar 1,900 pemë, ndërsa auditimi në terren numëroi vetëm rreth 900 fidane, pothuajse të gjitha të thara.
Në pakon 185, auditorët konstatuan se 189 pemë të reja të përfshira në vlerësim ishin të thara. Ndërkaq, në pakon 189/1, auditimi vlerësoi se një pemishte me arra ishte mbivlerësuar, pavarësisht mungesës së mirëmbajtjes.
Gjendje e ngjashme u evidentua edhe në pakon 181, ku nga mbi 2,300 pemë të raportuara nga operatori, shumica rezultuan të thara gjatë verifikimit në terren.
Pemë të thara. Foto: Buletini Ekonomik

Përtej rasteve individuale, auditimi ngre një shqetësim edhe më të madh për të gjithë procesin e kompensimit të pemëve.
Sipas Planit të Veprimit për Zhvendosje, të hartuar nga operatori ekonomik, rreth 62 për qind e fidanëve të evidentuar ishin të tharë. Kjo nënkupton se, nga gjithsej 198,394 fidane të vlerësuara, rreth 123 mijë rezultonin të thata.
Pronari i kompanisë “Legal Solution Company”, sa i përket fidanëve fillimisht ka mohuar se ka pasur parregullsi, por ku është përballur me rastin e N.M, ai ka ndërruar fjalët.
“Nuk ka qenë punë e jona kjo, puna e jonë ka qenë incizimi i gjendjes në terren”, ka thënë Arifaj kur është pyetur për rastin konkret.
Për shpronësimin e fidanëve kanë qenë të përcaktuara disa kritere, si koha e mbjelljes dhe mosha e fidanëve, mirëpo çmimi me të cilin u shpronësuan është larg çmimit të tregut.
Këtë e konstaton edhe raporti i auditimit të brendshëm të KEK-ut. Aty përmendet se disa kultura u shpronësuan me çmim deri në 100 euro për copë.
Fantazia e zhvatjes: Hapja e dyshimtë e puseve

Disa prej banorëve nuk ishin mjaftuar vetëm me mbjelljen e fidanëve për të përfituar kundërligjshëm. Dikujt iu kujtua edhe hapja e puseve kinse për t’i ujitur fidanët.
Një banor i Shipitullës, i cili ka kërkuar të mbetet anonim, ka treguar se hapja e pusit i kishte kushtuar rreth 500 euro, ndërsa përmes shpronësimit ai ishte kompensuar me 2,500 euro.
Buletini Ekonomik, gjatë punës në terren, ka dokumentuar hapjen e së paku 10 dhjetë puseve, të cilët dyshohet se janë hapur me qëllim përfitimi nga shpronësimi. Banorët thonë se asnjëri nga këto puse nuk kanë ekzistuar para vitit 2024.
Të gjitha këto puse, siç shihet edhe në fotografi, janë jashtë funksionit dhe të mbuluara me mbeturina. Derisa pranë tyre ndodhen parcelat me fidanët e tharë.
Hapja e dyshimtë e puseve në Shipitullë. Foto: Buletini Ekonomik

Pretendimet për ryshfet
Banorët e Shipitullës që e kanë shoqëruar ekipin e Buletinit Ekonomik kanë folur, në kushte anonimiteti, edhe për një anë tjetër të keqpërdorimit në këtë proces. Sipas tyre, keqpërdorimi ka shkuar deri në atë masë saqë përfitues nga shpronësimi janë bërë edhe banorë të komunave të tjera.
“I kanë thirr në telefon banorët e fshatit ku iu kanë kërku me ua ble pronat, si garancë se do të shpronësohen dhe do të përfitojnë të dyja palët”, ka treguar njëri nga banorët.
“Banorët nuk janë trajtu barabartë. Ata që kanë pranuar të japin ryshfet janë shpronësu, të tjerët jo”, ka thënë një tjetër.
Buletini Ekonomik ka arritur ta verifikojë vetëm pretendimin e parë, se disa banorë janë shpronësuar, ndërsa disa të tjerë jo.
Njëri prej tyre është rasti i Musli Mjekiqit, banor i fshatit Shipitullë, i cili ka pranuar të flasë publikisht. Toka e tij nuk u përfshi në procesin e shpronësimit, ndërsa toka e vëllait të tij po, ndonëse të dyja parcelat janë në kufi me njëra-tjetrën.
“Vëllaut ia kanë shpronësu, mua jo. 42 ari është e rrethuar, 21 ari e vëllaut është shpronësu, e imja jo”, ka thënë Mjekiqi, teksa tregon me dorë parcelën e vëllait të tij, e cila ishte përfshirë në shpronësim, ndërsa e tija kishte mbetur jashtë këtij procesi.

Musli Mjekiqi duke treguar pronën e vëllait të tij, e cila është shpronësuar, dhe tokën e tij ngjitur me të, e cila nuk është shpronësuar.
Përfaqësuesi i fshatit, Arsim Mjeku, e ka bërë përgjegjëse kompaninë e angazhuar nga KEK-u, si dhe zyrtarë të lartë të korporatës që ishin të përfshirë në këtë proces. Sipas tij, kompania e ka kryer procesin e shpronësimit në mënyrë joligjore dhe joprofesionale.
“Ka edhe raste që janë shpronësu pa bërë matje fare në terren”, ka thënë ai.
Pronari i saj, Qëndrim Arifaj, i ka mohuar këto akuza të banorëve, të cilat ai i ka quajtur si “të ulëta”. Sipas tij, kompania që ai drejton i ka kryer matjet në terren në përputhje me procedurat e parapara.
“Krejt procedura ka qenë e mbikëqyrur nga zyrtarët e KEK-ut. Të gjitha matjet janë kryer në terren dhe sipas kritereve të parapara”, ka thënë ai.
Sa i përket përvojës së kompanisë së tij në vlerësimin e pronave dhe pasurive, Arifaj ka pranuar se kompania nuk ka licencë për këtë punë. Megjithatë, sipas tij, kjo nuk ka qenë kërkesë e tenderit, dhe se vlerësimi është kryer me ndihmën e ekspertëve të angazhuar.
Ndërkaq, në Korporatën Energjetike të Kosovës nuk kanë pranuar të prononcohen as rreth angazhimit të kompanisë Legal Solution Company, pavarësisht se mediumi ka pritur më shumë se një muaj për një përgjigje.
Në raportin e auditimit të brendshëm të KEK-ut kritikohet mungesa e kontrollit nga menaxhmenti i kësaj ndërmarrje dhe komunës së Obiliqit për parandalimin e kësaj skeme, e cila i shkaktoi KEK-ut një dëm prej dhjetëra miliona euro. /Buletini Ekonomik/
(Vazhdon– Në pjesën e dytë të hulumtimit që publikohet nesër, mund të lexoni: Si funksionoi skema deri në fund “pa u vërejtur”, edhe pse i tërë procesi ishte nën menaxhimin dhe mbikëqyrjen e disa divizioneve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK); Si u tentua të heshtet ky rast nga menaxhmenti i KEK-ut?; Pse nuk u zbatua rekomandimi për procedura disiplinore ndaj zyrtarëve përgjegjës?)

T� tjera
-
Moti nesër dhe ditëve në vazhdim
Nesër (e Premte) në Kosovë do të mbajë mot mjaft i ngrohtë për këtë periudhë ...
-
Takimi në Dublin i Komunitetit Politik Europian, AP rikujton qëndrimin e kritikëve: Forum që përpiqet ta frenojë zgjerimin e BE
Udhëheqës nga më shumë se 40 vende evropiane u mblodhën të enjten buzë lumit ...
-
Anija luftarake ruse goditet nga dronët ukrainas në Gjirin e Finlandës
Një anije luftarake ruse është sulmuar të mërkurën në Gjirin e Finlandës nga ...
-
Zyrtarizohet koalicioni VV-LDK në Shtime, LDK merr katër drejtori dhe kryesuesin e Kuvendit Komunal
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë zyrtarizuar marrëv...
-
Ebola pranë minierës së arit, Barrick dërgon një pjesë të punonjësve në pushim
Barrick Mining po dërgon në pushim të përkohshëm disa punonjës dhe nënkontrak...
-
Microsoft 365 përballet me ndërprerje të gjera, preken Outlook, Teams dhe Copilot
Një ndërprerje e gjerë në shërbimet e Microsoft ka shkaktuar probleme me qasj...
-
Bekteshi akuzon VV-në për manipulim të zgjedhjeve në Obiliq: “Fitorja ishte e vjedhur”
Linda Bekteshi ka reaguar pas publikimit të një audio-incizimi, duke akuzuar ...
-
“Qasje në GjEDNj”, Kurti ia thekson rëndësinë e anëtarësimit në Këshill të Evropës Sekretarit Berset
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njofton se në takimin në kuadër të punim...
-
Ministria e Shëndetësisë ua anulon takimin, profesionistët shëndetësorë paralajmërojnë protesta
Profesionistët shëndetësorë kanë shprehur zhgënjimin dhe indinjatën e tyre nd...
-
Luhatjet në aksionet e inteligjencës artificiale, FMN-ja monitoron rrezikun për ekonominë
Fondi Monetar Ndërkombëtar po ndjek luhatjet në aksionet e kompanive të intel...
-
Mercedes ndal investimet e mëtejshme në Gjermani, shqyrton edhe mbylljen e fabrikave
Mercedes-Benz ka vendosur të ndalë investimet e mëtejshme në njësitë e saj në...
-
Ishte caktuar për nesër, ministri Vitia e anulon takimin me mjekët e rinj
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia e ka anuluar një takim që e kishte caktu...


































