Lajme

KEDS shtrenjton rrymën

Autori: Gazeta inFokus 22:06 | 20 August 2018

Gjatë vitit 2018 qytetarët e Republikës së Kosovës do të paguajnë më shtrenjtë energjinë elektrike pasi bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) ka vendosur të rrisë nivelin e humbjeve që do t’u faturohen qytetarëve.

Vendimi për rritjen e humbjeve është miratuar nga bordi i ZRrE-së me arsyetimin se KEK-u kishte dështuar t’i ulë humbjet, prandaj ato nuk mund të barten si barrë KEDS-it, kompanisë private.

Nga viti 2018, humbjet teknike dhe vjedhjet e energjisë elektrike që do t’u faturohen qytetarëve do të jenë 18.8 për qind. Rritja e humbjeve të faturuara nga 16.9% në 18.8% ka një ndikim prej rreth 3 deri në 4 milionë euro. Për aq milionë euro mund të shtrenjtohet energjia elektrike pas këtij vendimi apo nuk do të mund të ulen tarifat në rast se numrat tjerë e thonë një gjë të tillë.

-Advertisement-

Pranimi i humbjeve më të larta për 1,9 pikë të përqindjes erdhi si propozim nga anëtari i bordit, Izet Rashiti.

Ai propozoi që KEDS-it t’i njihen humbje më shumë se në vitin 2017 për 1.9%, për aq sa kishte dështuar KEK-u t’i ulë humbjet në vitin e fundit të menaxhimit me KEDS.

Përveç tij, pyetje për këto humbje prej 1,9 për qind në mbledhjen e bordi të ZRrE-së bëri edhe kryesuesi i bordit, Arsim Janova.

Propozimi për pranimin e humbjeve KEDS-it në nivel prej 1,9% u votua nga katër anëtarët e Bordit të ZRrE-së.

“Bordi vendosi që sa i përket cakut të nivelit të humbjeve të lejuara për operatorin e sistemit të shpërndarjes (KEDS) për periudhën e dytë rregullative (2018-2022) të jetë në vitin 2018 të jetë 18.8%, vitin 2019 prapë 18.8%, viti 2020 të jetë 17.6%, në 2021 të jetë 16.4% dhe në vitin 2022 të jetë 15.1%”, ka konstatuar kryesuesi i bordit të ZRrE-së, Arsim Janova.

Ky vendim i ZRrE-së do të ketë ndikim në faturat e energjisë gjatë katër viteve të ardhshme.

Ky propozim ishte në kundërshtim me raportin dhe analizat e bëra nga ekspertët e tarifave që punojnë në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë.

Petrit Pepaj, drejtor menaxhues në ZRrE dhe Ymer Fejzullahu drejtor i departamentit të Tarifave në mbledhjen e bordit thanë që nuk duhet t’i pranohet kjo rritje e humbjeve KEDS-it.

Ymer Fejzullahu, drejtor i Departamentit të Tarifave tha se pronarët aktualë të KEDS-i kanë qenë në dijeni për vendimin e ZRrE-së të vitit 2012 para se të ofertojnë.

Sipas tij, vendimi për uljen e humbjeve është cilësuar si ‘risk rregullator’, prandaj ofertën e bërë për blerjen e KEDS-it e kanë bërë duke qenë në njohuri për këtë vendim.

Ai ka thënë se KEDS-i vazhdimisht ka kërkuar që të rritet caku i humbjeve, mirëpo bordi i ZRrE-së asnjëherë deri më tani nuk ia ka miratuar.

“ZRrE me të drejtë i ka sugjeruar (KEDS-it) që t’i drejtohet atëherë, njësisë së privatizimit në kuadër të MZhE-së. Një prej informatave që është kërkuar edhe para ofertimit ka qenë vendimi për parametrat të cilin në atë kohë bordi i ZRrE-së e ka marrë. Ofertuesit kanë qenë të njoftuar për këtë vendim, që besoj se edhe ofertuesit e tjerë edhe KEDS-i e kanë marrë parasysh gjatë ofertimit”, tha Fejzullahu, udhëheqës i Departamentit për tarifa dhe çmime në ZRRE.

Të njëjtin qëndrim e ka përsëritur disa herë edhe drejtori ekzekutiv i ZRrE-së, Petrit Pepaj.

“KEDS-i kur e ka marr menaxhimin në vitin 2013 e ka pas cak me i zvogëlua edhe 3 pikë të përqindjes plus 1.9% që KEK-u nuk ka arrit me i zvogëlua dhe i është bartë kompanisë private, pra është bërë diku 4.9% që ka qenë e pamundshme që brenda 1 viti me arrit atë tragetin për shkak se ka qenë kompani e re dhe i është kërkuar kohë për njohjen e sistemit. Por, kjo nuk e paragjykon që KEDS-i ka qenë në dijeni gjatë kohës së privatizimit që kjo është situata dhe me siguri që ata i kanë bërë kalkulimet e veta me rastin e ofertimit për KEDS”, tha Pepaj.

E njëjta përgjigje i ishte kthyer edhe KEDS-it gjatë periudhës konsultative për këtë vendim.

“Caqet e humbjeve kanë qenë të njohura para transaksionit dhe informatat të cilat kanë qenë të bazuara ishin në dispozicion për të gjithë ofertuesit potencial si pjesë e procesit të tyre të vlerësimit. Vlerësimi i rreziqeve që këto caqe nuk do të arrihen nga KEK-u ose pas privatizimit ishte çështje e ofertuesve dhe kostoja e rreziqeve të mbetura do të faktorizohej në çmimet e tyre të ofertës”, thuhet në vendimin e ZRrE-së. “Duke pasur parasysh këtë, ZRrE-ja konsideron se nuk ka asnjë arsyetim për ndonjë kompensim të nënkuptuar ndaj KEDS-it.”

Dy përbërje të bordi të ZRRE-së nuk ia kanë miratuar asnjëherë kërkesën për të amnistuar për dështimet e KEK-ut për t’i ulur humbjet e energjisë elektrike. Kjo është përbërja e tret e bordit të ZRrE-së e cila e ka shqyrtuar dhe miratuar kërkesën e KEDS-it që humbjet e energjisë që i faturohen qytetarit të jenë për 1.9 pikë të përqindjes më të larta se sa që ishin në vitin 2017.

Aktualisht, anëtar të bordit janë Arsim Janova dhe Besim Sejfijaj, të cilët kishin qenë pjesë e LDK-së para se të emëroheshin në këto dy pozita. Ndërsa, Izet Rushiti dhe Selman Hoti ishin vlerësuar me pikë minimale krahasuar me katër kandidatët e tjerë nga komisioni vlerësues në të cilin bënte pjesë edhe partneri i Ambasadës britanike.

Propozimi i ekspertëve të tarifave të ZRrE-së ishte që në fund të periudhës rregullative, humbjet që do t’i faturoheshin qytetarët të ishin vetëm 13.2%, pra 1.9% më pak se vendimi që u morë nga bordi i ZRrE-së.

Gazeta Jeta në Kosovë kishte raportuar për kërkesat e KEDS-it që humbjet e energjisë elektrike që do t’i faturohen qytetarit të jenë 24%. Një kërkesë të tillë e kishin kundërshtuar ekspertët e tarifave të ZRrE-së.

Drejtori menaxhues i ZRrE-së, Petrit Pepaj para bordit tha se ka dallime të mëdha ndërmjet propozimeve të KEDS-it dhe vlerësimit të ZRrE-së sa i përket periudhës së dytë të rregullative.

“Propozimet e KEDS-it me argumentetet tona janë shumë të mëdha. Është një gap i madh ndërmjet kërkesës që e ka bërë KEDS-si dhe vlerësimit përfundimtar që e ka sjellë ZRrE-ja”, tha Pepaj.

Ai ka thënë se KEDS-i nuk ka arritur të bind ZRrE-në se kanë bërë përpjekje të mjaftueshme për t’i ulur humbjet. Sa i përket ZRrE-së, Pepaj tha se të gjitha projektet investive të ZRrE-së janë miratuar.

“Nëse kthehemi tek investimet, të gjitha investimet që i ka kërkuar i janë lejuar. Nuk ka një investim që e ka kërku KEDS-i që nuk iu ka leju. Sa u përket humbjeve komerciale, që janë humbjet, është pak problematike sepse nuk e di qysh shqyrtohen lëndët nëpër gjykata. Mirëpo, mundem më thanë një fakt që lëndët që vijnë tek ne me u shqyrtu, po flas për ankesa të konsumatorëve ndaj KEDS-it, shumica vijnë të pakompletuara dhe të paargumentuara mirë. Në këtë rast mundemi me ardh te një konkludim se këta e humbin lëndën për shkak të mosargumentimit të një rasti edhe para gjykatave. Pra, mungojnë faktet”, tha Pepaj.

Ai ka thënë se ZRrE-ja nuk duhet t’i ngarkojë konsumatorët me barrën e mossuksesit të KEDS-it në zvogëlim të humbjeve.

Gazeta Jeta në Kosovë kishte publikuar një analizë rreth vendimit për vendosjen e caqeve për uljen e humbjeve në periudhën e dytë rregullative, 2018-2022.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Black Friday ne Artmotion

Të tjera