Lajme

Kaosi me tarifat e energjisë elektrike – a do t’u kthehen qytetarëve paratë?

Autori: Gazeta inFokus 12:09 | 20 May 2022

Vendimi i Gjykatës së Apelit për të pezulluar vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike për shtrenjtimin e rrymës, sipas njohësve të fushës energjetike, ka krijuar një situatë të re të jashtëzakonshme, pasi që ka krijuar një hendek në mes të asaj se cilat tarifa duhet të faturohen tash e tutje.

Sipas ish-drejtoreshës së Korporatës Energjetike të Kosovës, Pranvera Dobruna-Kryeziu, vendimi i Apelit nuk duhet lexuar si kthim prapa në tarifat paraprake pasi që ato janë shfuqizuar në momentin e aprovimit të tarifave të reja më nëntë shkurt.

“Nga dje kemi një situatë të re të jashtëzakonshme, pasi që nuk kemi një vendim për tarifat e energjisë elektrike me të cilat duhet të faturohen konsumatorët. Vendimi i Apelit duhet të përkthehet në vendime të reja për tarifat, që mund të jenë të përkohshme apo ndonjë vendim i bazuar në të gjetura të reja. Është hera e parë që gjykata e konteston vendimin e ZRRE-së”, ka thënë Dobruna-Kryeziu për Albanian Post.

-Advertisement-

Në anën tjetër për juristin, Kushtrim Palushi, vendimi i ditës së mërkurë i Gjykatës së Apelit është një vendim i plotfuqishëm dhe rrjedhimisht ZRRE-ja nuk mund të mos e zbatojë atë.

“Vendimi i Gjykatës së Apelit nuk është vendim retroaktiv, pra kjo nuk detyron që mjetet e ekzekutuara të kthehen prapa konsumatorëve. Pas këtij vendimi ZRRE-ja duhet ta pezullojë vendimin e saj paraprak dhe t’i kthehet tarifave të vjetra”, ka thënë Palushi për Albanian Post.

Në anën tjetër njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu, vendimin e Gjykatës së Apelit e sheh shumë shqetësuese sidomos në aspektin e tërheqjes së investitorëve të huaj në Kosovë.

“Investitorët e huaj të cilët mendojnë të ia mësynë Kosovës për të investuar do të stepen paksa pas kësaj dukurie e cila në mënyrë transparente ka manipuluar qytetarët dhe ka dëmtuar bizneset. Vendimi i djeshëm është një dëshmi që në Kosovë me vite të tëra ka munguar sundimi i rendit dhe i ligjit dhe në rend të dytë këto borde e rregullatorë kanë qenë shumë më tepër në funksion të politikës sesa të qytetarëve në aspektin ekonomik”, ka thënë Gërxhaliu për Albanian Post.

Gërxhaliu, është shprehur skeptik për sa i përket kthimit të mjeteve për të gjithë ata qytetarët të cilët kanë paguar me tarifa të reja, pas vendimit të Apelit e cila ka konstatuar se ngritja e çmimit të energjisë elektrike ka qenë e jashtëligjshme.

“Ngritja e çmimit pa dyshim është bërë me pretekstin e një krize energjetike e cila kishte kapluar Ballkanin Perëndimor. Qytetarët natyrshëm presin kthimin e këtyre mjeteve, por nuk e besoj që këto të holla do të kthehen në mënyrë të drejtpërdrejtë. Megjithatë duhet të gjendet një modalitet që përmes pagesave në të ardhmen të zbritet pagesa paraprake në atë mënyrë që të barazohet qytetari e furnitori”, ka shtuar ai.

Ndryshe një ditë më parë Gjykata e Apelit në Kosovë, ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, me të cilin ishte pezulluar vendimi i muajit shkurt të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për tarifat e reja të energjisë elektrike.

Apeli gjithashtu ka refuzuar si të pabazuar ankesën e ZRRE-së.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 8 prill 2022 kishte aprovuar si të bazuar propozimin e paditëses Partia Demokratike e Kosovës, dhe kishte pezulluar vendimin e ZRRE-së për tarifat e reja për energji elektrike.

Pavarësisht se Themelorja pati vendosur ta pezullojë vendimin e ZRRE-së për shtrenjtimin e rrymës, faturat qytetarëve u kanë shkuar me tarifat e reja.

Paraprakisht, ZRRE-ja më 9 shkurt 2022 kishte miratuar tarifat e reja për energji elektrike.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Afati i fundit për regjistrime në programin MSc. Data Science & Analytics në UNI – Universum International College – Powered…

Të tjera