Lajme

Ish-polici i akuzuar për tentim vrasjen e ish-gruas: Më jepni mundësi të risocializohem në shoqëri, të punoj e krijoj familje

Autori: Gazeta inFokus 14:20 | 23 February 2023

Në fjalën e tij përfundimtare në seancën e rigjykimit, i akuzuari Artim Gashi, i cili ngarkohet për vrasje të rëndë në tentativë ndaj ish-gruas së tij B.C., kërkoi nga trupi gjykues që t’i jepet një dënim më i butë dhe t’i jepet mundësia që të krijojë familje dhe të mund të risocializohet në shoqëri.

“Nga kryetari i trupi gjykues dhe anëtarët e  trupit gjykues kërkoj që të më jepni mundësinë për t’u kthyer dhe risocalizuar në shoqëri, të bashkohem me familjen time, të punoj, të krijoj familje dhe të vazhdoj jetën. Shpresoj se këtë herë do të më jepni një vendim më të drejtë“, tha i akuzuari Gashi.

I akuzuari po ashtu tha se nuk mund të gjejë fjalë të përshkruajë pendimin e tij dhe se ndaj të dëmtuarës B.C., nuk ka pasur asnjëherë synim që ta lëndojë dhe se i kërkon që t’ia falë për veprimin ndaj saj, raporton “ Betimi për Drejtësi”.

-Advertisement-

Fjalën përfundimtare e paraqiti me shkrim edhe mbrojtësi i të akuzuari Gashi, avokati Mentor Neziri, duke e elaboruar shkurtimisht. Neziri i kërkoi gjykatës që klienti i tij të dënohet sipas kualifikimit juridik “Vrasje në tentativë në afekt mendor”.

Gjithashtu, avokati Neziri shtoi se i akuzuari është zënë nga nëna e tij duke tentuar edhe të kryejë vetëvrasje, sepse ndarjen nga gruaja e tij e ka përjetuar rëndë, ku pas ndarjes e kishte vizituar psikiatrin dhe hoxhën. Neziri theksoi se në ditën kur ka vepruar i akuzuari Gashi, konsiderohet se ka pasur aftësi esencialisht të zvogëluar mendore.

Fjalën përfundimtare e paraqiti edhe prokurorja Javorka Prlinçeviq, e cila kërkoi që i akuzuari Gashi të dënohet sipas kualifikimit juridik të veprës penale “Vrasje e rëndë në tentative”.

Tutje, prokurorja Prlinçeviq kërkoi nga trupi gjykues që gjatë matjes dhe caktimit të dënimit ndaj të akuzuarit Gashi, të marrë parasysh si rrethana rënduese pasojat që ende e dëmtuara B.C., i vuan në syrin e saj, si dhe mospendimin real që nuk e ka paraqitur i akuzuari.

Në fund, kryetari i trupit gjykues Naser Foniqi, konstatoi se meqenëse prokurorja dhe avokati nuk kërkuan që të mbahet një seancë tjetër lidhur me caktimin e dënimit, rrethanë kjo e paraparë me Kodin e ri të Procedurës Penale, ky shqyrtim gjyqësor shpallet i përfunduar.

Shpallja e aktgjykimi për këtë çështje penale, u caktua të mbahet sot në sesionin e pasdites.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, në shtator të 2018-ës, e kishte dënuar me 15 vjet burgim ish-policin Artim Gashi, për veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë”.

Mirëpo, e pakënaqur me lartësinë e dënimit ka mbetur Prokuroria, e cila kundër këtij aktgjykimi kishte ushtruar ankesë në Apel, duke kërkuar nga kjo e fundit që ndaj të akuzuarit të shqiptohet një dënim më i lartë me burgim. Në anën tjetër, kthimin e rastit në rigjykim e kishin kërkuar nga gjykata e shkallës së dytë, mbrojtësit e të akuzuarit, avokatët Ramiz Krasniqi dhe Sevdali Zejnullahu.

Kurse, Gjykata e Apelit, kishte marrë aktgjykim duke pranuar ankesat e palëve ndërgjyqëse dhe çështjen e kishte kthyer në rigjykim.

Pas kthimit të rastit në rigjykim, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 23 shtator 2020, e kishte shpallur sërish fajtor të akuzuarin Artim Gashi dhe e kishte dënuar me 13 vite burgim.

Lidhur me këtë çështje, Gjykata e Apelit, më 17 dhjetor 2020, e ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe çështjen e ka kthyer në rigjykim, me sugjerimin që të caktohet një super-ekspertizë, ku së paku njëri prej ekspertëve të jetë profesor universitar i lëmisë përkatëse. Sipas Apelit, pasi të merret ekspertiza, e njëjta të vlerësohet dhe të vendoset sipas ligjit.

Kurse, më 28 maj 2021, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte shpallur prapë fajtor dhe prapë e kishte dënuar me 13 vjet burgim.

Ndërkaq më 17 gusht 2021, Gjykata e Apelit , ka refuzuar si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe mbrojtësit të dëmtuarit dhe ka vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë.

Kurse, Gjykata Supreme e Kosovës e ka miratuar kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë të mbrojtësit të të dënuarit Artim Gashi dhe ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe aktgjykimin e Gjykatës së Apelit.

Sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme, pretendimet e mbrojtësit të të dënuarit ishin të bazuara për shkak se aktgjykimet kundër të cilave ishte parashtruar kërkesa përmbajnë shkelje për të cilat pretendohet.

“Aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale sipas dispozitës së nenit 384 par. 1 nënpar.1.12 të KPPK-së, përkatësisht nenit 370 par.6 dhe 7 të KPPK-së, meqë gjykata e shkallës së parë nuk ka paraqitur arsyetim për çdo pikë të aktgjykimit, përkatësisht nuk ka prezantuar si provë ekspertizën e Institutit të Psikiatrisë Forenzike të datës 27.11.2017, mirëpo vetëm ekspertizën e Institutit të Psikiatrisë Forenzike të datës 11.02.2022”, thuhet në arsyetimin e Supremes.

Sipas aktakuzës së plotësuar më 23 mars 2021, Artim Gashi po akuzohet se më 4 shkurt 2017, rreth orës 09:30, në rrugën “Xhavit Ahmeti”, në Prishtinë, pas një përgatitje paraprake e kishte përcjellë nga shtëpia të dëmtuarën B.C, e cila ishte nisur për provim në fakultet, e kishte ndaluar dhe ishte munduar që me dhunë ta fuste në veturë.

Mirëpo, sipas aktakuzës, pasi e dëmtuara kishte refuzuar, ai me qëllim që ta privojë nga jeta, me armën zyrtare, të llojit “Glock”, e kishte goditur me një plumb në kokë, saktësisht në syrin e majtë, goditje kjo nga e cila të dëmtuarës ia kishte këputur indet e syrit të majtë, ndërsa plumbi kishte depërtuar në tru duke ia shqyer cipën trunore, me ç’rast të dëmtuarës i kishte shkaktuar lëndime të rënda trupore, të rrezikshme për jetë, me pasoja të përhershme për shëndetin. Aty thuhet se i pandehuri ishte larguar nga vendi i ngjarjes.

Me këtë, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Gashi me veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë” nga neni 173, paragrafi 1, pika 1.3 dhe 1.8. lidhur me nenin 28 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vetëm edhe 4 ditë nga Bootcamp me Alan Greenberg, ish-Drejtorin për Edukim në Apple, Apliko Tani

Të tjera