Lajme

Ish-drejtori i IPK-së për vendimin për Pantiqin: I habitshëm, dyshohej për akte terroriste

Autori: Gazeta inFokus 19:38 | 28 December 2022

Ish-policit serb, Dejan Pantiq, që dyshohet për sulm ndaj Policisë së Kosovës dhe Komisioneve Komunale Zgjedhore në veri, i është ndryshuar masa nga paraburgimi në arrest shtëpiak.

“Me kërkesë të Prokurorisë Speciale për zëvendësim të masës nga paraburgimi në arrest shtëpiak, gjykata ka aprovuar kërkesën dhe ia ka ndryshuar masën”, është konfirmuar nga Gjykata.

Lidhur me këtë vendim, për Front Online ka folur ish-zëvendës ministri i Punëve të Brendshme dhe ish-drejtori i Inspektoratit Policor, Valdet Hoxha.

-Advertisement-

Ai ka thënë se duke e ditur që i njëjti dyshohet për akte terroriste, pritshmëritë kanë qenë që t’i vazhdohet masa e paraburgimit.

“Ne si njohës të sigurisë nuk mund t’i dimë detajet e rastit, por duke u nisur nga akuza që i është ngarkuar atij dhe kryesisht nga deklarimet e qeveritarëve kryesisht e kam fjalën për zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme se dyshohet se mund të ketë kryer akte terroriste atëherë pritshmëritë e opinionit publik pa i njohur detajet ligjore janë që natyrshëm t’i caktohet dhe t’i vazhdohet masa e paraburgimit”, është shprehur Hoxha,

Deklaroi se vendimi i sotëm është i habitshëm, pavarësisht asaj që për këtë vendos gjykata.

“Ndërsa, vendimi që e morëm vesh sot për ndërrimin e masës nga paraburgim në arrest shtëpiak në kontekst të këtyre deklarimeve të cilat i kemi dëgjuar është habitëse, por natyrisht që nuk mund të lëshohemi në vlerësime dhe në vendimin e gjyqësorit sepse ata besoj se për një vendim të tillë kanë vepruar në bazë të provave të cilat iu kanë ofruar atyre, pra po flasim për jashtë është një vendim befasues por gjithmonë duke u nisur nga narrativa të cilën e ka krijuar Qeveria karshi këtij rasti”, ka thënë ai.

Por, shton se mbetet të shihet nëse ka pasur prova për vazhdimin ose jo të paraburgimit.

“Tani duhet me pa se nëse ka pas ose jo gjyqësori prova të mjaftueshme për t’ia vazhduar paraburgimin”, ka pohuar Hoxha.

I, pyetur se a mund të ndodhë tani heqja e barrikadave në veri të vendit, pasi që serbët këtë e kanë lidhur me arrestimin e Pantiqit, Hoxha thotë se çështja e barrikadave ka të bëjë me mos shtyrjen e afatit për targa, por se arrestimi Pantiqit është përdorur vetëm si pretekst.

“Unë vlerësoj se gabimisht është lidh çështja e arrestimit të ish-policit me çështjen e barrikadave, por që taktikisht këtë situatë e ka shfrytëzua pala tjetër, pra e kam fjalën për Serbinë presidenti Vuçiq i cili është strateg i përdorimit të situatave të tilla, dhe unë po besoj që atë që e ka bërë Qeveria e Kosovës është fakti i mosdëgjimit dhe mos kordinimit me aleatët tonë për shtyrjen e çështjes së targave, pastaj pasojat tjera të gjitha janë skenarë i Serbisë, por që fatkeqësisht me pavetëdije apo me pamaturi edhe Qeveria e Kosovës ka rënë në këtë gracë, pastaj çështja e arrestimit është lidh nga serbët me çështjen e barrikadave”, është shprehur ndër të tjera ish-zëvendësministri Hoxha.

Ai kërkon që Qeveria të tregojë mençuri në këtë rast dhe të ketë koordinim të ngushtë me partnerët strategjikë, kryesisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të nxirret më e mira e mundshme, të ulet tensioni dhe të i jepet shanse dialogut

Pantiq, ish-polic i Kosovës, u arrestua më 10 dhjetor në pikën kufitare të Jarinjës.

Sipas autoriteteve të Kosovës, ai dyshohet për organizimin e “sulmit terrorist” të 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Arrestimi i Pantiqit, nxiti ngritjen e barrikadave në veri të Kosovës. Barrikadat u vendosën nga disa serbë lokalë, duke bllokuar rrugët që çojnë drejt dy pikëkalimeve kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën me Serbinë.

Për shkak të ngritjes së barrikadave, autoritetet kanë konfirmuar se Pantiq po mbahet në një stacion policor afër Jarinjës.

Kosova kishte kërkuar ndihmën e misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë për Sundim të Ligjit (EULEX) për transferimin e Pantiqit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vetëm edhe 4 ditë nga Bootcamp me Alan Greenberg, ish-Drejtorin për Edukim në Apple, Apliko Tani

Të tjera