Fokus

HULUMTIM| Padrejtësia e shtetit përballë një nëne deri në gjunjëzimin e saj publik

Autori: Hateme Smajli 10:41 | 02 April 2024

Ka më shumë se një vit që Artina Elshani po “lufton” për të kthyer të birin e saj.

Përveç mallit për djalin, ajo e gjeti vetën ballë për ballë edhe me drejtësinë e institucioneve, në fakt padrejtësinë e madhe.

E pafuqishme përballë tyre, ajo vendosi që historinë e saj ta bëj publike në Gazetën Infokus.

-Advertisement-

Infokus ka hulumtuar në detaje tash e më shumë se dy muaj, rastin e rëndë ku Artina Elshanit, nga Gjakova, po i mohohet e drejta ligjore të mbajë e rrisë djalin e saj, sipas vendimeve të Gjykatës përfshirë këtu edhe vendimin e shkallës së tretë.

Kësaj nëne i është dhënë e drejta dhe besimi për rritjen e fëmijës derisa babait i janë caktuar takimet gjatë javës me të birin, me një vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë, një tjetër të Gjykatës së Apelit në Prishtinë dhe me vendim të shkallës së fundit, të Gjykatës Supreme.

Mirëpo kjo nuk ndodhi.

Artina Elshanit iu mor djali nga kujdestaria padrejtësisht.

Krejt kjo, Artina pohon se po i bëhet nga ish bashkëshorti, Korab Blakçori, babai i djalit tash 9 vjeçar.

Artina e kishte rritur fëmijën e vetme pasi kishte vazhdimisht probleme me tashmë ish bashkëshortin, siç deklaron ajo, derisa e kishte fituar kujdestarinë për herë të parë kur djali ishte në moshën 3 vjeçare.

“Unë për këtë e kam vetëm një pyetje. Si ka mundësi një person i vetëm me e luftu gjithë sistemin gjyqësor dhe prokurorial të Kosovës?” ka thënë Artina për Infokus derisa hedh dyshimet se puna e ish bashkëshortit në një institucion të lartë shtetëror, ka bërë që ai të ushtrojë ndikimin e tij që rasti i saj të mos trajtohet edhe pasi fitoi betejën edhe në shkallën e fundit në organet e drejtësisë.

 

‘Rrëmbimi’ i parë

Problemet e para me ish bashkëshortin filluan në janar të vitit 2023, kur për herë të parë, Korab Blakçori në njërin prej takimeve në fundjavë me të birin e merr atë dhe nuk ia kthen më nënës.

“Prej janarit 2023 deri me 23 prill unë djalin tim nuk e kam parë hiç… e më pas sërish prej muajit gusht për 6 muaj”, duke iu dridhur zëri, Artina rrëfen ngjarjet e fillimit të vitit kur edhe nisi tortura larg të birit.

Deri në muajin prill të po atij viti, siç rrëfen vetë Artina për Infokus, ajo nuk la derë pa trokitur për të kthyer të birin e saj.

Fillimisht kontaktoi me Qendrën për Punë Sociale për të lajmëruar ata që djali nuk i ishte kthyer ashtu siç thuhej në vendim Gjykate.

Më pas edhe pas kontaktimit nga QPS-ja në Gjakovë, Korab Blakçori nuk i ktheu të birin një herë me arsyetimin se nuk ishte mirë me shëndet e më pas me akuzat që nuk do ta kthejë sepse nëna kishte ushtruar dhunë ndaj 9 vjeçarit.

E akuzat se ajo e kishte rrahur të birin, dhe veprimet e mëvonshme, Artina i quan tendencë e bashkëshortit në mënyrë që të fitonte rastin në Gjykatën Themelore në Gjakovë ku e kishte paditur për ndryshim kujdestarie, gjë e cila edhe ndodhi më pas, por ky vendim u rrëzua nga Gjykata e Apelit në Prishtinë.

Pas akuzave për dhunë e që ish bashkëshorti nuk po i kthente djalin, Artina vendos që rastin ta denoncojë në Stacionin e Policisë në Gjakovë e në Prokurorinë Themelore të po këtij qyteti me 2 shkurt të vitit 2023.

“Policja grua më tha, pse po e kërkon djalin ti qenke martu prapë. E njëjta i është thënë edhe avokatit tim në mënyrë jo formale. D.m.th ti shkon në polici dhe e pret një mbështetje prej tyre përderisa kisha të drejtë, dhe për ata nuk është kjo kurgjo”, ka deklaruar mes të tjerash Artina, kur rrëfen hollësisht se si u trajtua ajo nga organet e drejtësisë, pavarësisht se kishte disa vendime gjykate ku i ishte besuar kujdestaria e të birit.

Infokusi ka kontaktuar edhe me stacionin e Policisë në Gjakovë si dhe Prokurorinë Themelore, dhe ka dërguar pyetje për prokurorin, Sadri Alija, mirëpo këta të fundit nuk kanë pranuar të flasin me arsyetimin se nuk mund të japin detaje përderisa në rast është i përfshirë një i mitur.

 

‘Rrëmbimi’ i dytë

Pasi kaluan muaj pa e parë të birin, sipas ligjit, ish bashkëshorti, Korab Blakori, i lejon Artinës të takohet me të dhe kësaj here nëna e merr atë me vete dhe e mban deri në muajin gusht kur ndodhë edhe rasti i dytë.

“Në gusht ai (ish bashkëshorti), kërkon nga unë një pëlqim me e bo që ai me udhëtu me djalin jashtë shtetit për pushime verore dhe unë prapë kom mendu ma të mirën për djalin prapë e lejova ia bëra një pëlqim që mos me e nda djalin prej babës. Dhe prej 19 gushtit më nuk e ka kthyer. Sot e asaj dite unë nuk kam më asnjë kontakt me fëmijën tim”, thotë Artina.

Kësaj here avokati i Artina Elshanit bënë disa kërkesa, parashtresa urgjence që rasti, pra padia për ish bashkëshortin që po i mban djalin kundërligjshëm të trajtohet, mirëpo përsëri asnjë vendim.

Edhe për 6 muaj të tjerë nëna u mbajt larg fëmijës së saj.

 

Babai i fëmijës – Korab Blakçori pranon se po e mban djalin përkundër vendimeve të Gjykatës

“Djali nuk ka shprehë dëshirë me shku te nana, për këtë arsye nuk e ka taku nëna djalin”, është ky arsyetimi i babait të fëmijës derisa thotë se nuk ka ligj që e detyron një fëmijë të bëjë diçka që nuk dëshiron.

I kontaktuar nga Gazeta Infokus, Blakçori shprehet se nëna e djalit ushtron shumë presion mbi djalin dhe se ky i fundit nuk ka dëshirë të jetojë me të.

“Së shpejti ai i mbush 10 vjet dhe mundet me vendos vetë se me kënd dëshiron me qëndru”, pra plotësisht i vetëdijshëm që djali nuk kishte dhe nuk ka ende moshën për të vendosur për veten, përsëri, ai e mban atë nën arsyetimin se fëmija nuk ka dëshirë të jetë me nënën.

Ndërsa ai nuk pranon se po e shkel ligjin duke e mbajtur djalin përkundër vendimeve të Gjykatës.

“Unë nuk e lejoj veten me e shkel ligjin. Kërkush nuk mundet me e ndalë fëmijën me e taku prindin e vet kur shpreh dëshirën me e taku, por kur nuk dëshiron me e taku kërkush nuk mundet me e detyru, kjo është e përcaktuar me ligj. Unë e kam dërgu në Qendrën për Punë Sociale ku djali ka shpreh se nuk don me e taku nënën”, deklaron Blaçkori përmes telefonit.


Mirëpo sa janë të vërteta këto pohime?

Artina Elshani ka një version tjetër për këtë. Ajo ka thënë se i biri i saj po manipulohet e madje se edhe është kërcënuar me vrasjen e saj nga ish bashkëshorti që të thotë se nuk dëshiron të jetojë me nënën.

“Djali pasi u kthy te unë ka qenë në gjendje shumë të rëndë por dikur nisi me fol me mu e me u shpreh. Më ka thënë mami unë çdo natë kam qajt për ty… Babi m’ka thon nëse ti vendos mu kthy te mama atëherë unë kom me ta myt mamën e bohet edhe ma keq, ti kurrë ma nuk ki me taku mamin. Unë si nënë jam ndi tepër keq kur fëmiun tim e kam parë në atë gjendje të rënduar psikologjike e emocionale”, rrëfen mes lotësh ajo.

Infokusi ka siguruar edhe dokumentet e vendimeve të Gjykatave ku dy prej tyre përmendet edhe një ekspertizë e Klinikës së Psikiatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës  e cila është kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Aty thuhet se fëmija është mjaft i ndikuar nga të dy prindërit, mirëpo kur kishte shkuar në seancë me babain ka qenë më në ankth.  Sipas kësaj ekpertize fëmija tregon se është i kënaqur kur jeton me nënën dhe se vazhdimisht ka shikuar dhe ka qenë vigjilent si dhe ka pyetur “A keni me i tregu babit se çka foli unë?”.

 

Babai i ‘bie pishman’ për realizimin e intervistës

Korab Blakçori në ditën që është kontaktuar nga Gazeta Infokus, ka dhënë një version të shkurtër të tij duke thënë se është pak e ulët që për këtë temë të diskutohet në telefon.

“Po më duket pak e ulët me bisedu për këtë temë përmes telefonit. Ne mundemi me u taku, mundesh me u taku edhe me avokatin tim, madje nëse ke dëshirë mundesh me u taku edhe më fëmijën… unë jam i hapur gjithmonë”, ka thënë Blakçori përmes telefonit për Infokus.

Mirëpo pasi redaksia ka provuar disa herë që të linte kohën e takimit për intervistën, babai i fëmijës ka ndryshuar mendje.

Përmes një mesazhi ai thotë se nuk mund të flasë në lidhje me këtë çështje pa përfunduar të gjitha proceset gjyqësore, pavarësisht se kjo kishte përfunduar edhe në shkallën e tretë në Gjykatën Supreme.

Së shpejti video – intervista përmes telefonit

 

Video dëshmia ku djali ‘rrëfen’ se u detyrua nga babai të gënjente në polici

Artina Elshani rrëfen edhe për një video të cilën pretendon se i ka bërë djalit të saj, ku ai tregon se babai i tij, Korab Blakçori e kishte detyruar që të denonconte për dhunë nënën e tij në polici.

Një video të cilën e ka dëgjuar edhe redaksia e Infokusit e që e njëjta ishte paraqitur si provë në Gjykatën Themelore në Gjakovë.

Por pavarësisht kësaj në atë vendim, pra të shkallës së parë, kujdestaria i ishte dhënë babait, vendim që më pas rrëzohet nga shkalla e dytë, Gjykata e Apelit.

Mirëpo kjo video nuk është pranuar si dëshmi konkrete në rast për shkak se sipas Gjykatës nuk mund të bëhej identifikimi i personave që flisnin.

 

Të miturit kundërligjshëm iu ndalua shkollimi

Njëra ndër shkeljet e tjera në këtë rast që ka denoncuar e ëma, Artina,  është ndërprerja e shkollimit të fëmijës në rrëmbimin e parë për 3 muaj e më pas që nuk ka informacione për sa kohë. Por që sipas saj vazhdimisht shkollimi ka qenë jo i rregullt dhe me ndërprerje.

Ajo e përshkruan me plot emocion momentin kur i ishte kthyer djali dhe e kishte kthyer atë në shkollën në Gjakovë.

“Djali kur është kthy prapë të unë në muajin maj e ka vazhdu shkollën, në shkollën që ka qenë, në shkollën e njejtë, kam video kam fotografi. Gëzimi i djalit kur është kthy në shkollë ka qenë shumë i madh. Me gjithë ato përpjekje djali prapë e kaloi shembullor klasën pavarësisht se për 3 muaj iu mohua e drejta e shkollimit”, ka thënë ajo.

Elshani thotë se babai pasi e mori kundërligjshëm fëmijën dhe nuk ia ktheu më atë, e ndali edhe nga shkolla pasi nuk posedonte dokumentacionin për ta regjistruar në shkollë.

Madje sipas saj kishte pasur edhe tendenca që djalin ta regjistronte në shkollë kundërligjshëm dhe pa dokumentacion.

Në bazë të kësaj, Artina rrëfen se me 15 maj e ka telefonuar drejtoresha e një shkolle në Prishtinë, një rast ky i paraqitur edhe në policinë e Kosovës ku djali sipas nënës ka rrëfyer se si babai e kishte detyruar të gënjente e edhe e kishte kërcënuar atë.

Po ashtu ajo tregon se si e kishte pranuar një telefonatë nga një inspektore e arsimit që ndër të tjera kishte provuar edhe që t’i bënte presion që ta linte këtë çështje dhe se për fëmijën mjafton ta dinte që është mirë e që nuk është e nevojshme ta ketë patjetër afër vetes.

“Unë një herë u gëzova thashë më në fund dikush ndoshta po dëshiron me u marr me rastin tim ashtu siç duhet, mirëpo ai numër nuk më ka thirr më edhe pse më ka thënë që do të thërrasë dhe do të takohemi”, tregon ndër të tjera Artina.

 

Dështuan institucionet e drejtësisë, rasti nën monitorimin e EULEX-it

Kjo nënë kishte shfrytëzuar tashmë çdo mundësi ligjore për ta kthyer djalin e saj, e kur edhe me vendim të shkallës së tretë kjo nuk po ndodhte ajo vendosi të merrte masa të tjera.

“S’ më ka mbështetur askush. I kam shkruar edhe ministres së Drejtësisë, zyrës së Presidencës, Zyrës së Kryeministrit, Këshillit Gjyqësor, por askush s’më ka kthyer përgjigje. Kur i kam shkruar EULEX-it më kanë kthyer përgjigje pas dy ditësh”.

Kështu thotë Artina derisa tregon se çështja e saj nuk u mor parasysh jo vetëm nga institucionet e drejtësisë, vendimet e së cilës nuk po respektoheshin e rasti po neglizhohej, por edhe nga krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani, ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu e kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të cilëve iu kishte dërguar email, dy herë.

Gazeta Infokus po ashtu ka kontaktuar me të gjitha institucionet e lartë përmendura dhe deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk kanë kthyer as një edhe përgjigje.

Përsëri edhe Infokusi përgjigje ka marrë vetëm nga EULEX-i të cilat kanë konfirmuar që tashmë janë duke e monitoruar rastin e Artina Elshanit.

“Ne konfirmojmë se Njësia për Monitorimin e Rasteve të EULEX-it është duke e monitoruar këtë rast. Megjithatë, për të ruajtur integritetin e proceseve gjyqësore dhe mbrojtjen e palëve të përfshira, ne nuk mund të zbulojmë detaje të monitorimit të rasteve individuale. Faleminderit për mirëkuptimin”, kanë deklaruar nga zyra për informim e EULEX-it.

Në vazhdim do të bashkëngjisim edhe vendimin e Gjykatës Supreme, Gjykatës së Apelit me të cilat ishte rrëzuar kërkesa e paditësit, në këtë rast babait, Korab Blakçori për ndërrim të kujdestarisë, e megjithatë ai po vazhdon ta mbajë fëmijën larg së ëmës.

VENDIMI I GJYKATËS SUPREME  – Gjykata-supreme

 

 

6 muaj vonesë në dorëzimin e dokumentit të përmbarimit – Ndikimi i Infokusit në rast

Çështja e fundit ligjore që Artina Elshani mund të bënte ishte që të vazhdonte me procesin e përmbarimit në mënyrë që ish bashkëshorti i saj të obligohej të pranonte dhe të përfillte vendimet e Gjykatave dhe të ia kthente asaj fëmijën në një afat kohor prej tre ditësh.

Një dokument i cili nuk u dorëzua tek pala tjetër për më shumë se 6 muaj, e arsye skandaloze për këtë sipas Artinës ishte se nuk kishin arritur ta gjenin adresën e ish bashkëshortit të saj, Korab Blakçorit.

Ky dokument iu dorëzua, babait të fëmijës vetëm pasi Infokusi filloj të interesohej në lidhje me këtë rast dhe i kishte dërguar pyetje Gjykatës Themelore në Prishtinë, pavarësisht që të njëjtit ende nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje.

Sipas Artinës deklarimi i saj publik për Infokusin por edhe nisja e monitorimit të rastit nga EULEX-i bëri që të lëvizin organet e drejtësisë.

Pas kësaj përfundoi në kohë të rregullt procesi i përmbarimit, ku u bë i vlefshëm me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë me datën 27 mars.

Derisa lëvizje pati edhe në Prokurorinë Themelore në Gjakovë ku pas shumë kohësh, sipas saj u ftua në intervistim ish bashkëshorti i saj për padinë që kjo e fundit i kishte bërë për mos respektim të ligjit dhe inskenim të rastit se ajo kishte ushtruar dhunë ndaj djalit.

Kështu ka deklaruar Artina Elshani, duke qenë se nga Prokuroria nuk kanë pranuar të përgjigjen në pyetjet e Gazetës Infokus me arsyetimin se në mes të kësaj lënde është një i mitur dhe se nuk mund të japin detaje, kjo pavarësisht se Infokusi nuk ka kërkuar detaje për të miturin mirëpo për mënyrën e trajtimit të rastit nga ana e prokurorit, Sadri Alija.

“Lidhur me pyetjet tuaja, ju njoftojmë se rasti është në procedurë hetimore dhe për arsye se ka të bëjë me të mitur nuk mund të ju japim më shumë informacione lidhur me rastin”, kanë deklaruar nga Prokuroria Themelore në Gjakovë.

 

“Unë jam i befasum me këtë rast.. ndodhë veç në Kosovë”, çfarë thotë avokati i Artina Elshanit

Infokusi ka kontaktuar edhe me avokatin e Artina Elshanit, i cili pasi shpjegon çdo masë ligjore që kishte marrë në lidhje me këtë rast parashtresa e urgjenca të shumta thotë se është i befasuar dhe se një neglizhencë e tillë është e tolerueshme vetëm në Kosovë.

“Nuk është rasti një vjedhje e zakonshme ose diçka tjetër për mendim timin krejt këtë rrjedhë të procedurës, dëmi më i madh i është bërë fëmijës për shkak se i njëjti për 1 vit nuk vijon as shkollën me rregull e ka të mohume në mënyrë të theksume d.m.th gati fare nuk e ka pasë asnjë kontakt me nënën e fëmijës edhe kjo është më të thënë të drejtën vetëm në Kosovë mendoj që mundet me u toleru”.

Derisa i pyetur se si ka mundësi të ndodhë një gjë e tillë dhe të mos respektohet asnjë vendim i Gjykatës në këtë formë ai përgjigjet kështu.

“Me të thanë të drejtën këto pyetje që mi bëtë të gjitha mi ka bërë Artina me qindra herë, por nuk kam asnjë koment asnjë përgjigje në lidhje me këtë për shkak se edhe vetë jam i befasuar në këtë kontekst”, ka thënë ai për Infokus.

Së shpejti video – intervista e plotë me avokatin

 

Lutja publike e një nënë për drejtësi

Për fund, Artina Elshani, duke u ndier e pafuqishme përballë gjithë këtyre sfidave ka edhe një lutje për ish bashkëshortin dhe institucionet e shtetit të Kosovës.

Me lot në sy ajo i përgjërohet institucioneve që të respektojnë ligjin dhe vendimet e marra nga vetë këta të fundit dhe t’i kthejnë djalin e saj.

“Unë nuk po kërkoj asnjë favor, unë po kërkoj thjesht këto vendime me i respektu. Thjesht institucionet  me e kry detyrën e vet. Unë veç këtë e kërkoj prej tyre. Unë letra kom shumë, por po du ata me vepru në bazë të këtyre vendimeve. Me marr unë një përgjigje prej tyre dhe sa ma shpejt që është e mundur me mbaru ky film i tmerrshëm që është tu ndodhë me mu dhe me djalin tim”.

VIDEO INTERVISTA E PLOTË MË POSHTË:

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UFC EKSKLUZIVISHT NË ARTMOTION!
-Advertisement-

Të tjera