Lajme

Hoti: Trust-i sa më parë të shqyrtohet në Kuvend, qytetarëve u ka mbetur vetëm kjo zgjidhje

Autori: Gazeta inFokus 15:31 | 07 December 2022

Kuvendi i Kosovës duhet që sa më parë ta shqyrtojë Projektligjin për Trust-in në seancë plenare, tha deputeti i Lidhjes Demokratike, Avdullah Hoti, pas miratimin në Komisionin për Buxhet të iniciativës për lejimin e tërheqjes së 30% të Trust-it.

“Sigurisht se kjo nuk është zgjidhja e duhur për tejkalimin e krizës ekonomike nga inflacioni, por është zgjidhja e vetme që ka mbetur në dispozicion të qytetarëve për të përballuar më lehtë krizën pasi kanë munguar masat substanciale nga Qeveria”, tha Hoti.

Reagimi i plotë i Avdullah Hoti:

-Advertisement-

Sot, Komisioni për Buxhet e miratoi projektligjin për tërheqjen e mjeteve nga Trusti Pensional, i cili është iniciativë e mbi 21 mijë qytetarëve. Kuvendi i Kosovës duhet që sa më parë ta shqyrtojë këtë projektligj në seancë plenare.

Sigurisht se kjo nuk është zgjidhja e duhur për tejkalimin e krizës ekonomike nga inflacioni, por është zgjidhja e vetme që ka mbetur në dispozicion të qytetarëve për të përballuar më lehtë krizën pasi kanë munguar masat substanciale nga Qeveria. Masat e ndërmarra kanë qenë të kufizuara kryesisht në skemat sociale dhe pensionale.

Siç kemi propozuar vazhdimisht, Qeveria ka pasur dy mundësi në dispozicion për tu dalë në ndihmë qytetarëve përmes:

(1) rritjes së pagave së paku sa është norma e inflacionit dhe rritjes së pagës minimale në sektorin privat ose

(2) uljes së TVSH-së nga 18% në 8% dhe heqjes së përkohshme të akcizës.

Të dyja këto masa kanë qenë plotësisht të realizueshme, sepse të hyrat buxhetore janë rritur me mbi 20% për shkak të rritjes së çmimeve.

Në vend që mjetet buxhetore të shpenzohen duke i rritur pagat dhe duke i realizuar projektet kapitale, sot në buxhetin e shtetit janë grumbulluar rreth 700 milionë euro që po i zhvlerëson inflacioni.

Këta qeveritarë as nuk i shpenzojnë vetë mjetet e buxhetit në rritje të pagave e në projekte kaptiale, e as nuk i ulin tatimet dhe akcizat për t’ua lënë në dispozicion qytetarëve ato mjete.

Përderisa nuk i përfillen propozimet tona si opozitë për ndihmë ndaj qytetarëve, në seancë plenare projektligji për tërheqjen e mjeteve të Trustit Pensional duhet të votohet.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Nis bashkëpunimi serioz dhe strategjik midis Comodita dhe JYSK International
-Advertisement-

Të tjera